Dy efektivë të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë janë arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Në pranga kanë rënë Dejon Bejko, 25 vjeç, dhe Edison Kuka, 23 vjeç, të dy me gradën inspektor dhe pjesë e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Nr. 3.
Sipas AMP-së, hetimi nisi pas publikimit të pamjeve filmike nga “JOQ”, ku dy punonjësit e policisë shfaqeshin duke marrë ryshfet.
Dy inspektorët akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.














