Nga Boldnews.al
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash, është akuzuar gjithnjë publikisht se, gjatë 3 mandateve të tij si i zgjedhur vendor, krijoi një fasadë mashtruese, nëpërmjet “kasetave të gatshme”, të cilat publikohen në seri nga televizionet kryesore në vend, për turpin e tyre profesional.
Të dielën e kësaj jave, në reagimin e radhës kundër prokurorit të posaçëm, Ols Dado, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, bëri edhe një “lapsus frojdjan”.
Ai iu referua një prej argumentave të SPAK-ut se, ku thuhet se ka postuar në rrjetet sociale një aktivitet të balerinit Angjelin Perlocaj, i financuar nga Bashkia e Tiranës dhe i menaxhuar nga organizatat e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
“Rezulton se postimi as nuk është bërë nga unë vetë, por nga stafi i zyrës së shtypit. Tani që po e kuptoj sa “krim i rëndë” paska qenë, do të doja ta kisha bërë vetë, por ato ditë kam qenë në SHBA për një udhëtim pune”.
Veliaj e pranon edhe vetë, që ditën që ka takuar Prelocajn, njëkohësisht ka qenë edhe mijëra kilometra larg, në Shtetet e Bashkuara.

Pohimi i tij për propagandën e rreme, gjithësesi, nuk është as e re dhe as e habitshme. Por, duket se kjo “fasada e gënjeshtërt” që ka ndërtuar prej vitesh, i është bërë pjesë e thelbit të tij, si individ dhe si qënie publike e politike.
Që prej ditës së parë që ai ka ndryshuar banesën, nga “Kodra e Diellit” në qelitë e paraburgimit të Durrësit, në 10 Shkurt 2025, Veliaj ka postuar në mënyrë të përditshme në rrjete sociale mesazhe. Në qendër të tyre janë akuzat personale ndaj njëri prej prokurorëve të dosjes, Ols Dado.
Megjithatë, tek-tuk, Veliaj jep përgjigjet e tij edhe për disa prej elementëve akuzatorë të dosjes. Ai ka përzgjedhur, gjithësesi, elementë, të cilët nuk përbëjnë thelbin e akuzave ndaj tij.
“Boldnews.al” i ka analizuar pikërisht këto sqarime të Veliajt për elementët e dosjes hetimore, duke i krahasuar me gjetjet e Prokurorisë së Posaçme.
Rezultati është njëlloj si me fasadën e rremë të kasetave të gatshme. Veliaj vijon të japë informacione të pasakta, mashtruese, ose “gjysëm të vërteta”. Lideri i tij politik, Edi Rama, i konsideron “gjysmë të vërtetat” si mashtrimet më të mëdhaja.
Kronologjia e mashtrimit nga burgu
– 11 Shkurt- Veliaj shkruan: “Ai (prokurori i posaçëm, Ols Dado, shën red), ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysëm milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. …Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal”.
Prokuroria e Posaçme deklaron se ka administruar disa dyzina faturash zhdoganimi për blerje on-line nga Ajola Xoxa, nëna e saj, Valbona Xoxa, “Ava Studio” e kontrolluar nga kjo e fundit, si edhe Erald Simxhiu, familjar i bashkëshortes së Veliajt, të cilat arrijnë në një total shpenzimi në vlerën 86.721.175 lekë të reja, shumë e cila nuk justifikohet me burime të ligjshme financiare.
Blerjet janë kryer në dyqane të markave të njohura, kryesisht në Britaninë e Madhe. Vlera e tyre, gati 900 mijë euro, duket e pabesueshme për autoritetet hetimore se janë kryer për aktivitete artistike.
Nga ana tjetër, SPAK-u ka administruar deklarimin e Erald Simxhiut, i cili mohon të ketë kryer ndonjëherë blerje on-line. Ai pranon se i ka dhënë kopje të kartës së identitetit të tij shtetases Ajola Xoxa, por nuk e dinte se përse ishte përdorur.
15 Shkurt- Shkruan Veliaj: “…Po edhe sikur të jetë shtëpia jonë (në Qerret, shën.red)…pse duhet ta fshihja në deklarimin tim nëse do ta kisha. A mjaftojnë dot si provë fotot e lodrave të djalit tim apo fakti që ime shoqe thërret shoqet e veta te shtëpia në plazh e të ëmës për ditëlindjen e saj?”.
SPAK dyshon se Erion Veliaj ka fshehur pronësinë e një vile në kompleksin turistik “Marea” në bregdetin e Qerretit, në Kavajë, duke e vendosur në emrin e prindërve të bashkëshortes, Valbona Xoxa dhe Arben Xoxa (tashmë i ndjerë).
Veliaj e mohon këtë fakt. Megjithatë, ai, të paktën deri më tani, nuk ka dhënë shpjegime bindëse se përse emri i tij figuron në listën e pagesave për mirëmbajtjen e vilës (6 A) ose se përse emri i bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, figuron në fatura pagesash për arredimin e vilës, ndërtimin e një pishine para ndërtesës e të tjera të ngjashme.

