Me meme, pankarta, video karizmatike dhe ritmin e rrjeteve sociale, protesta hyri në një terren ku, ironikisht, për vite me radhë kishte dominuar vetë Edi Rama. Pikërisht aty ku kryeministri kishte ndërtuar një pjesë të rëndësishme të epërsisë së tij politike, u shfaq një formë komunikimi që nuk kontrollohej nga qeveria dhe nuk i bindej logjikës tradicionale të përballjes mes mazhorancës dhe opozitës.
Fillimisht, reagimi i qeverisë u shfaq i lëkundur. Por, me zgjerimin e protestës, evoluoi edhe narrativa politike e mazhorancës. Vëmendja nisi të zhvendosej gradualisht nga kërkesat e protestuesve drejt vetë protestuesve. Në vend që debati të zhvillohej mbi thelbin e kauzës, fokusi kaloi te identiteti, motivet dhe e shkuara e atyre që e përfaqësonin atë, duke vënë në diskutim jo vetëm figurat publike të protestës, por edhe legjitimitetin e saj.
Pothuajse çdo protestues që merr mikrofonin përfundon në “skanerin” e komunikimit qeveritar. Foto, postime të vjetra, deklarata apo episode nga e shkuara rikthehen në qarkullim në kërkim të një elementi që mund të cenojë besueshmërinë e individit. Shpesh, ende pa u mbyllur protesta, kryeministri publikon në rrjetet e tij sociale video dhe komente për pjesëmarrës të caktuar. Më pas, e njëjta linjë argumentimi, të njëjtat etiketime dhe të njëjtat materiale riprodhohen nga deputetë dhe figura të tjera të Partisë Socialiste, duke krijuar përshtypjen e një komunikimi të koordinuar dhe të centralizuar.
Për ekspertët e komunikimit politik, kjo është një strategji klasike e kontrollit të narrativës. Mesazhi nuk mbetet në nivelin e liderit, por shpërndahet në mënyrë të sinkronizuar përmes strukturave politike dhe rrjeteve sociale, me synimin për të përcaktuar kornizën përmes së cilës publiku e interpreton ngjarjen. Në këtë kuptim, beteja nuk zhvillohet vetëm në shesh, por edhe në hapësirën digjitale, aty ku ndërtohen perceptimet, sfidohen interpretimet dhe, në fund, fitohet ose humbet narrativa politike.
Nevoja për “armikun” e padukshëm
Teksa protesta hynte në javën e tretë dhe nuk po tregonte shenja zbehjeje, Edi Rama mblodhi më 20 qershor, me dyer të mbyllura, drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste. Çfarë u diskutua në atë takim nuk u bë kurrë publike. Por, në ditët që pasuan, ndryshimi në komunikimin e mazhorancës ishte i dukshëm.
Postimet, videot dhe deklaratat e kryeministrit nisën të shpërndaheshin pothuajse në kohë reale nga deputetët dhe figurat e tjera të Partisë Socialiste. E njëjta narrativë, të njëjtat etiketime dhe shpesh i njëjti formulim u përsëritën njëkohësisht në dhjetëra profile, duke krijuar përshtypjen e një strategjie të koordinuar komunikimi dhe jo të reagimeve spontane individuale.
Për gazetarin dhe akademikun Lutfi Dervishi, ky është një mekanizëm tipik i asaj që në komunikimin politik njihet si “disiplina e mesazhit”. Sipas tij, narrativa ndërtohet në qendër dhe më pas shpërndahet në mënyrë të sinkronizuar nga e gjithë struktura politike, me synimin për të dominuar debatin publik dhe për të imponuar një kornizë të vetme interpretimi të ngjarjeve.
“Nëse ky sinkronizim është rezultat i një koordinimi të brendshëm, atëherë kemi të bëjmë me një strategji klasike të disiplinës së mesazhit. Partia përpiqet të sigurojë që i njëjti interpretim i ngjarjeve të përsëritet nga shumë zëra njëkohësisht, me synimin për ta dominuar debatin publik”, shpjegon Dervishi.
