Partia Socialiste ka rrëzuar me 72 vota kundër dy amendamentet e propozuara nga lideri demokrat Sali Berisha.
Amendamenti i parë ishte vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo qytetar, por arriti të merrte vetëm 36 vota të opozitës, kundrejt 72 kundër të mazhorancës. Rrëzimi i amendamentit u paralajmëruar gjithashtu edhe nga kreu i komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.
Amendamenti i dytë i rrëzuar nga shumica, kishte të bënte me pezullim të shpenzimeve të luksit të qeverisë deri në rritjen reale të pensioneve.
- Amendamentet e propozuara nga Berisha:
1. Pezullimim e të gjitha prokurimet për investime publike luksi të qeverisjes qëndrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë.
2. Ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qëndrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve.
Sot, Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë për votim nen për nen projekt-buxhetin e vitit 2025, i cili parashikon mbledhjen e 7.5 miliardë eurove në arkën e shtetit. Në këtë seancë, pas 11 muajsh izolim do të rikthehet në Kuvend edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili u lirua nga “arresti shtëpiak”.
Kreu i PD-së Sali Berisha është rikthyer në Kuvend për herë të parë pas thuajse një viti. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Berisha tha se ai futet në Parlament, ndërsa ‘metamorfoza’ del.
“Berisha futet metamorfoza del. Kaq e morët përgjigjen”, tha Sali Berisha shkurtimisht para se të hynte në seancë plenare.
Më pas iu drejtua seancës plenare ku do të miratohet buxheti 2025 nen për nen.
- Berisha kërkon një minutë heshtje në nder të Sami Repishti
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka nisur fjalën e tij në Kuvend, duke folur për Sami Repishtin, aktivistin amerikano-shqiptar që u nda nga jeta disa ditë më parë.
Berisha shprehur se Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptar në diasporën dhe emigracionin tonë.
Berisha: “Këto ditë më parë është ndarë nga jeta një kollos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti.
Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptar në diasporën dhe emigracionin tonë. Fjala dhe penda e tij nuk reshti kurrë së mbrojturi çështjet kombëtare dhe interesit kombëtar. Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit të vërtetë shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës. Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë. Për të gjitha këto unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje”.
- Berisha pas rikthimit në Kuvend: E shoh çehren që ju ka rënë!
Pas 11 muajsh në arrest shtëpie, ish-kryeministri Sali Berisha u rikthye në Kuvend.
Nga Foltorja e Kuvendit, Berisha akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se tentoi që ta eliminonte opozitën duke burgosur Berishën pa asnjë provë në dhjetor të vitit të kaluar.
Por sipas Berishës, Rama i kishte bërë llogaritë gabim. Kreu i PD tha se rikthehet në Parlament për të udhëhequr opozitën drejt fitores.
“Mbaje me shpirt në dhemb unë erdha ju e dini vetë. E shoh çehren që ju ka rënë por ia bërë vetes dhe ju qofshi. 11 muaj më parë më datë 21 dhjetor të vitit të kaluar Edi Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën ëndrrën e Shqipërisë pa opozitë, me një vendim që zgjati 5 minuta me pasion dhe histeri të madhe. Gjysma prej jush atë ditë tentuan të varrosin demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Votuat duke mohuar të drejtën e fjalësFjala ime tmerronte narko-diktatorin dhe shumë prej jush. Në dhjetor të ’46 Enver Hoxha vendosi të eliminojë opozitën e Shqipërisë. Edi Rama për të nderuar figurën e tij zgjodhi dhjetorin për të arrestuar Sali Berishën pa asnjë provë. Por i bëtë llogaritë gabim, sepse nuk ishte vitit ’46. Por sot ja ku jam. Vij këtu me mesazhin e fitores, vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores”, tha Berisha.
- Noka-socialistëve: Ju jeni të pashpirt
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti demokrat Flamur Noka, kërkoi përmes një amendamenti të vendoset minimumi jetik 200 euro.
