Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë për tre të miturat e dyshuara të përfshira në ngjarjen e dhunës ndaj 17-vjeçares, e cila u bë publike përmes rrjeteve sociale.
Sipas njoftimit, gjykata ka vendosur masën “Arrest me burg” për shtetasen me inicialet L.L., “Arrest në shtëpi” për të miturën K.G. dhe “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik” për të miturën në konflikt me ligjin M.R.
Sipas Prokurorisë, në vijim të hetimeve për procedimin penal të regjistruar pas publikimit të videos në rrjetet sociale, janë mbledhur prova që kanë ngritur dyshime të arsyeshme se të dyshuarat kanë kryer veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, në bashkëpunim, përveç episodeve të dhunës të dokumentuara në pamjet filmike.
Organi i akuzës thekson se faktet e evidentuara deri në këtë fazë të hetimit kanë diktuar nevojën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.