Të gjithë këto dokumenta janë administruar gjatë hetimit të Prokurorisë së Posaçme.
16 Shkurt- Shkruan Veliaj: “Madje, Ols violina, insiston se Arben Xoxa s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij! Po mirë, po ky në foto kush është? Ndjesë pastë, aty është edhe Ganimet Vendresha, gjyshja e ndjerë, ish primabalerina e parë në TOB te shfaqja ‘Halili & Hajria’. Bashkë me ta, sopranoja e pianistja e njohur, duke drekuar”!
Mesazhi është shoqëruar me një foto, në të cilën dallohen personat e përmendur në postin e Veliajt.
Në dosjen e Prokurorisë citohet deklarimi i ish-shoferit të të ndjerit Arben Xoxa, i cili deklaron se në periudhën 2019-2020, ai nuk e ka shoqëruar asnjëherë shefin e tij drejt vilës së Qerretit dhe as nuk ia ka përmendur asnjëherë. Shoferi deklaron se ka shoqëruar në Qerret Ajola Xoxën ose ka dërguar e marrë porosi në vilë, për llogari të saj.
Këtij pretendimi, Veliaj i është kundërvënë, duke këmbëngulur se vila ishte e vjehrrit të tij, i cili në atë kohë ishte sëmurë dhe ishte në pamundësi të lëvizte drejt vilës së Qerretit.
Gjithësesi, krahas shoferit, edhe të tjerë personazhe, kryesisht të mirëmbajtjes së kompleksit turistik, kanë deklaruar në dosje se kanë parë shpesh Ajolën tek vila ose kanë komunikuar me të për çështjet e mirëmbajtjes.
18 Shkurt- Shkruan Veliaj: “Më paska kapur (prokurori) me shtëpi në dorë (në Qerret) nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023. Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS”.
Në dosjen e Prokurorisë janë analizuar logimet e telefonit të Veliaj në zonën e Qerretit. Nga njëra anë, është e vërtetë se ai është loguar në zonën e plazhit të Qerretit dhe në kompleksin “Marea” në periudhën Prill-Maj 2023, kur zhvillohej fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 Majit të atij viti.
Megjithatë, tabulatet telefonike të Veliajt kanë treguar se ai ka qenë në atë zonë, edhe në Korrik 2023, edhe në Gusht, edhe gjatë muajve të ndryshëm të vitit 2024, kryesisht gjatë fundjavave, por edhe në ditë të tjera.
Intensiteti i logimit të telefonit të Veliaj në Qerret, pra shpeshtësia e udhëtimeve të tij në atë zonë turistike, kanë bindur prokurorët se prania e tij në atë zonë nuk ka lidhje me aktivitetin politik, por me çlodhjen në atë që e konsiderojnë “vila e Erion Veliaj”.

19 Shkurt- Shkruan Veliaj: “…Udhëtimi i tretë që citohet në dosje, i datës 25-27.10.2021, lidhet me një vizitë në Kiev, me një linjë të ngjashme (Sky Up), e cila sillte turistë ukrainas në Tiranë, para Luftës, me të cilën kam fluturuar për një takim zyrtar me kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitschko”.
Për këtë rast, SPAK-u ka identifikuar se në të njëjtin udhëtim me Veliaj ka qenë edhe Elman Abulen, një mik i tij dhe biznesmen, i cili rezulton se ka blerë piktura dhe ka kryer sponsorizime tek organizata e menaxhuara nga Ajola Xoxa, “në këmbim të favoreve të marra nga Bashkia e Tiranës”, siç citohet në dosje.
Abule, i pyetur nga prokurorwt, ka deklaruar se ka qenw nw udhwtim nw Kiev, madje edhe ka qwndruar nw tw njwjtin hotel me Veliaj. Megjithatw, ai deklaron se ka udhwtuar nw Ukrainw “për qejf” dhe se “shpenzimet e tij i ka paguar vetë, ndërsa për Erion Veliajn nuk e di, se ai ka qenë në udhëtim zyrtar”.

