Gjykata e Gjirokastrës caktoi masën arrest me burg ndaj Mihal Thimjos, 33-vjeçarit nga fshati Derviçian, i cili tre ditë më parë qëlloi për vdekje me mjete të forta 57-vjeçarin Gëzim Saraçin.
Seanca e masës së arrestit ka zgjatur 20 minuta dhe fillimisht prokurori Julijan Çafka ka lexuar argumentat e servirura nga grupi hetimor në fund të të ciles kërkoi masën burg pa afat për 33-vjeçarin.
Ndërsa avokati i të pandehurit Thimjo, Piro Boboli, kërkoi një masë më të lehtë dhe rrethana lehtësuese pasi klienti e ka pranuar krimin dhe njëkohësisht ka reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe nën efektet e çekulibrimit mendor.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, i cili mbështeti prokurorin Çafka për masën arrest me burg.
Autori dhe viktima po udhëtonin së bashku në një kamionçinë, tre ditë më parë dhe rrugës kanë nisur një debat, teksa kanë qenë edhe nën efektin e pijeve alkoolike.
Para grupit hetimor Thimjo është shprehur se viktima e kishte ofenduar duke e quajtur grek dhe më pas kishte tentuar ta qëllonte.
Kjo e ka shtyrë atë ta qëllojë me sende të forta, gjë që i shkaktoi atij vdekjen e menjëhershme. Pas krimit autori u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën brenda një kamionçinë.
Ai u kap pas gjashtë orësh kërkime nga blutë e Gjirokastrës, teksa po largohej me një makinë në një rrugë nacionale. Thimjo kishte ndërruar edhe rrobat për të humbur gjurmët nga policia.