Sipas tij, ky do të ishte një mekanizëm i rëndësishëm ndihme për familjet në vështirësi ekonomike.
“Ju nuk po ndërtoni një shtet social, por një shtet shpirtzi. Ndaj ne e kemi përcaktuar, Minimumi jetik do të jetë 200 euro, nuk do të ketë asnjë familje që të jetë nën 200 euro, për të treguar si duhet të trajtohen shtresat në nevojë nga një qeveri dhe një pushtet. Ju jeni të pashpirt, prandaj nuk e keni në konsideratë këtë shtresë”, tha Noka.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, u shpreh se propozimi nuk është aspak serioz dhe se i ka kaluar koha me vakt.
- Noka replikon me Shalsin: I ke mbjellë tre herë flokët, por s’të mbijnë se e ke asfalt kokën
Flamur Noka iu kundërpërgjigj deklaratave të deputetit socialist Eduar Shalsi, i cili replikoi me kreun e PD-së Sali Berisha.
Noka tha se vendosja e minimumit jetik, amendament i propozuar nga Sali Berisha dhe i rrëzuar me 72 vota nga mazhoranca ditën e sotme, është norëm ligjore.
Me nota humori, Noka tha se Shalsi i ka mbjellë 3 herë flokët por nuk i mbijnë pasi e ka kokën asfalt.
Noka: “I kërkova doktorit të bënte replikë, nuk bëhet replikë me atë tha se është i vetmi që i ka mbjellë flokët dhe e ka asfalt kokën, prandaj nuk i mbijnë as flokët, nuk ka mend ky njeri. Asfalt kokën. Je i vetmi që tre herë i ke mbjellë flokët dhe nuk të mbijnë se e ke kokën rrafsh. Në vlerësimin tonë si PD, minimumi jetik megjithëse i përcaktuar si terminologji në legjislacionin tonë është i padefinuar. Jemi i vetmi vend që nuk e përcaktojmë minimumin jetik. Ju aq shumë i doni të varfrit, sa i shtoni ata. Minimumi jetik, normë ligjore. Vjen si aplikim në çdo vend të botës i një metodologjie. Diskriminon shtresat e varfra që ‘sulltan Surreli’ thotë se do i ketë në konsideratë. Sipas bankës botërore, kufiri minimal i varfërisë është 6.7 dollarë. Shqipëria e ka 0.6 dollarë. A e kuptoni çfarë diskriminimi i bëhet kësaj shtrese?”
Çfarë tha Eduard Shalsi në Kuvend?
Shalsi: “Sali Berisha i kishte të gjitha mundësitë që pas disfatës lapidare të 2013 të tërhiqej nga jeta politike dhe t’i hapte rrugën dikujt prej jush që në fakt e bëri për Lulin por siç e bëri ashtu dhe e zhbëri. Unë e di shumë mirë se çfarë mendon për Sali Berishën pjesa më e madhe juaja. Ky i ashtuquajti rikthim është konfirmim i dështimit të tij politik. E humbe shansin Sali. Ju jeni mjaftueshmërisht të zgjuar se koha e Saliut ka perënduar njëherë e mirë. I kishte Saliu në dorë edhe minimumin jetik, edhe kompensimin e të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Ti Sali vazhdon mban peng një grup parlamentar dhe një popull opozitar që ka një nevojë ulëritëse për t’u përfaqësuar”
- Bardhi-socialistëve: S’ju intereson varfëria pensionistëve, por luksi juaj personal
Kreu i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj mazhorancës socialiste për të cilët tha se për 12 vite në qeverisje kanë braktisur pensionistët.
Teksa diskutonte në Kuvend për projektbuxhetin 2025, Bardhi u shpreh se maxhoranca nuk ka parashikuar rritje të pensioneve sepse e konsiderojnë, sipas tij, lëmoshë.
