Nga Ilir Kalemaj
Komb-shtetet moderne janë produkte të katër proceseve të ndërlidhura, sikundër na kujton Andreas Wimmer: atij politik (ku demokracia është e lidhur me kombësinë), legal (kombësia e lidhur me shtetësinë), militar (shërbimi ushtarak i lidhur me shtetësinë) dhe social (institucionet e shërbimeve sociale të lidhura me kontrollin mbi emigrantët). Ndonëse ka modele të ndryshme, ku disa i japin përparësi shtetësisë (modeli anglo-sakson, francez etj.), disa kombësisë (rasti gjerman, grek e me radhë), esenca është lidhja organike mes shtetit dhe kombësisë dhe, për rrjedhojë, vazhdimin e ekzistencës së mjeteve dhe institucioneve që perpetuojnë këtë simbiozë. Ka dallime thelbësore që vijnë mes Gemeinschaft and Gesellchaft, pra shoqërive mekanike dhe organike, ku në këto të fundit luan një rol të pazëvendësueshëm kultura e popullit (Volkkultur). Gjithë çështja është kujt i detyrohet në mënyrë primare identifikimi ynë si shtetas dhe kujt i japim besim duke i deleguar të drejtat tona, ashtu sikundër edhe i përgjigjemi me anë të detyrimeve që rrjedhin si rezultat i kontratës shoqërore, për të cilën shkruan me radhë Hobbes, Locke dhe Rousseau. Në kohëra dhe epoka të ndryshme, besnikëria dhe identifikimi primar kanë qenë herë ndaj autoritetit fetar të besimit që kishte iks komunitet, herë ndaj patriarkut të familjes, fisit apo familjes së madhe (zadruga, siç është quajtur në Ballkan) dhe herë ndaj një institucioni të caktuar parapolitik, si për shembull Kanuni ndër ne.
Në dialektikën komb-shtet, ka autorë që e vënë theksin te kombi duke theksuar ontologjinë e tij në krahasim me shtetin dhe duke e quajtur një parakusht të domosdoshëm për lindjen e shtetit. Për filozofin gjerman, Fichte, për shembull, shteti është i përulur përpara “vizionit dhe dashurisë për këtë zhvillim të përjetshëm”, që sipas tij, është kombi. Në këto linja ecën edhe Anthony Smith kur e vë theksin tek ajo që ai i quan “ethnies”, grupe etnike që më vonë shërbejnë si epiqendra e kombit të ardhshëm. Megjithëse në punët e mëvonshme (Smith 1992: 72), ai e korrekton disi këtë korrelacion të pastër grup etnik-komb-shtet, duke pranuar se shpeshherë koncepti i etnicitetit idealizohet dhe përfton jo rrallëherë përmasa mitike, prapëseprapë ngelet zëri kryesor në këtë grup, që klasifikohen dhe njihen ndryshe në literaturë si primordialistë. Një autor tjetër që i përket këtij grupi e vë theksin te fakti që nacionalizmi imponon homogjenitet (Kedourie 1966), ndërsa një tjetër autor, Homi Bhabha, e merr këtë disi më larg kur thekson që pikërisht ky homogjenitet nënkupton domosdoshmërish krijimin e tjetrit në shoqëri dhe sheh në këtë prizëm një korrelacion të fortë ndërmjet nacionalizmit dhe ksenofobisë.
Ka një grup tjetër autorësh në literaturë, që njihen si “modernistë” dhe e vënë theksin sidomos mbi proceset e industrializimit, kapitalizmit dhe progresit teknologjik si faktorët kryesorë që sollën krijimin e kombit (Gellner 1983). Këta autorë e shohin kombin si diçka moderne që nuk ka ekzistuar më parë dhe zakonisht fillesat e tij i shohin te Revolucioni Francez. Jo më kot, një nga eksponentët kryesorë të këtij grupi, historiani Hobsbawm, e quan kombin një “traditë të shpikur” në një nga librat e tij. Të tjerë, si Benedict Anderson (1991), e vënë theksin mbi faktin që pothuajse të gjitha format komunitare kanë të përbashkët faktin që janë të imagjinuara në sensin që më tepër se të shpikura, identitetet kombëtare, pra me një fjalë vetë kombi, është një ndjesi që përjetohet si e tillë, “imagjinohet” nga shumica absolute e anëtarëve që vetëdeklarohen si pjesëtarë të këtij apo atij kombi.