Elman Abule dhe bashkëshortja e tij, Marisa Nito, rezultojnë se kanë kryer pagesa dhe sponsorizime për “Partner Law” dhe “Harabel” të Ajola Xoxes, si edhe për organizatat e lidhura me gruan e kryebashkiakut të Tiranës.
21 Shkurt- Shkruan Veliaj: “Zëvendësministër të bën Këshilli i Ministrave dhe jo Ministri, po Ols Angoni (prokurori Ols Dado) nuk ka si t’i dijë këto…Genta Sula është një kryezonjë, kryenënë, tani edhe kryegjyshe, e për më tepër, një kryeprofesioniste nga ato që moçalit tonë i provokojnë vrer e helm”.
Komenti i Veliajt i referohet disa të dhënave në dosje hetimore, nga të cilat përmendet fakti se Veliaj, kur ishte Ministër i Rinisë në mandatin e parë qeverisës së Edi Ramës, kishte zëvendëse Genta Sulën, bashkëshorten e biznesmenit Gentian Sula, pronari i disa kompanive, përfshirë edhe kompleksit turistik në Qerret.
SPAK e përmend këtë fakt në dosje, si një ndër detajet e shumta për të treguar afërsinë ndërmjet Veliajt dhe biznesmenit Sula.
Veliaj, krahas vlerësimeve që ka shprehur për Genta Sulën, nuk e përmend aspak në këtë status se me bashkëshortin e saj ka pasur miqësi shumë më të hershme dhe raporti ministër-zv.ministre mund të konsiderohet si raport favorizues për hir të marrëdhënieve ekstra-zyrtare me Gentian Sulën.
22 Shkurt- Shkruan Veliaj: “Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar si Shkëlqim Fusha, me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë! Ja argumentimi i Kafkës tim: ka marrë leje për një bashkëfshatar, shtëpi njëkatëshe në Yrshek; ka marrë mbrapsht garancinë e punimeve në Sheshin Skënderbej; ka marrë pagesë për një nga 7 lotet e pastrimit, kur pastrimin e bënin privatët në Bashkinë e Tiranës. Kuptuat gjë? Me siguri jo…”.
Përtej faktit që biznesmeni Fusha konsiderohet si “sipërmarrës i nderuar” nga Veliaj, në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme renditen tenderat e fuqishëm, kryesisht pa garë, që ka marrë “Fusha” shpk me firmën e kryebashkiakut të Tiranës.
Gjithashtu, në dosjen hetimore citohen edhe rastet e sponsorizimeve që ka kryer “Fusha” për organizatat e lidhura me Ajola Xoxën.

Në dosjen hetimore nuk përmenden, por gjithësesi duhet kujtuar se, për llogari të “Fushës”, Veliaj shkatërroi Teatrin Kombëtar në mes të natës, duke u gdhirë 17 Maji 2020.
Fusha dhe Veliaj lidhen edhe në dy hetime të mëparshme, një për pagesa hoteli në Barcelonë dhe një tjetër për tender pishash, të cilat u mbyllën të dyja në mënyrë të dyshimtë nga Prokuroria e Tiranës në vitet 2018-2019.
23 Shkurt– Shkruan Veliaj: “Në dosjen hetimore thuhet se janë deklaruar si të ardhura edhe dietat për t’u shpenzuar jashtë shtetit në takimet zyrtare, si dhe biletat e udhëtimit për jashtë shtetit, të cilat duhet të blihen nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë nëpërmjet procedurës së prokurimit publik. Ndodhur në keto kushte, lind pyetja kush ja ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat…. Çfarë tmerri të merresh në vitin 2025 me lodrat e një truri si të Sigurimit të Shtetit në vitin 1975!”
Veliaj ka shkurtuar konkluzionin e Prokurorisë së Posaçme për pasurinë e tij, të cilin e ka nxjerrë pas analizimit të të gjitha deklaratave të pasurisë ndër vite.
Në dosje hetimore citohet: “Nga analiza e deklaratave të pasurisë të shtetasve Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, rezulton se nuk është deklaruar asnjë shpenzim për arredim/mobilim edhe pse disponojnë zyra e apartamente të deklaruara”.