Por, ky qëndrim erdhi pas lëkundjeve të thella të narrativës fillestare qeveritare. Fillimisht, protesta u minimizua dhe u trajtua si një episod që pritej të zbehej me kalimin e ditëve. Më pas, ndërsa vijoi të ruante pjesëmarrjen dhe mori jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, narrativa nisi të ndryshonte.
Sipas profesorit të Shkencave Politike, Klejd Këlliçi, pikërisht kjo fazë shënoi edhe pikën e parë të kthesës.
“Protesta mori një dimension tjetër, duke i gjetur të papërgatitur kryesisht kryeministrin”, shpjegon ai.
Sipas tij, në një parti me komunikim të centralizuar si Partia Socialiste, deputetët e ndoqën qëndrimin e Ramës edhe në heshtje. Ata mbajtën një profil të tërhequr deri në momentin kur narrativa nisi të konsolidohej.
“Meqenëse Partia Socialiste ka një komunikim të centralizuar dhe kryesisht deputetët janë të tërhequr, atëherë shumë prej tyre u gjendën në dilemën e reagimit apo të pritjes për një qartësim të pozicionit të Ramës”, shpjegon Këlliçi.
Komunikimi fillestar i mazhorancës u mbështet kryesisht në përgjithësime. Protesta u përshkrua si e ndikuar nga faktorë të jashtëm, me referenca të përsëritura ndaj agjenturave të huaja, interesave ruse, iraniane apo greke. Në qendër të deklaratave të ashpra u vendosën blogerë dhe faqe në rrjetet sociale, të përmendur pa identitet të qartë si shembuj të një fushate më të gjerë manipulimi. Kur as këto nuk mjaftuan, komunikimi kaloi te emrat e përveçëm. Nga protesta si fenomen, vëmendja u zhvendos te individët që merrnin fjalën në shesh. Fotografi, deklarata të mëparshme dhe episode nga e shkuara e tyre u kthyen në pjesë të debatit publik.
“Me pak fjalë, fantazma e Sali Berishës, si objekti kryesor i goditjes dhe armiku historik mbi të cilin prodhohet edhe ligjërimi i PS-së, instinktivisht ju mëvesh protestuesve të veçantë”, argumenton Klejd Këlliçi.
Narrativa nuk kërkonte më vetëm një armik të përgjithshëm. Ajo kërkonte edhe fytyra konkrete që ta mishëronin atë.
Një incident, ku një person i maskuar shkuli flamurin e Izraelit, i dha mundësinë retorikës qeveritare të pretendonte se protesta në shesh iniciohej nga agjentë që mbronin interesat e Iranit.
Një tezë jo e re për Shqipërinë, që prej atribuimit të sulmeve kibernetike Iranit, çka bëri që Tirana zyrtare të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.
Kjo u kulmua me shpalljen non grata, të njoftuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ndaj një shtetaseje, me argumentin se veprimtaria e saj vlerësohej si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike. Bëhet fjalë për një person jo të panjohur për opinionin publik, deklaratat e të cilit kanë ngjallur bujë dhe pakënaqësi në rrjet, por shumë kohë përpara se ai të shfaqej si protestues në një foto të shkrepur në shesh.
Të paktën dy shtetas të tjerë janë publikuar nga kryeministri Rama me akuzën e drejtpërdrejtë se janë persona të infiltruar, të paguar për mbrojtjen e interesave iraniane.
Për ekspertët, këmbëngulja e kryeministrit për të gjetur shkaqe madhore në ndezjen e kësaj proteste dhe kalimi i narrativës nga përgjithësimet te ndërtimi i një kornize më të gjerë gjeopolitike do të lehtësonin kostot e vetë Partisë në pushtet, duke kërkuar “shfryrjen” diku gjetkë.
“Incidenti i flamurit mjaftoi për ta cilësuar protestën si të fryrë nga antisemitizmi. Në ditët e fundit po ndërtohet një ligjërim i cili i paraqet aktorët e protestës si faktorë pro-iranianë. Ky do të jetë edhe ligjërimi i mazhorancës dhe i Ramës: ideja e devijimit të vëmendjes nga kërkesat e protestës te individë të veçantë”, thotë profesori Këlliçi.
