Nga Kosova te telefonatat e munguara/ Rama-Lavrov batuta dhe “përplasje”: Rusia jo armik, konkurrent kërcënues

Kosova ishte një nga çështjet që Kryeministri Edi Rama, me cilësinë e kreut të Presidencës së OSBE-së, ka diskutuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Kreu i diplomacisë ruse i është përmbajtur qëndrimit për respektimin e Rezolutës 1244 të miratuar në Kombet e Bashkuara, ndërsa akuzoi Prishtinën për mos respektimin e saj. Lavrov tha se mendon se çështja duhet të zgjidhet bazuar në këtë rezolutë.

“Folëm edhe për Kosovën, kemi për qëllim të nxisim dialogun që të arrijnë një marrëveshje me Serbinë. Ne do të donim që çështja e Kosovës të zgjidhjet. Palët e interesuara duhet të gjejnë një marrëveshje dhe ne besojmë se një faktor kyç për të ecur përpara është zbatimi i vendimit të krijimit të bashkive serbe kemi dhe angazhime dypalëshe me kryetarët e komisionit për tregëti dhe ekonomi.

Ka hapësirë për bashkëpunim në këtë sferë. Është e kufizuar për shkak të mbështetjes nga Shqipëria të regjimit të sanksioneve nga BE. Kemi për qëllim të bashkëpunojmë me Shqipërinë për atë çfarë janë të gatshëm të bashkëpunojnë ata”, tha Lavrov.

Ndërsa, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “ne si OSBE jemi përpjekur e do përpiqemi që të mos jemi të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjen e Kosovës sepse në këtë pikë s’do kemi asnjë ndikim, por pozita e qeverisë shqiptare është që sa më shpejt Serbia të njohë Kosovën aq më mirë do jetë për të gjithë e sigurisht për vetë Serbinë”.

Ndërkohë që në konferencën e përbashkët për mediat nuk kanë munguar batutat dhe replikat mes Ramës dhe Lavrov.

Shkak për “përplasjen” ishte një citim i kreut të diplomacisë ruse, sipas të cilit “Rama foli për detyrimet që kanë ndaj NATO-së, reagoi pa vonesë kryeministri shqiptar”.

“Do ta shënoj në CV time që e kam korrigjuar një herë Lavrorvin. Nuk janë detyrime janë zgjedhje. Askush nuk na detyron, ne zgjedhim ta bëjmë dhe jemi krenar”, tha Rama.

Por është kundërpërgjigjur Lavrovi me një tjetër sqarim, që sipas tij, nuk e ka thënë saktësisht ashtu, por ka qenë problemi i përkthimit.

“Atëherë korrigjo përkthyesin jo mua, ja e sheh, fantastike, duhet korrigjuar”, tha Rama.

Raportet mes Shqipërisë dhe Rusisë, Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar në nivelin më të ulët, madje duke cituar ambasadorin rus në Tiranë, tha se “jemi i vetmi vend që nuk kemi marrë një telefonatë nga Moska”.

LEXO EDHE  Debati i parë Trump-Biden

“Nuk është sekret, është fakt, raportet janë në nivel të ulët, ambasadori më tha se Shqipëria është i vetmi në botë që nuk ka pasur një telefonatë mes Tiranës dhe Moskës qysh prej shumë vitesh, tha ai, por unë mendoj që kur iku Stalini, u lamë edhe ne. Kjo në fakt tregon gjithçka, asnjë telefonatë, e lëre me vizita dhe takime, megjithatë kjo mund të trajtohet sepse sinqerisht nuk mendoj që Rusia është armik, për askënd me të cilët ne jemi përkrah, ndonjëherë është konkurrent kërcënues por jo armik, ndaj kemi shumë gjëra që mund të shohim pa pretenduar të ndryshojmë, ne të dy palët jemi të qartë, por ne do të përpiqemi të kemi raste të takohemi sërish me ministrin dhe të lexojmë së brendshme enciklopedinë e punëve të jashtme të Rusisë”, tha Rama.

Ndërsa kreu i diplomacisë ruse kujtoi vizitën e zhvilluar në Tiranë në vitin 2004, kohë kur vendi drejtohej nga kryeministri socialist, Fatos Nano.

“Kur bëhet fjalë për telefonata, ajo që ju përmendët reflekton gjërat reale, por në 2004 bëra vizitë në Tiranë dhe nënshkruam traktat miqësie dhe bashkëpunimi me ministrin e Jashtëm të kohës. Nuk u ratifikua pasi pala shqiptare e harroi këtë dokument, ai ekziston është gati dhe ne mund ta bëjmë efektiv në mënyrë që të kemi parime të qartë të marrëdhënieve tona, por do të komunikojmë përgjatë vitit për çështjet e OSBE”, theksoi Lavrov.

Rama, në reagimin e tij, foli për marrëveshjen e nënshkruar mes Lavrov dhe atij që e quajti “kreu i opozitës së sotme”.

Nuk dihet nëse Rama bëri një lapsus duke mos ditur se kush ishte në krye të qeverisë në 2004, apo nëse ka zbuluar një marrëveshje të nënshkruar mes kreut të opozitës së sotme, që dikur mbante postin e ministrit të Jashtëm.

“Më duhet ti mbetem parimit që gjithçka e nënshkruar nga qeveria e mëparshme nuk është se nuk duhet pranuar nga qeveria aktuale, kështu që kur të kthehem ne vend do ta shoh me kujdes, e do t’ju dëshmoj që unë them çfarë bëj e bëj çfarë them”, tha Rama.