Rrëfehet Duka: Panucci rezultoi një zhgënjim, vazhdon ende të kërkojë bonuse

Gjatë intervistës së tij për emisionin “Ora Sport” në RTV Ora, presidenti i FSHF Armand Duka foli edhe mbi marrëdhëniet e tij me trajnerë dhe kapitenë të Kombëtares.

Duka zgjodhi italianin Christian Panucci si trajnerin më zhgënjyes, ndërsa rrëfeu se premio më e madhe që ka marrë kombëtarja ka qenë pjesëmarrja në Europianin “France 2016”.

Pjesë nga intervista:

Trajneri më zhgënjyes për ju? 

Armand Duka: Në fakt, më zhgënjyesi për mua ka qenë Christian Panucci. Ai vazhdon të kërkojë bonuse për fitoret e ekipit Kombëtar pasi ai është larguar nga ekipi, gjë që ne nuk e gjykojmë të drejtë dhe jemi në gjyq.

Trajneri më strikt e që kishtë një disiplinë të hekurt në raport me skuadrën?

Armand Duka: Korrekt kanë qenë të gjithë, të disiplinuar, por i besojnë asaj që thonë dhe kontrollojnë diçka më pak në përgjithësi. Ai që ka qenë më strikti e që ndiqte parimin beso-kontrollo, ka qenë Dossena.

Trajneri me të cilin ju jeni mik i mirë?

LEXO EDHE  Hazard drejt largimit nga Real Madrid

Armand Duka: Kam marrëdhënie të mira me të gjithë ata që kanë qenë trajnerë në Shqipëri. Fatkeqësisht dy prej tyre janë ndarë nga jeta, së fundmi Otto Baric, familjen e të cilit gjej rastin ta ngushëllloj publikisht. Një super-trajner dhe një super-njeri, një profesor i vërtetë. Me të gjithë kam ruajtur kontaktet, madje edhe me Brigelin, i cili ka punuar për ne rreth 18 vjet më parë.

Një ndër detyrat e kapitenëve është edhe diskutimi i premiove. A ke pasur ndonjë që ka qenë më rebeli në këtë drejtim?

Armand Duka: Asnjëri, të gjithë kanë qenë shumë të mirë. Në të gjithë ekipet e tjera mbase flasin që përpara ndeshjeve për premiot, ndërsa djemtë tanë kurrë nuk na pyesin a do të ketë premio apo jo. Pas ndeshjes padyshim që të gjithë gëzojnë, por gjithmonë në kufijtë e të bukurës.

A mund ta zbulojmë premion më të madhe që është marrë ndonjëherë në Kombëtare?

Armand Duka: Padyshim që ka qenë për pjesëmarrjen në Europian.