Epidemiologu i njohur Erion Dasho tha mbrëmjen e sotme në emisionin Open se Komiteti Teknik në Shqipëri nuk ka një strategji të saktë lidhur me situatën.
Dasho tha se debati se kur është shfaqur rasti i parë me koronavirus ka interes sepse kjo lidhet me masat, dhe me ecurinë e epidemisë në Shqipëri.
“Publiku ka një të drejtë absolute për tu infirmuar, pasi është ai që po e paguan prej 9 javësh me izolim këtë situatë”, tha Dasho.
Lidhur me procesin e hapjes, Dasho tha se shkollat për fëmijët nën 14 vjeç mund të fillojnë, vetëm nëse kemi të dhëna nga institucione të besueshme.
“Unë mendoj se mbrojtja nga Covid 19 është individuale, pra nuk duhet të krijojmë idenë se nga kjo hata do na mbrojë shteti. Ndaj mendoj se edhe Universitetet mund të happen, kuptohet duke u mbrojtur me maska dhe doreza”, tha Dasho.
Por mjeku infeksionist Pipero tha se për këtë duhet të respektohen udhëzimet e grupit të ekspertëve.
“Mendoj se në kushtet e pandemive apo epidemive, nuk mund t´i lihet mbrojtja vetëm individit, pasi ti mund të mbrohesh, por ai tjetri nuk mbrohet dhe kthehet në një problem”, tha Pipero.