Si do të jetë e ardhmja për Aleksei Navalnin?

Kanë kaluar dy muaj që kur lideri i opozitës ruse Aleksei Navalni u sëmur nga një sulm helmues gati vdekjeprurës ndërsa po bënte fushatë në Siberi. Aktualisht duke marrë veten në Gjermani pas incidentit, Navalni thotë se ka ndërmend të kthehet në Rusi, ku roli i tij në politikë është sa i mirënjohur, aq edhe i pasigurt.

Aleksei Navalni është përsëri përpara kamerave… pasi u përball me vdekjen dhe mbijetoi. “Nuk ndjen dhimbje, jeta thjesht shkon drejt fundit. Nuk ishte aspak e dhimbshme, por ndjesia torturuese është kur mendon ‘Do të vdes.’ ”

Përpjekja për t’i marrë jetën, është e fundit në karrierën e tij që filloi nga politika e ashpër dhe e rrezikshme në rrugët e Rusisë, për t’u bërë më pas zëri drejtues në kundërshtimin ndaj Presidentit Vladimir Putin.

“Do të thoja se ai është i vetmi politikan i vërtetë në arenën politike të Rusisë që përpiqet të luftojë për pushtet“, thotë analisti Andrei Kolesnikov.

Navalni fitoi famë fillimisht një dekadë më parë… si një bloger politik që protestoi fuqishëm kundër korrupsionit shtetëror dhe shpërdorimeve.

Një fushatë që do ta etiketonte partinë në pushtet të presidentit Putin, Rusia e Bashkuar si ‘Partia e hileqarëve dhe hajdutëve’ i siguroi Navalnit një numër në rritje të mbështetësve qysh në fillim, megjithëse disa ide të tij nacionaliste nervozuan figurat më liberale të opozitës.

Por një ofertë në vitin 2013 për vendin e kryetarit të bashkisë së Moskës tregoi se Navalni kishte aftësi të vërteta politike. Dalja e fortë në vend të dytë dhe mbështetja e votuesve të rinj rusë në veçanti, ra në sy të Kremlinit.

Dënimi penal nën akuza për korrupsion, nuk ishte i rëndë, por efektivisht e ndaloi Navalnin të konkurronte në zgjedhjet e ardhshme. Çështja u pa gjerësisht si e motivuar politikisht.

Por Navalni vazhdoi të zgjeronte lëvizjen e tij, shpesh online. Kanali i tij në YouTube ka patur miliona shikime dhe ka fituar mbështetës në të gjithë vendin… pavarësisht një ndalimi gati të plotë nga mediat shtetërore, thotë një këshilltari i tij.

“Media shtetërore për shumë vite ka injoruar aktivitetet e Aleksei Navalnit… duke refuzuar ta njohë atë si politikan dhe duke u përpjekur të parandalojë aktivitetet e tij politike. Por mënyra si janë munduar ta paraqesin pamjen në botë është ndryshe nga realiteti. Dhe realiteti është se Aleksei Navalnit është opozita kryesore në vend”, thotë Leonid Volkov.

LEXO EDHE  VIDEO/ Nuk e paguan, punëtori hakmerret ndaj pronarëve

Hetimet e tij për korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë nuk kanë ndalur kurrë… duke krijuar armiq të fuqishëm për të. Këto çuan në ngjarjet e gushtit të kaluar kur Navalni u sëmur në bordin e një avioni në Siberi nga një sulm helmimi.

Kremlini thotë se ende nuk ka parë prova të një krimi… dhe sugjeroi që Navalni… ose agjencitë perëndimore të sigurisë… e kanë orkestruar ngjarjen. Navalni argumenton se zbulimi nga toksikologët gjermanë dhe të tjerë ndërkombëtarë i helmit të gradës ushtarake Noviçok në sistemin e tij, provon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kremlinit… ose shërbimeve të tij të sigurisë.

“Versioni im i ngjarjes është se ajo u krye nga punonjës të shërbimit federal të sigurisë ose shërbimeve të inteligjencës me urdhër të Putinit”, thotë Navalni. Me Navalnin që premton kthimin e tij të menjëhershëm në Rusi, vëzhguesit e shohin këtë moment si një mundësi: një shans për të fituar mbështetjen e atyre që e kanë dyshuar në të kaluarën.

“Do të ketë një efekt të caktuar mobilizues …. për faktin se shumë njerëz që hezituan ose e nënvlerësuan atë, më në fund do të kuptojnë se ai është një njeri shumë i guximshëm i cili është në kuptimin e plotë të fjalës i gatshëm ta çojë luftën e tij deri në fund”, thotë Anton Orekh, komentator politik.

Para incidentit të helmimit, Navalni u përball me incidente të përsëritura nga sulmues që veprojnë pa u ndëshkuar. Ndërsa ai rifillon aktivitetet e tij politike, sigurisht që do të ketë pikëpyetje rreth sigurisë së tij dhe sa presion mund të pasojë nga shteti.

“Ky është një Navaln i ri i cili le të themi ka një ‘rrjet sigurie’ pasi Perëndimi do t’i kushtojë më shumë vëmendje telasheve të tij, sjelljes dhe problemeve të tij brenda Rusisë”, thotë analisti Andrei Kolesnikov.

Disa argumentojnë se Navalni tani është më shumë sesa lideri i opozitës ruse. Ai është kundërshtari kryesor i Putinit… megjithëse në pritje: Një politikan i njohur në botë ende i ndaluar në arenën politike të vendit të tij./VOA/