Një operacion i policisë spanjolle ka goditur një rrjet kriminal të përfshirë në kultivimin e kanabisit në provincën e Valencias, ku sipas autoriteteve, pjesë e organizatës ishte edhe një grup shtetasish shqiptarë.
Gjatë operacionit u arrestuan 14 persona, ndërsa u sekuestruan rreth 3,000 bimë kanabisi dhe disa armë zjarri. Policia çmontoi tre ambiente të përshtatura për kultivimin e drogës në ambiente të mbyllura, mes tyre edhe një mega-plantacion me teknologji të avancuar, ku u gjetën 2,763 bimë në fazë të avancuar të rritjes.
Hetimet kishin nisur në muajin janar, pasi disa shtetas shqiptarë u vunë re duke transportuar pajisje të destinuara për instalime të kultivimit të kanabisit në Xirivella. Sipas autoriteteve, grupi përdorte masa të larta sigurie për të shmangur zbulimin, duke ndryshuar vazhdimisht automjetet me qira dhe duke lëvizur shpesh në zona të ndryshme të Spanjës.
Sipas hetimeve, grupi shqiptar bashkëpunonte me shtetas spanjollë, të njohur më parë për vepra penale në fushën e trafikut të drogës. Autoritetet dyshojnë se të dy grupet kishin krijuar një strukturë të organizuar kriminale, me role të ndara dhe bashkëpunim në financim, logjistikë dhe kultivimin e kanabisit.
Të 14 të arrestuarit akuzohen për kultivim dhe trafik droge, mashtrim me energjinë elektrike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Tre prej tyre janë lënë në paraburgim, ndërsa njëri rezultonte i kërkuar nga drejtësia për të njëjtën vepër penale.













