Partia Demokratike e Shqipërisë punësoi Podesta Group në Uashington për të lobuar pranë qeverisë dhe kongresit të Shteteve të Bashkuara për llogari të saj. Lajmi bëhet e ditur nga dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së nën Aktin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj.
Sipas ekstraktit të publikuar, “Podesta do të këshillojë Partinë mbi politika revelante dhe aktiviteve të Kongresit, do të kërkojë dhe analizojë çështje të caktuara dhe do të mund të organizojë takime me zyrtarë të degës ekzekutive të SHBA-së, anëtarë të Kongresit, media dhe organizata jofitimprurëse.” (Kliko këtu për të parë dokumentin). Kohëzgjatja dhe kostoja e kontratës për Partinë Demokratike pritet të publikohet më vonë. Kontrata është nënshkruar 8 mars 2016. Po sot (15 mars), kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u nis për një vizitë zyrtare në SHBA.
Podesta, një kompani lobuese në SHBA e drejtuar nga Anthony T. Podesta, nuk është një kompani e panjohur për Shqipërinë. Qeveria e Partisë Demokratike e punësoi atë në vitin 2011 deri në vitin 2013, me një tarifë prej 60 mijë dollarësh në muaj, të cilat u paguan me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Zyrtarisht, Podesta duhej të lobonte për përmirësimin e marrëdhënieve politike mes qeverive të të dy vendeve. Gjithsesi, një investigim i mëparshëm i BIRN, zbuloi se Podesta pati lobuar në disa faqe konservatore amerikane për të bërë shkrime negative kundër Edi Ramës, në atë kohë, kreu i opozitës.
Partitë politike shqiptare janë përpjekur në të shkuarën të ndikojnë mbi qëndrimet e qeverisë amerikane ndaj tyre duke paguar lobues të kushtueshëm, veçanërisht gjatë periudhave të krizave të ndryshme politike ose gjatë periudhave zgjedhore.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, punësoi kompaninë Global Security and Innovative Strategies LLC, GSIS, me një faturë mujore prej 30 mijë dollarësh. (Kliko këtu për të parë dokumentin)
Qëllimi i kësaj kontrate sipas dokumenteve të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA është “edukimi i qeverisë Amerikane dhe zyrtarëve të saj nëpërmjet kontakteve dhe komunikimit në lidhje me zotimin e LSI për implementimin e reformës në drejtësi.”
Partia Socialiste unësoi lobuesin Rasky Baerlain, e cila, në atë kohë, dërgoi me dhjetëra kërkesa në median ndërkombëtare në vitin 2010 në përpjekje për të organizuar intervista dhe për të promovuar mbulimin e krizës politike të asaj kohe në Shqipëri./Reporter.al