Pas një dite heshtjeje ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se në vend të Sllobodan Millosheviçit do të kishte kryer një spastrim etnik edhe më të madh në Kosovë, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.
Reagimi i Ramës vjen pasi qeveria shqiptare u kritikua nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për mungesën e një qëndrimi publik ndaj deklaratës së zyrtares serbe.
Në postimin e tij, Rama argumenton se Shqipëria ka reaguar institucionalisht përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke shtuar se nuk është e nevojshme që çdo deklaratë e bërë në Beograd të marrë përgjigje nga kryeministri.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se reagimi zyrtar është bërë nga ministri i Jashtëm dhe se “një shtet që respekton veten” nuk mund të kthehet në “kor histerik” sa herë që, sipas tij, “del një çyryk në Beograd e flet përçart”.
Në fund të reagimit, Rama ironizoi edhe kritikët në Tiranë, duke i akuzuar se shfrytëzojnë situata të tilla për protagonizëm politik, ndërsa deklaroi se ata “gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front”.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!
Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë.
Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh”, shkruan Rama.