“Ju e quani lëmoshë, sepse ju paratë e qytetarëve që shkojnë për të ndihmuar qytetarët janë lëmoshë. Sepse paratë e qytetarëve sipas filozofisë suaj duhet të shkojnë në xhepat tuaja. Ngrihuni dhe na thoni sa e keni parashikuar bonusin për pensionistët në buxhetin 2025? Pas kalimit të zgjedhjeve parlamentare? Zero.
Përdorni pensionistët për vota, që katër vitet e ardhshme, me votën e tyre të vidhnit ju. Ndaj për ju është e pakuptueshme vendosja e minimumit jetik. Nëse nuk ju pëlqen propozimi ynë, sillni ju propozim dhe e votojmë. Minimumi jetik duhet të jetë 200 euro. Jetojnë në ekstrem varfëri, nuk ju intereson varfëria e tyre, por luksi juaj personal, mjafton të shikoni si jeni transformuar një pjesë e juaj nga koka tek këmbët. I thoni do shohim sa lekë ngelim nga ata që vjedhim ne, dhe në fund të shohim nëse ka ndonjë lekë për të rritur pensionet. Nuk mund të talleni kështu me shqiptarët.
Në vitin e ardhshëm nuk parashikon bonus si këtë vit, Rrini sot me kokën ulur, sepse nuk ju lë Rama të mbani premtimet për pensionistët, sepse e dini që nuk ka lekë sepse i kanë vjedhur këta”, tha Bardhi.
- Berisha: Qeveria është kthyer në një grup bixhozxhinjsh
Duke folur për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, qeveria është kthyer në një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë për pensionet.
“Këta janë njerëz që nuk dëgjojnë as zërin e Zotit, as të xhamisë, as të kishës, as të teqesë, të njeriut. Janë verbuar nga luksi. Këta janë një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë për pensionet. Unë shkoj aty në platformë, mezi qëndroj nga aromat, nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme. Aty bëhet një paradë luksi, bizhush, parfumesh sikur je në një sallon mode dhe jo në një parlament përfaqësues të qytetarëve.
Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur blen stolinë e oborrit 4 milionë euro. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur shpenzon 21 milionë euro udhëtime me Ismailin e famshëm. Nuk mund t’ia dinë ministret që ulen në tavolinë me biftekun 1 mijë euro. Nuk mund t’ia dinë qeveritarët që shpenzojnë për qerpikë artificialë 150 mijë euro në javë. Luksi i tepruar është haram në të gjitha besimet” tha Berisha gjatë fjalës me gazetarët jashtë Kuvendit.
- Berisha gjatë largimit nga Kuvendi paralajmëron: Pronat e ushtrisë e vendosën Begajn President!
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka paralajmëruar se ndërtimet në pronat e ushtrisë do të prishen.
Berisha theksoi se pronat e ushtrisë nuk mund të jepen kurrë për ndërtime, duke theksuar se “do të anulohen të gjitha, pa asnjë diskutim”.
Kreu i PD-së u shpreh se janë pikërisht këto prona që e vendosën Bajram Begajn President të Republikës së Shqipërisë.
Sali Berisha: “Anulim i të gjithave, pa asnjë diskutim dhe i rikthim i ushtrisë. Le të fillojë ndërtimet, ato prishen pa asnjë lloj vështirësie. Janë prona të ushtrisë në planin e përhapjes dhe nuk mund të jepen kurrë. Për të justifikuar veten tha se do të jepen për turizëm. Por kush e bëri Bajramin president? Ato prona e bënë? Sepse firmosi pa pyetur presidentin, që nuk mund të firmosej kurrë. Presidenti në Kushtetutë është kryekomnandati i ushtrisë dhe çdo objekt që ndodhet në planin e përhapjes së FA, Saranda ka qenë, Shëngjini ka qenë, jo në të gjithë madhësinë, Durrësi ka qenë, ky do që të gjitha ti marrë dhe të ndërtojë, Është vetë aksioner”