Në fakt, vetëm të imagjinuarit shpesh nuk mjafton, prandaj shpesh vihet theksi mbi atë që Ernest Renan bukur e ka përkufizuar si “plebishit i përditshëm” në favor të ruajtjes ekzistuese të kësaj familjeje të madhe që shtrihet përtej familjes, fisit apo formave të tjera komunitare organizimi. Anderson gjithashtu ka veçuar printimin masiv të shoqëruar nga shtrirja kapilare nëpërmjet proceseve të kapitalizmit si faktor vendimtar që i kanë lejuar komunitetet kombëtare të imagjinohen prej fillimit. Printimi i literaturës dhe shpërndarja, për t`u bërë e mundur të arrihet nga masat e gjera, solli dhe zëvendësimin e gjuhës latine, që ishte gjuha zyrtare e Kristendomit (apo siç njihej Europa përpara se të fitonte emrin e ri) me gjuhët vernakulare, amtare, të cilat, pasi ndoqën një proces kodifikimi dhe standardizimi, arritën që të krijojnë shtyllën ku u bazua procesi i komb dhe shtetformimit.
Ka shembuj të ndryshëm ku bërthama e një shteti është rrotulluar rreth një etnie të caktuar, dominonte, qoftë kjo në minorancë (si pakicë aktive) apo që përfaqëson shumicën në shoqëri.
Këto janë më të spikatura në sisteme federale apo konfederata, si fjala bie rusët në Bashkimin Sovjetik, serbët në Jugosllavi të paktën deri në ndryshimet kushtetuese të 1974-ës, çekët në Çekosllovaki e me radhë. Por jo pak herë ka ndodhur edhe në shtete unitare. Rasti i Meksikës, për shembull, i një shteti ku një grup etnik dominues politikisht e ka kthyer shtetin në komb(shtet). Të njëjtën gjë kishin bërë edhe irakianët në kohën e Sadamit, apo pashtunët në Afganistan, ndonëse të parët minorancë dhe të dytët maxhorancë në terma numerikë në vendet përkatëse dhe të përfaqësuar sot nga talibanët në pushtet.
Një mënyrë për të shmangur debatet shpesh pa bukë që cysin ndasi identitare në komb-shtetet që jnaë ende në proces shtet-formimi është që debati publik të ideologjizohet, politikat publike duhet të marrin përparësi, të drejtat dhe detyrimet duhet të funksionojnë në bazë të një kontrate shoqërore që nuk diskriminon në bazë klanore, etnike, fetare apo të cilitdo lloj. Funksionimi i shtetit nga njëra anë, sjell normalisht dhe rritjen e legjitimitetit për së brendshmi dhe njohjet që vijnë nga jashtë, për rrjedhojë. Energjitë kanalizohen më mirë, debatet e brishta identitare anashkalohen dhe banorëve u garantohet siguria e përditshme për një jetë më të mirë. Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe konkretisht ato që kanë dale nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, duhet të nxjerrin leksionet përkatëse edhe nga eksperienca e “ngërçeve pa bukë” që i kanë lënë vendet respektive ende në stadin e foshnjërëkut demokratik dhe të kapur në batakun e tranzicionit të pambarimtë, të nxjerrë deduksionet e nevojshme dhe të krijojë premisat që kësi pengesash mos të jenë pengesë edhe në atë realitet të ri, të bukur dhe plot shpresë.