Teksa çdo ditë i plasin skandale me fakte dhe prova që inkriminojnë Qeverinë, kryeministri Edi Rama vazhdon sërish “t’i bjerë fyellit në të njëjtën vrimë” edhe pas 11 vitesh në pushtet ku fajin për të e ka Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Ai ka mbledhur ministrat dhe deputetët në një mbledhje vetëm për mbajtur një monolog duke iu treguar se sa mirë ka qeverisur në këto 11 vjet. Për kreun e qeverisë, fajin e ka Berisha me Metën që po bëjnë një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun, sipas tij, me shpifje dhe akuza të rreme.
Rama i ka ironizuar Berishën dhe Metën mefjalët “klithin ditë e natë apo bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve”. Rama fjalimin e tij ka fokusuar tek sundimi i ligjit, por siç duket ka harruar se në çdo raport, vendi ynë, del si një ndër më të korruptuarit në Europë.
Rama akoma pas 11 vitesh në pushtet vazhdon me fjalimet se si kemi qenë për më shumë se një dekadë më parë, ndërkohë që për 11 vite e ka patur ai pushtetin në dorë.
“Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar. Dëshiroj edhe vëmendjen e atyre që na kanë votuar qysh prej 2013 kur morëm detyrën të Rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave që klithin ditë e natë apo bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve të cilët na kanë votuar besuar dhe mbështetur në gjithë këto vite. Unë nuk do të ndalem as te gjysmë të vërtetat, as tek shpifjet apo akuzat e rreme. Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërteta që lidhen me mirëqeverisjen korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri 10 vite qysh se ne jemi në detyrë.
Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë Shqipëria ishte në pikën më të ulët pas ’97. Rendi ishte përtokë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambyllas me shtetin. Vjedhjet ishin kudo. Kërkesa e parë e qytetarëve ishte siguri, siguri, siguro. Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo kontakt të qytetarit me shtetin. Qytetarët jepnin ryshfet edhe duke nxjerrë para edhe për një certifikatë.
Punësimet në çdo institucione komisariat e ambulancë bëheshin me urdhër partie me ndërhyrje deputeti e me lekë. Për ata që nuk kishin parti apo lidhje me ndonjë Bajraktar, vetëm me lekë. Më i dobëti gjithmonë digjej, prokurorët dhe gjykatësit jetonin në rrethimin e llumit të ryshfeteve. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin dhe merrnin favore të paligjshme. Protestat kishin mbetur vetëm punë e PS. Protestuesit e vrarë nga dyert e shtetit trajtoheshin si kriminelë që kishin marrë thjesht atë qe meritonin kurse për drejtësinë vrasjet e ishin gabime teknike. Lajmet për Shqipërinë ishin sa të rralla dhe te zeza nëpër botë, madje kur flitej thuhej sesa shumë plehra kishte. Shqiptarët nëpër botë nuk guxonin të përmendim emrin e Shqipërisë. Pandëshkueshmëria ishte në sytë e ndërkombëtarëve për Shqipërinë. Për ata që 10 vite më parë ishin fëmijë, kjo tablo mund të duket si pjellë e imagjinatës time por çdo familje shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë. Sot pasqyra është krejt tjetër.
Kjo forcë qeverisëse, PS është prej një dekade në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real dhe të respektuar botërisht, ku mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit të arrij në nivelin e një vendi të BE. Askush më parë, asnjë forcë me peshë që prej shkëputjes së Shqipërisë nga perandoria otomane nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik. Askush dhe asnjë. Asnjëherë, askush që ka qenë pjesë përbërëse e pushtetit nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh sot. Krenarinë për ardhjen e kësaj dite, vetëm falë luftës vendimtare për Shqipërinë që ne kemi hapur, nuk na e mohon dhe nuk na e merr dot askush. Pa forcën udhëheqëse, guximin dhe vendosmërinë e PS në 10 vite sot nuk do kishte rilindur besimi i shqiptarëve të drejtësia. Nuk do e shihnim, rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë, monumentin të kulturës së pandëshkueshmërisë.
Kur i solla më parë tablonë e frikshme të 2023 nuk desha as të them as të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin. Jemi future dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë reale të stërngatërruar dhe të stërmundueshme me korrupsionin. Pikërisht se e kemi të vërtetë, ne nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë SPAK dhe GJKKO, por edhe ja kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe akuzave të grykës së zjarrit.
Sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik. Ne i kemi hapur rrugë dhe furnizimit me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur një kushtetutë dhe hapësirë ligjore të qepur për këtë luftë, por edhe një buxhet pagash që si askund të Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve. Drejtuesit e organeve të drejtësisë kanë pagat më të larta në hierarkinë e shtetit. Janë individët më të paguar në gjithë piramidën e shtetit tonë, që përbën një anomali absolute. Por e kemi krijuar më vetëdije të plotë. As korrupsioni në Shqipëri nuk është mundur si fenomen shqetësues dhe as forca jonë qeverisëse se ka fituar imunitetin nga korrupsioni. Ka shumë akoma për të pastruar dhe vetë brenda PS-së mbetet shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.” – tha Rama.