Këto linja komunikimi me publikun, në këtë rast protestuesit, nuk janë të panjohura për ekspertët e komunikimit politik. Por ato nuk duhet të devijojnë në manipulim përmes propagandës.
Profesori Lutfi Dervishi argumenton se kufiri me propagandën kalohet kur komunikimi nuk synon më të informojë, por të manipulojë.
“Kufiri me propagandën kalohet kur komunikimi nuk synon më të informojë apo të argumentojë, por të manipulojë, përmes shtrembërimit të fakteve, demonizimit të kundërshtarit, etiketimit sistematik ose krijimit të një realiteti paralel”, thotë ai.
Edhe profesori Klementin Mile argumenton se nuk është koordinimi ai që e bën detyrimisht një fushatë propagandë, por përmbajtja dhe metodat e përdorura. Etiketimet dhe zhvendosja e fokusit te personat e përveçëm sjellin atë që ekspertët e quajnë “spin” politik.
“Kur vërehet sinkronizim i lartë i mesazheve, përsëritje e të njëjtave etiketime dhe zhvendosje e debatit nga çështja te personat, atëherë hyjmë në territorin e spin-it politik. Shenja më e dukshme e kësaj është kur diskutimi largohet nga pyetjet që ngre protesta dhe fokusohet te delegjitimimi i protestuesve ose i figurave që i përfaqësojnë ata”, shpjegon ai.
Të gjithë për një narrativë
Çdo ditë, para ose pas protestës, një protestues, aq më tepër nëse është një nismëtar i saj, e sheh veten protagonist në Facebook-un e kryeministrit.
Brenda një kohe të shkurtër, të njëjtat fotografi, montazhe apo linja argumentimi nisin të ripublikohen edhe nga deputetë dhe figura të tjera të Partisë Socialiste, duke shumëfishuar të njëjtin mesazh në profile të ndryshme.
Për profesorin Mile, shpërndarja e sinkronizuar në rrjetet sociale është tregues i një krize lidershipi, i cili synon të mbajë nën kontroll mënyrën se si publiku po i percepton zhvillimet.
“Kjo zakonisht ndodh kur pushteti kupton se zëri i liderit nuk po mjafton më. Tregon se protesta nuk po trajtohet më si episod lokal apo i përkohshëm. Në momentin që reagimi shpërndahet në profilet e deputetëve, ministrave dhe figurave të tjera politike, kriza ka hyrë në një fazë tjetër. Nuk kemi më vetëm menaxhim problemi, por menaxhim të perceptimit publik”, thotë Mile.
Profesori Klejd Këlliçi thotë se komunikimi i centralizuar nuk është një risi në Partinë Socialiste, por gati një metodë e përdorur, sidomos nga disa deputetë të njohur brenda partisë. Ajo çka është e re për të është përfshirja e disa figurave të tjera, të cilat kanë qëndruar larg kësaj retorike prej vitesh.
“PS ka pasur dhe ka ende një komunikim të centralizuar, i cili ose riprodhon qëndrimet e Ramës, ose i karikaturizon në ekstrem ato. Jo më kot PS ka zgjedhur të flasë përmes personazheve që duket sikur dalin nga skena e Portokallisë, e përdorin banalitetin, sulmin personal si pjesë të repertorit politik. Nëse më parë këtë lloj komunikimi e përdornin vetëm disa personazhe në PS, tashmë ai po riprodhohet edhe nga individë të heshtur, por që kanë pasur një profil publik goxha më profesional”, thotë ai.
Sipas tij, kjo nuk lidhet vetëm me strategjinë e komunikimit, por edhe me dinamikat e brendshme të pushtetit. Krizat politike, argumenton ai, shërbejnë edhe si prova për të dëshmuar besnikërinë.
