Tenderi 5 mln euro për pastrimin e Vlorës, “kryqëzimi” i Lelit dhe përplasjet Agaçi-Sadri Abazi

Nga Boldnews.al

Një tender, me vlerë rreth 5 milionë euro, i zhvilluar së fundmi për pastrimin e qytetit të Vlorës, duket se ka nxjerrë në dritë përplasjet e ashpra mes personazheve të kupolës së Partisë Socialiste dhe Qeverisë.

Disa fije, ndonëse jo shumë direkte, lidhin në këtë histori kryeministrin Edi Rama, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, deputetin e rëndësishëm Sadri Abazi.

Si “aktorë dytësorë” janë kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, si edhe kryetarja e sapo-dorëhequr e Komisionit të Prokurorimeve Publike, Evis Shurdha.

Kritika e dorëheqje

Rreth dy javë më parë, u raportuar se kryeministri Edi Rama kishte lëshuar kritika të forta ndaj Dritan Lelit, gjatë një takimi informal në Vlorë.

Sipas asaj që u shpërnda nga “burimet” brenda takimit të mbyllur, Rama ishte tërësisht i pakënaqur me mënyrën se si ka menaxhuar Leli çështjet e pushtetit vendor në qytetin bregdetar.

Kritikat e Ramës ndaj Lelit marrin një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh se drejtori vlonjat ishte zgjedhja që vetë Edi Rama ua imponoi socialistëve të Vlorës.

Thuajse njëkohësisht me kritikat për Lelin në Vlorë, në Tiranë u përhap informacioni se kryetarja e Komisionit të Prokurimeve Publike, Evis Shurdha, kishte dhënë dorëheqjen një vit para përfundimit të mandatit.

Menjëherë, qeveria njoftoi se ka miratuar disa ndryshime në procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të Komisionit të Prokurimeve Publike, duke konfirmuar se dorëheqja e Shurdhës ishte “imponim” nga lart.

Dorëheqja e Shurdhës, e njohur si investim politik i Ëngjëll Agaçit, gjithashtu krijoi dyshime për arsyet e vërteta të largimit të saj.

Tenderi në Vlorë

Dy zhvillimet brenda maxhorancës, pra kritikat e forta ndaj Dritan Lelit dhe dorëheqja e imponuar e Evis Shurdhës, kanë një pikë takimi.

Në 31 Tetor 2019, Bashkia e Vlorës hap tenderin për “Shërbimin e pastrimit të qytetit”, me fond limit 518 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 5 milionë euro).

Në tender marrin pjesë tre kompani; “Duka”, e cila kishte lidhur kontrata të ngjashmë edhe më parë me Bashkinë e Vlorës; “Alko Impex General Construction”, kompani e regjistruar në Kosovë, me degë në Shqipëri që drejtohet nga nipi i deputetit Sadri Abazi; si edhe kompania “Ante Group”.

Në 6 janar, Bashkia e Vlorës shpall rezultatet e tenderit. Institucioni i drejtuar nga Leli vendosi skualifikimin e “Ante Group”, pasi nuk kishte dorëzuar ofertë ekonomike.

LEXO EDHE  Protestat e opozitës/ Gjykata dënon 38 qytetarë, burg dhe 1250 orë punë

Gjithashtu, stafi i Lelit skualifikoi edhe kompaninë e familjarëve të Sadri Abazit. Shoqëria “Alko Impeks” kishte paraqitur ofertën më të ulët, por Bashkia e Vlorës e skualifikoi për shkak të mangësive në dokumentacion.

Në përfundim, fitues u shpall shoqëria “Duka”. Kompania nën administrimin e Arbër Abazit, nipi i deputetit Sadri Abazi, nuk ishte dakord me rezultatin dhe e ankimoi vendimin në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Në 25 Qershor 2020, pikërisht në ditën kur u njoftua se Evis Shurdha kishte dhënë dorëheqjen, Komisioni i Prokurimit Publik shpalli vendimin, në bazë të të cilit nuk pranoi ankimin e kompanisë së lidhur me Sadri Abazin.

Në vendimin, i cili i jepte të drejtë Dritan Lelit, mungon nënshkrimi i kryetares së Komisionit të Prokurimit Publik, Evis Shurdha.

Përplasjet rreth Edi Ramës

Pak orë pas njoftimit për dorëheqjen e Shurdhës, ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një mesazhi të “qytetarit dixhital”, informon se në krye të Komisionit të Prokurimit Publik do të zgjidhet ish-inspektori në këtë institucion, Joniad Myzyri.

Sipas informacionit të mbërritur në adresë të Berishës, megjithëse gara për kreun e KPP sapo është hapur, ajo është e paracaktuar në favor të Myzyrit, pasi njihet si njeri i afërt me Taulant Ballën.

Kjo e dhënë, ndonëse për t’u verifikuar në vijim, plotëson një puzzle që nis me tenderin 5 milionë euro dhe vijon me përplasjet mes njerëzve të afërt të Edi Ramës, e cila përmblidhet në këtë mënyrë;

Dritan Leli, një investim politik i drejtëpërdrejtë i familjes së Edi Ramës, vendos të skualifikojë kompaninë e nipit të deputetit Sadri Abazi nga tenderi 5 milionë euro për pastrimin e Vlorës.

“Alko Impeks” ankimon vendimin e skualifikimit, duke kërkuar ndryshimin e situatës në favor të saj në Komisionin e Prokurimit Publik, të drejtuar nga Evis Shurdha, një investim i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi.

Kompania e afërt me Sadri Abazin nuk arrin të fitojë tenderin. “Humbja” e tenderit përkon me dy zhvillime të tjera- Edi Rama kritikon ashpër Dritan Lelin e Vlorës për “mosmenaxhimin e duhur të situatës në pushtetin vendor” dhe Evis Shurdha jep dorëheqjen, pa motiv publik, nga drejtimi i Komisionit të Prokurimit Publik.

Sipas informacioneve të Berishës, në krye të KPP-së pritet të emërohet Myzyri, një “investim” i Taulant Ballës, i cili njihet për afërsinë e madhe me Sadri Abazin dhe për raporte të ftohta me Ëngjëll Agaçin.