Rusët, kinezët dhe sauditët kanë siguruar qasje të pakufizuar në Bashkimin Europian përmes Maltës, e cila po u shet pasaporta atyre të kalojnë më pak se tre javë në vend. Skandali ëshë zbuluar nga “The Guardian”, i cili ka publikuar emailet mes qeverisë malteze dhe firmës së “Henley & Partners”, e cila njihet për skemën e shitjes së shtetësisë oligarkëve.
Kjo firmë, e bashkëpunon me vende të ndryshme dhe u lehtëson investitorëve pajisjen me pasaporta, por është venë prej kohësh nën kritika dhe dyshime se po pajis me pasaporta europiane oligarkë dhe njerëz të lidhur me krimin e organizuar. “Henley & Partners” është e njëjta kompani që po bashkëpunon me qeverinë shqiptare, madje në vitin 2019, kryeministri Edi Rama mori pjesë në një konferencë të Henley & Partners në Londër, ku tha se do të pajiste me pasaporta shqiptare investitorët e pasur.
“Çdo investitor i huaj, i cili do të blejë nënshtetësinë shqiptare do të përjashtohet nga taksat, do të përfitojë ulje të TVSH-së në 6 për qind dhe do të ketë përfitime të tjera fiskale”. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama, më 13 nëntor, i ftuar në Konferencën botërore për Nënshtetësinë në Londër, të organizuar nga kompania “Henley and Partners”. Krah tij ndodhej kryeministri malazez Dusko Markovic, i cili deklaroi po ashtu se Mali I Zi do t’u ofronte nënshtetësi të gjithë investitorëve të huaj, sidomos atyre në fushën e turizmit.
Në fakt, Bashkimi Europian qorton në përgjithësi praktikën e shitjes së pasaportave dhe përmes një rezolute të miratuar më 28 mars të këtij viti në Parlamentin Europian i kërkonte Maltës që të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë “Henley & Partners”.
Rezoluta ngre shqetësime në lidhje me personat që kanë përfituar pasaportën e një vendi anëtar të BE-së, pas regjistrimit të të paktën pesë rasteve, ku përfituesit ishin njerëz të kërkuar, ose dënuar për mashtrim, evazion fiskal, e deri tek shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.
Por investigimi i “The Guardian” zbulon se kjo kompani kishte arritur të pajiste me pasaporta malteze qytetarë nga Arabia Saudite, Rusia dhe Kina, vende ku është e paligjshme të marrësh një pasaportë të dytë. Ata treguan shembuj të klientëve që aplikuan për shtetësi malteze pavarësisht se ajo ishte plotësisht e ndaluar me ligj në vendin e tyre të lindjes.
Investigimi zbuloi se disa nga këta aplikantë më pas merrnin me qira një pronë në Maltë, për të treguar se gjoja jetonin prej një viti në ishullin mesdhetar. Rregullat e marrjes së pasaportës përcaktojnë që një pronë duhet të merret me qira ose të blihet për një çmim specifik dhe të mbahet për një periudhë pesë vjeçare. Aplikantëve u kërkohet gjithashtu të qëndrojnë në vend për një vit, para se të marrin shtetësinë.
Dokumentet zbuluan se disa aplikantëve thjesht nuk u interesonte dhe nuk kishin ndërmend të jetonin në Maltë. Ata i paguanin firmës “Henley & Partners “ një shumë të caktuar dhe firma kujdesej për blerjen e pasaportës dhe marrjen e shtëpisë me qira. “The Guardian” shkruan se duke u hequr si investitorë qeveritarë, ata thoshin se ishin “rezidentë” në vend për një vit të plotë duke marrë me qira apartamente dhe më pas duke i lënë ato bosh.
Zakonisht oligarkët kalonin vetëm disa javë pushime në Maltë, ku merrnin me qira një jaht ose dhuronin për bamirësi në mënyrë që të tregonin se kishin lidhje me vendin. Zbulimet ka të ngjarë të alarmojnë komisionin Evropian, i cili kohët paralajmëroi nisjen e procedurave të mundshme ligjore kundër Maltës për shitjen e pasaportave europiane. Komisioni ka akuzuar Maltën për shitjen e shtetësisë , duke u mundësuar hyrjen e plotë në BE, individë që janë shpesh të lidhur me afera korruptive, skema të pastrimit të parave dhe krimin e organizuar.