“Shfaqja e ‘provave’ të komplotit ka qenë pika e kthesës që mobilizoi deputetët rreth Ramës, duke nuhatur një rrezik ekzistencial për partinë dhe për veten. Kjo lloj krize është edhe një mundësi, sepse, nëse tejkalohet, lideri identifikon edhe ‘armiqtë e brendshëm’.”
Këlliçi e lidh këtë mobilizim edhe me largimin e deputetes Koçeku nga Partia Socialiste. Sipas tij, ai moment krijoi perceptimin e një tradhtie të brendshme dhe përforcoi narrativën e komplotit, duke mobilizuar një pjesë të deputetëve të rinj në mbrojtje të lidershipit.
“Situata ndryshoi kur deputetja Koçeku u largua nga PS. Kjo ishte pika e parë e kthesës, kur u mobilizua segmenti i deputetëve të rinj, të cilët e ndjenë gati të natyrshme të etiketonin tradhtinë e Koçekut”, argumenton profesori.
Por, në këtë valë risish në arenën politike, në një situatë ende në zhvillim, bilanci i humbjeve dhe fitoreve ende nuk ka dalë në pah.
Por ekspertët shfaqen skeptikë se sa ky sinkronizim i ka shërbyer këtë herë Partisë Socialiste.
Sipas Lutfi Dervishit, sinkronizimi i mesazheve mund të krijojë përshtypjen e unitetit brenda elektoratit të Partisë Socialiste, por jo domosdoshmërisht të rrisë besueshmërinë e mesazhit te publiku më i gjerë.
“Sinkronizimi ka një efekt të dyfishtë. Për mbështetësit e partisë ai mund të japë përshtypjen e unitetit dhe vendosmërisë, por për publikun më të gjerë, sidomos për ata që janë të pavendosur, përsëritja e të njëjtit mesazh nga shumë zëra mund të krijojë perceptimin e një fushate të orkestruar”, argumenton ai.
Në të njëjtën linjë argumenton edhe Klementin Mile.
“Nëse komunikimi zë vendin e dialogut, ai rrallë arrin ta zgjidhë vetë krizën”, thotë pedagogu.
Ndonëse strategjia e komunikimit ka arritur të mobilizojë një pjesë të strukturave politike, mbetet e dyshimtë nëse ajo ka arritur të bindë publikun.
Sipas analizës së Klejd Këlliçit, sinkronizimi i reagimeve ka sjellë një efekt bumerang për Partinë Socialiste, duke i shkaktuar kosto politike afatgjata.
“Mesazhi qeveritar ka rënë. Tashmë është vetëm Rama dhe partia që po përballen me një krizë të pakthyeshme besimi. Nëse shihen profilet e deputetëve, mesazhet kritike, kërcënuese, tallëse dhe përçmuese dominojnë ndaj atyre mbështetëse. Sinkronizimi i reagimeve, aq më tepër kur përdorin gjuhë denigruese, akuza të pabaza apo narrativa komploti, po krijon një ndarje të thellë në publik, e cila, në afatin e shkurtër dhe të mesëm, do të jetë e vështirë të riparohet”, thekson ai.
Për më shumë se një muaj, qeveria është përpjekur të ruajë kontrollin mbi narrativën, duke kërkuar shpjegime te komplotet, ndikimet e jashtme, biografitë e protestuesve apo besnikëria e strukturave të saj politike. Ndërsa protestuesit kanë vijuar të rikthehen çdo mbrëmje, duke ngritur shqetësime që prekin çdo pjesë të jetës së përditshme.
Pjesëmarrja masive dhe konsistente e çdo mbrëmjeje në bulevard duket se përbën përgjigjen e qytetarëve ndaj narrativës së qeverisë, se ata nuk pranojnë t’i shohin zhvillimet me lentet e pushtetit. Pikërisht kjo, sipas ekspertëve, pritet të jetë sfida më e madhe e një qeverie që, për më shumë se një dekadë, ka dominuar jo vetëm politikën, por edhe mënyrën se si ajo “rrëfehet”./ Xhesika Tollia, Shteg.org














