VIDEO/ Deputeti shqiptar citon vargjet e himnit kombëtar në Kuvendin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simboleve kombëtar shqiptare në Serbi, ndërsa në fund të fjalës së tij, ka cituar vargje nga himni i Shqipërisë.

Shefi i Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” kërkoi që Serbia të lejojë përdorimin e simboleve kombëtare të Shqiptarëve, pasi vetëm në këtë formë arrihet deri te inkuadrimi në Unionin Evropian.

Kamberi në fund të fjalës së tij kujtoi se “angazhimin tonë të pandalshëm për identitetet dhe simbolet na obligojnë edhe rreshtat e himnit tonë”, duke cituar disa vargje nga himni kombëtar shqiptar.

Në fjalën e tij, Kamberi tha:

Unë këtu mund vetëm të përmend vandalizmin ndaj flamurit shtetëror shqiptar, por detyra ime qenësore në këtë Kuvend është të pyes pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës, rrespektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre.

Të gjithë ne, besoj, që synojmë anëtarësimin në Unioni evropian. Pikërisht ajo Evropë të cilën po e synojmë është e njohur për “aftësitë e integrimit e jo të shkatërrimit ose eliminimit të diversitetit”.

LEXO EDHE  "E nxora nga dritarja e autobusit, më vdiq në prehër"/ Dëshmi rrëqethëse

Si vend i cili pretendon të jetë pjesë e BE-së, (edhe pse sot me të drejtë mund të shtrohet pyetja nëse Republika e Sërbisë me të vërtetë dëshiron anëtarësimin), ky shtet duhet të eliminojë ligjet e veta diskriminuese.

Njerzit janë shpirtërisht të lidhur me simbolet e tyre identitare. Njerzit shpeshherë, përgjatë historisë, edhe kanë vdekur për ato simbole. Prandaj, pa marrë parasysh ligjet aktuale, situatën negative politike, e cila mohon simbolet tona, unë mund të them që ne nuk do të heqim dorë nga simbolet tona identitare.

Ne, me durim do të angazhohemi dhe do të presim kur e drejta jonë identitare mbi përdorimin e lirë, publik dhe zyrtarë do të realizohet. Besojmë në një zgjidhje të këtillë sepse kjo çështje në vendet e rajonit është kryer që moti në dialog me pakicat. Deri atëherë ne as nuk do të dorëzohemi as nuk do të nënshtrohemi.

Në fund të fundit angazhimin tonë të pandalshëm për identitetet dhe simbolet na obligojnë edhe rreshtat e himnit tonë kombëtar:

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
Faleminderit.