Konflikt interesi dhe mungesë burimesh për gjyqtaren Adelina Zarka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi pas disa shtyrjesh të lexonte raportin e hetimit administrativ ndaj gjyqtares së Fierit, Adelina Zarka, e cila mungoi në seancë. KPK tha se kishte konstatuar dy raste konflikti interesi dhe mungesë burimesh për ndërtimin e një shtëpie.

Dy raste të dyshuara si konflikt interesi dhe mungesa e 5.7 milionë lekëve për ndërtimin e një shtëpie në Fier u dukën si probleme kryesore të konstatuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në çështjen ndaj gjyqtares Adelina Zarka.

Trupa e kryesuar nga Xhensila Pine me anëtar Olsi Komici dhe relatore Valbona Sanxhaktari bëri me dije se Zarka, e cila mungoi në seancë, kishte sjellë disa raporte shëndetësore dhe kishte shtyrë disa herë seancën dëgjimore. Komisioni vuri në dukje se gjyqtarja kishte përcjellë sërish një raport për KPK-në në fillim të shtatorit dhe një të dytë në datën 3 shtator.

Sanxhaktari tha KPK kishte kërkuar që gjyqtarja të caktonte një përfaqësues në rast se nuk kishte mundësi fizike, pasi procesi është me kohë të kufizuar dhe nuk mund të zgjatej pafundësisht. Nga ana tjetër, Komisioni tha se kishte administruar përgjigjet me shkrim të Zarkës, ndërsa u vendos që gjyqtares t’i jepeshin edhe disa ditë kohë për të bërë mbrojtjen publike.

Adelina Zarka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998. Ajo punon prej gati dy dekadash si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Ndërtimi i shtëpisë

Pasi lexoi qëndrimin e Komisionit mbi shtyrjet e seancave për shkak të shëndetit të gjyqtares Adelina Zarka, Sanxhaktari bëri me dije se procesi do të vazhdonte në mungesë të saj. Sipas relatores, çështja ndaj Zarkës ishte mbyllur vetëm në një kriter, atë të pasurisë.

Sanxhaktari vuri në dukje se Zarkës i ishte gjetur pamundësi financiare prej rreth 5.7 milionë lekësh, bazuar në kostot e Entit Kombëtar të Banesave, për ndërtimin e një shtëpie në fillim të viteve 2000 nga bashkëshorti dhe vëllai i tij me ½ pjesë secili.

Relatorja tha se shtëpia ishte deklaruar si e ndërtuar me një shumë prej 10 milionë lekësh, por sipas kostove të EKB kushtonte 17 milionë. Ajo vuri në dukje se në të dy rastet, Zarka dhe i shoqi rezultonin me mungesë burimesh deri në vitin 2003. KPK vuri në dukje se kishte llogaritur në dy mënyra të ardhurat e Zarkës dhe familjes. Një që përfshinte periudhën nga viti 1990 deri në vitin 2003 dhe një tjetër nga viti 2000 deri në vitin 2003. Komisioni tha se në të dy rastet bilanci rezultonte negativ.

Sipas relatimit, Zarka kishte deklaruar si të ardhura për ndërtimin e shtëpisë shitjen e një apartamenti. Sipas KPK-së, apartamenti bazuar në kontrata noteriale ishte shitur për 600 mijë lekë, ndërsa Zarka pretendonte se kishte marrë prej tij më shumë se 4 milionë lekë. Komisioni tha se megjithëse kishte një gjurmë të derdhjeve bankare nga bashkëshorti në këtë periudhë, burimi i tyre nuk u provua dhe për to nuk rezultoi të ishte paguar tatim.

LEXO EDHE  Tjetër aksident/ Makina del nga rruga, plagosen dy persona

Relatorja po ashtu tha se nuk kishte konsideruar mbi 2 milionë lekë që Zarka kishte deklaruar si borxhe të marra për shtëpinë. Komisioni vuri në dukje se këto u deklaruan vetëm në fazën e fundit të hetimit dhe dukej se po përdoreshin për të plotësuar mungesën financiare.

KPK vuri në dukje edhe probleme të tjera të pasurisë kryesisht mbi të ardhurat e vjehrrit nga një bar-bilardo dhe mungesa të ngjashme, por theksoi se pas vitit 2004 familja kishte pasur likuiditete dhe nuk rezultonin balanca negative.

Konfliktet e interesit

Gjyqtarja Zarka ishte gjetur gjithashtu në dy raste të dyshuara të konfliktit të interesit. Sipas Sanxhaktarit, një pjesë e shtëpisë në Fier ishte dhënë me qira për kompaninë “Bankers Petroleum” për një shumë rreth 3000 euro në muaj. Të ardhurat nga qiraja u konsideruan të justifikuara, por Komisioni vuri në dukje se Zarka kishte shqyrtuar çështje me palë kompaninë e nxjerrjes së naftës.

KPK tha se Zarkës i kishte kaluar barra e provës, pasi ajo kishte qenë në dijeni të kontratës së qirasë të cilën e kishte deklaruar dhe megjithatë nuk ishte tërhequr nga çështja me palë “Bankers Petroleum”. KPK nuk dha detaje të çështjes dhe as se si ajo ishte zgjidhur.

Njësoj, Zarka u cilësua me konflikt interesi në një vendim procedural të regjistrimit si person fizik të vjehrrit në lidhje me biznesin “Bar-bilardo”. Sanxhaktari tha se edhe pse ishte në të njëjtën certifikatë familjare, Zarka kishte proceduar vetë si gjyqtare me regjistrimin e vjehrrit si person fizik dhe tha se kjo ishte cilësuar po ashtu si konflikt i mundshëm i interesit.

KPK tha se Zarka nuk ishte hetuar në kriteret e tjera, por nga kontrolli i udhëtimeve të bashkëshortit u gjet se ai kishte udhëtuar me një person të dënuar më herët. Sanxhaktari tha se Zarka kishte pranuar se bëhej fjalë për një mik të bashkëshortit dhe se duhej ta kishte deklaruar këtë si kontakt të papërshtatshëm.

Në fund, kryesuesja e trupës Xhensila Pine tha se KPK kishte vendosur t’i jepte Zarkës një javë kohë shtesë që të paraqiste mbrojtjen e saj. Seanca dëgjimore e radhës u caktua në 14 shtator. /BIRN/