Pandemia e Covid-19/ A po përdoret Edi Rama nga Soros?

Nga Boldnews.al

Një grup mjekësh dhe infermierësh shqiptarë, rreth 30 në total, u dërguan në Itali në ndihmë të kolegëve të tyre italianë për përballimin e situatës së krijuar në këtë shtet, më i godituri nga pandemia e Covid 19.
Ky akt solidariteti s´mund të kalonte në heshtje, pati reagime dhe interpretime të ndryshme, ndërsa propaganda nuk mund të humbiste “momentin e artë”, për të shtuar edhe më shumë dozat se Kryeministri Edi Rama është një “lider global”.

Ndërkohë pak ditë më parë, Kryeministri nuk do të nguronte të shfaqtë kritika ndaj qasjes së administrata Trump pati ndaj Covid 19.

“Meqë keni qejf shembujt me Amerikën, Presidenti u thoshte deri dje se kjo do iki shpejt, thjesht do iki. E shikoni tani se çfarë u thotë amerikanëve. Ndërkohë që duke pritur që të iki vetë i hap rrugën armikut. Sot kanë kaluar Kinën me infektim dhe s’po kanë më as vend dhe as mjete mbrojtëse për mjekët dhe infermierët në spitalet e Nju Jorkut. Amerika është Amerikë dhe mbase dhjetëra mijëra të vdekur nuk i ka aq problem sa ne”, shprehej Rama.

I njëjti në javën e parë të marsit postonte në rrjete, qëndrimet e Presidentit Trump lidhur me Covid 19, duke u justifikuar sepse Shqipëria nuk po merrte masat ndaj koronavirusit që kishte hyrë në Itali, madje po shpërndahej me shpejtësi, ndërsa mijëra e mijëra shqiptarë zbarkuan në porte dhe aeroportin e Rinasit, ku i prisnin disa ekipe mjekësh me termometra në duar.

Të dy këto momente, pra dërgimi i ekipit të mjekëve në Itali dhe kritikat ndaj administratës Trump, duken se janë në të njëjtën gjatësi vale me idetë që artikulon Alex Soros në një artikull të botuar nga “Project Syndicate”.

Alex Soros, djali i filantropit George Soros, shkruan “Shtetet e Bashkuara nën administratën e sotme, duke u tërhequr nga aleanca transatlantike e pas luftës, BE-së iu dha mundësia të ngrihej në lartësinë e angazhimeve të veta kundrejt vlerave, të drejtave dhe bashkëpunimit shumëpalësh, dhe të afirmohej si një udhëheqës global. Nuk është ngritur në lartësinë e sfidës. Ndërsa e ardhmja e Evropës sot duket e zymtë, nuk është vonë që institucionet dhe qeveritë evropiane të ndryshojnë kurs. BE nuk mund të lejojë të humbasë Italinë ose të kalojë krizën pa një përgjigje kuptimplote. Të gjitha vendet dhe ekonomitë në bllok do të vuanin si pasojë e kësaj”.

LEXO EDHE  “Basha i tregoi vendin ambasadores”/ Reagon Kim: Unë dhe Luli jemi shokë

Në vijim, Soros shkruan “për të qenë të qartë, disa vende të BE-së – edhe pse me vonesë – kanë dërguar edhe pajisje mjekësore, dhe shumë italianë kanë bërë dhurime në përpjekjet kombëtare për të luftuar krizën. Dhe vetëm disa ditë pasi mori miratimin për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE, Shqipëria shfaqi solidaritetin e vërtetë evropian duke dërguar një kontingjent prej 30 mjekësh në veri të Italisë. Shpresoj se shumë të tjerë do ta ndjekin atë shembull dhe do të ofrojnë një ndihmë në zonat më të goditura nga COVID-19”.

“BE ka një përgjegjësi ndaj shteteve anëtare dhe popujve të saj, që të përdorë cilindo dhe të gjitha instrumentet financiarë në dispozicion, ose të krijojë të reja, për të siguruar që Italia dhe Bashkimi në tërësi të mund të përballojnë – dhe përfundimisht të ringrihen nga – kjo krizë. Kjo kërkon heqjen dorë nga zakoni i mbështetjes mbi një model të vjetëruar të qeverisjes, i justifikuar prej mungesës së burimeve të përbashkëta financiare, në një bashkim monetar. Nëse Italia dështon, çmimi për ekonominë evropiane – në të vërtetë, për vetë projektin evropian – do të jetë shumë më i lartë, se sa çmimi i shkeljes së një rregulli fiskal gjatë një kohe rreziku të madh”, shkruan Soros.

Nuk dihet nëse Soros (Alex) që njihet për suportin që i jep Kryeministrit Rama, veçanërisht në atë që njihet si mini-Shengeni ballkanik, ku u shfaq në çdo takim të mbajtur mes krerëve të shteteve të Rajonit, nga Novi Sadi në Ohër dhe më pas në Durrës, po e përdor për të artikuluar më pas tezat e tij, apo Rama po i paraprin këtyre tezave.

Me shumë gjasa, Rama po përdoret nga Soros në një plan që në javët ose muajt në vijim mund të shfaqet përmes projekteve të Fondacionit, veçanërisht në ekonomitë që do të preken më shumë nga pandemia botërore.