Në vijim, në lidhje me deklarimin e dietave si të ardhura, të cilën e citon edhe Veliaj në statusin e tij, Prokuroria e Posaçme vijon sqarimin logjik: “Kush ia ka mbulur shpenzime subjektit Veliaj, përderisa ka kursyer dietat dhe përse duhet të kalojnë në llogarinë e tij bankare shpenzimet e biletave, të cilat, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi, duhet të sigurohen nga institucioni, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik…”.
24 Shkurt- Shkruan Veliaj: “Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!”.
Statusi në rrjete sociale shoqërohet me një fletë, që pretendohet si proces-verbal i seancës për vlerësimin e masës së sigurisë për Veliaj në 12 Shkurt. Sipas kësaj letre, prokurori Ols Dado i është drejtuar Veliajt me fjalën “ndyrësirë”.
Reagimet zyrtare të Gjykatës së Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme, referuar proces-verbalit dhe regjistrimit audio të seancës, treguan se prokurori nuk kishte përdorur fjalorin fyes ndaj Veliajt. Pra, pretendimi i kryebashkiakut të arrestuar doli fiasko.
25 Shkurt- Shkruan Veliaj: “…Meriman Palushi paska marrë leje për shtëpi dykatëshe në katund. Online. Dhe qenka nën akuzë! “Ka ndihmuar aktivitete në Tiranë!”. Unë s’e njoh, ndërsa ai në më njeh, më njeh vetëm nga televizori….”.
Meriman Palushi është një biznesmen, i vendosur nën masën e detyrimit për paraqitje, i dyshuar nga Prokuroria e Posaçme se ka kryer korrupsion aktiv me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në fakt, Meriman Palushi dhe kompania e tij “Palushi” shpk, rezulton që të ketë marrë më shumë leje ndërtimit se sa ajo “godina 2-katëshe” që deklaron Veliaj në statusin e tij.

Sipas informacionit të administruar nga SPAK, “Palushi” shpk ka përfituar të paktën dy leje të tjera ndërtimi me firmën e Veliaj, për godina 8-katëshe dhe 10-katëshe.
“Palushi” shpk rezulton që të ketë rreth 50 mijë euro sponsorizime për organizatat e lidhura me Ajola Xoxën, gjatë vitit 2023.
28 Shkurt- Shkruan Veliaj: “…Në Roterdam kam shkuar me ftesë dhe shpenzime të mbuluara (shih foton e dokumentit origjinal të kohës në foto-album) nga OMA – Office of Metropolitan Architecture – shtëpia më e madhe e Arkitekturës… Gruaja ime NUK ka qenë në atë udhëtim, jam shoqëruar nga drejtori i Urbanistikës në atë kohë; pra, ishte udhëtim pune, jo qejfi”.
Në këtë status, Veliaj i referohet gjetjeve të SPAK-ut, në bazë të të cilave ai ka udhëtuar në Roterdam të Hollandës me shpenzimet e biznesmenit të ndërtimit, Fatmir Bektashi, pronar i kompanisë “Kontakt” shpk. Sipas dosjes hetimore, pas këtij udhëtimi, Veliaj i dha lejen Bektashit për ndërtimin e kompleksit të banimit “Mangalem 21”, në zonën e “Ali Demit”.
Biznesmeni Fatmir Bektashi, në deklarimet e tij para prokurorëve, ka deklaruar se “udhëtimi në Roterdam është bërë përpara se të bëhej projekti Mangalem 21 dhe të dilte leja e ndërtimit të tij,” argumenton SPAK.
Sipas Bektashit, “arsyeja e udhëtimit lidhet me një takim me kompaninë arkitekturore, OMA në Roterdam dhe kompania Kontakt i kishte kërkuar Erion Veliajt që të ishte në takim me qëllim që të njihej me projektin dhe ta miratonte atë”.
Gjykata, në vendimin e masës për kryebashkiakun e Tiranës, rikthen në vëmendje se, për një situatë tërësisht të ngjashme, ish-Gjykata për Krime të Rënda ka shpallur fajtor tre gjyqtarët, në çështjen që njihet si “El Classico”.