Rasti “Donika Prela”/ A është korruptuar politikisht ONM?

Nga Boldnews.al

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) iu shmang në mënyrë diplomatike kërkesës zyrtare të “Boldnews.al” mbi pyetjen nëse vendimi për konfirmimin në detyrë të shefes së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, ka cënuar besimin e publikut.

ONM deklaroi zyrtarisht se do të pritet zbardhja e vendimit për konfirmimin në detyrë të Prelës e më tej do të vlerësohet nëse do të lëshohet apo jo një rekomandim për Komisionerin Publik.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e konfirmoi në detyrë Prelën, në fillim të muajit Shkurt 2019, pavarësisht problematikave të shumta që lidheshin me pasurinë dhe integritetin profesional.

Pasi KPK vendosi për konfirmimin në detyrë, analistë të ndryshëm dhe qytetarë të shumë në rrjetet sociale shprehën pakënaqësinë dhe revoltën e tyre për këtë qëndrim.

Nisur nga këto reagime qytetare, “Boldnews.al” iu drejtua zyrtarisht ONM-së për një koment nëse është cënuar besimi i publikut në rastin e konfirmimit të prokurores Donika Prela.

Trupa e Vëzhguesve Ndërkombëtarë, të cilët janë pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë pikërisht për të luajtur rolin e “gardianit” në zbatimin e procesit të Vetingut nga institucionet shqiptare, riktheksoi qëndrimin standart: “Siç është përmendur më parë, sapo të depozitohet një vendim, Vëzhguesit Ndërkombëtarë do ta rishikojnë atë dhe do të vendosin për veprimet e mundshme në anën e IMO-s (dmth nëse do të lëshojë ose jo një rekomandim për Komisionerin Publik që të marrë në shqyrtim marrjen e një apeli)”.

Pra, Vëzhguesit Ndërkombëtarë, në përgjigjen e tyre, referojnë kuadrin ligjor për Vetingun. ONM thotë se do të presë vendimin e zbardhur, para se të vlerësojë nëse duhet të ndërhyjë apo jo.

Por ky standart që referon ONM për rastin “Prela” nuk është zbatuar në çdo rast. Madje, nga 7 rekomandime që ka lëshuar deri më tani Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për Komisionerin Publik, 4 prej tyre janë bërë para se të zbardhej vendimi për subjektet përkatës.

Në një rast tjetër, ONM ka rekomanduar shkarkimin nga detyra të subjektit në të njëjtën ditë me zbardhjen e vendimit të konfirmimit. Dhe, në një rast tjetër, një ditë pas zbardhjes së vendimit.

Më konkretisht, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk priti zbardhjen e vendimit për t’i rekomanduar Komisionerit Publik shkarkimin nga detyra për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për gjyqtarët Artur Malaj e Gentian Medja, si edhe për prokurorin Gentian Osmani.

1. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Vetingut me vendimin e datës 24 Korrik 2018. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerit Publik shkarkimin e tij në datën 6 Gusht 2018. Ndërkohë që vendimi i zbardhur i KPK-së u publikua më datë 27 Shtator 2018, pra më shumë se një muaj pasi ONM kishte sugjeruar shkarkimin e tij.

2. Gjyqtari i gjykatës Administrativ, Gentian Medja, u konfirmua në detyrë nga KPK me vendimin e datës 1 Gusht 2018. ONM rekomandoi shkarkimin e tij më datë 9 gusht 2018, ndërkohë që vendimi i zbardhur për konfirmimin e tij në detyrë u publikua rreth 3 javë pas rekomandimit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë për shkarkimin e tij.

3. Prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, u konfirmua nga KPK në datë 2 Gusht 2018. Vëzhguesit e ONM kërkuan zyrtarisht shkarkimin e tij më datë 9 Gusht 2018. Vendimi i zbardhur për subjektin Osmani u publikua në 30 Tetor 2018, gati 3 muaj pas rekomandimit të ONM për shkarkimin e tij.

4. Gjyqtari i Apelit Administrativ, Artur Malaj, u konfirmua në datë 3 Gusht 2018. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi apelimin e vendimit për të në datë 10 Gusht 2018. Komisioni i Vetingut zbardhi vendimin për subjektin Malaj në 11 Tetor, saktësisht dy muaj pas rekomandimit të ONM

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomanduar shkarkimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, më 13 Korrik 2018, në të njëjtën ditë që u zbardh vendimi që u zbardh vendimi i Komisionit të Vetingut për shkarkimin e tij.

Gjithashtu, ONM ka rekomanduar shkarkimin e prokurorit Besnik Cani një ditë pasi KPK zbardhi vendimin që e konfirmonte në detyrë subjektin.

Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me dyshime të forta për ndërhyrje të maxhorancës qeverisëse në favor të saj.

Opozita e akuzoi procesin ndaj saj si të “korruptuar politikisht”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here