Qeveria Malteze hedh poshtë çdo sugjerim që skema e saj për pajisjen e investitorëve me pasaporta është një mashtrim, duke argumentuar se aplikantët kontrollohen përpara se të marrin një leje qëndrimi. Por emailet dhe dokumentet e firmës Henley & Partners zbulojnë se shumë aplikantë i jepnin paratë firmës, kalonin vetëm disa javë në Maltë në vend të 12-muajve dhe blinin shtetësinë.
Çfarë bën Henley & Partners?
“Henley & Partners”, i cili drejtohet nga një biznesmen zviceran, Christian Kälin, pa dyshim shpiku industrinë moderne të “shitjes së pasaportave”, e cila vlen rreth 3 miliard dollarë në vit. Klienti i tij i parë i madh ishte qeveritë e Shën Kitts dhe Nevis në Karaibe, ku firma u punësua për të krijuar një skemë të shitjes së shtetësisë investorëve të ndryshëm në vitin 2006.
Ajo luajti një rol kryesor në krijimin e skemës së shitjes së pasaportave në Maltë, duke këshilluar qeverinë se si duhet të veprojë. Fillimisht Henley duhej të kishte të drejtat e vetme për të administruar aplikimet e klientëve.
Malta njoftoi planin e saj për të shitur shtetësinë tetë vjet më parë, duke nxitur shqetësime nga BE se blerësit do të kishin hyrje të pakufizuar në zonën Shengen, e cila lejon lëvizjen e lirë midis vendeve anëtare. Në janar të vitit 2014, një zëdhënës i drejtësisë i Komisionit Europian mbajti një fjalim duke kundërshtuar propozimet dhe duke theksuar se anëtarët e BE duhet të sigurojnë pasaporta vetëm për individët me një “lidhje të mirëfilltë” me vendin e tyre.
Përplasja u shmang kur, dy javë më vonë, komisioni dhe qeveria malteze lëshuan një deklaratë të përbashkët duke njoftuar se kushdo që blen shtetësinë malteze do të duhet të jetë rezident në vend për një vit të plotë, duke demonstruar vërtetësinë e lidhjeve të tyre me shtëpinë e tyre të re, shkruan Gazeta Si.
Sidoqoftë, këto rregulla u injoruan. “The Guardian” ka analizuar 250 emaile të firmës Henley & Partners, duke shkruar se një qytetar nga Lindja e Mesme u pajis me pasaportën malteze pasi qëndroi dy javë në vend.
Qeveria dhe firma i këshillonin klientët nëse vizitat më të gjata nuk ishin të munduara, hapja e llogarive bankare, donacionet për bamirësi lokale dhe anëtarësimi në klubet lokale do të ndihmonin në demonstrimin e lidhjeve me Maltë. Në 250 letrat, koha mesatare që “Henley & Partners” u këshillonte klientëve të qëndronin në Maltë ishte 16 ditë.
Por për të marrë pasaportën, aplikantëve u kërkohej gjithashtu të investonin 1.15 milion euro në vend, duke përfshirë një blerje prone me vlerë të paktën 350,000 ose marrjen me një qira për një periudhë pesë-vjeçare të një shtëpie.
Disa nga pronat që ishin marrë me qira ishin dukshëm më të vogla se sa madhësia që do të kërkonte realisht një familje e aplikantit po të kishin planifikuar të jetonin në pronë. Në një rast, një shtetas kinez mori me qira një apartament me dy dhoma gjumi për 1,500 euro në muaj pavarësisht se aplikoi për nënshtetësi për 12 persona, përfshirë gjashtë fëmijë.
Në një deklaratë, “Henley & Partners” tha se ishte në dijeni të rreziqeve të mundshme të kësaj skeme duke theksuar se kishte “investuar kohë dhe kapital të konsiderueshëm në vitet e fundit për të krijuar një strukturë që është e përkushtuar ndaj standardeve më të larta, Ajo theksoi se ajo gjithmonë kishte respektuar ligjet lokale në vendet ku ajo operon, dhe shtoi se ajo e kishte këshilluar qeverinë malteze për krijimin e një rregullatori të pavarur.