Kryeministri Edi Rama theksoi sot, gjatë një komunikimi me qytetarët, se Qeveria ka marrë masat e duhura në luftën kudër COVID-19, ndërsa shtoi se Shqipëria është vendi me më pak vdekje për 1 milion banorë në kontinent.
Rama u kërkoi shqiptarëve “edhe pak durim”, ndërsa tha se më 11 maj, duke parë dinamikën e shifrave, do të hapen korridoret tokësore dhe ajrore për të hyrë në vend.
“Të ishte për mua dhe qeverinë, nuk do të donim kurrë të gjendeshim në këtë situatë. Por deri tani këtë situatë po e kalojmë me dinjitet. Shqipëria është vendi me më pak vdekje për 1 mln banorë në të gjithë kontinentin, bashkë me Bullgarinë.
Kjo nuk ka ardhur se armiku i padukshëm ka thënë se me shqiptarët nuk po merrem se janë popull i vështirë, por sepse kemi marrë masat e duhura. Duhet edhe pak durim.
Nuk do duroni aq sa keni duruar, për 11 majin nëse na jep mundësi dinamika e shifrave në spital, në respirator, në nivelin e infektimit, do të hapin korridoret tokësore dhe ajrore për të hyrë në vendin tonë”, tha Rama.
Ai u shpreh se e gjithë kjo përpjekje, e gjithë kjo sakrificë dhe stres që na ka krijuar një situatë e befasishme, në fund të ditës vlerësohet me rezultatin që na jep në vijën e zjarrit, aty ku bëhet edhe përballja e madhe, në spitalet që janë të përgatitura për të pritur pacientët.
“Aktualisht janë 35 pacientë gjithsej, shifër e ulët kjo. Kemi vetëm 7 pacientë në reanimacion dhe më e rëndësishme akoma është që në këtë moment që flasim nuk kemi asnjë person me respirator. Kemi dhënë dje vendimin në lidhje me shkollat. Nga të gjithë vlerësimet e bëra, duke parë edhe vendet e tjera, ne kemi arritur në konkluzionin që në 18 maj të çelim vetëm procesin mësimor vetëm për maturën shtetërore.
Të tjerët do të kalojnë në vitin e ardhshëm shkollor me rezultatin që kanë patur kur është ndërprerë shkolla. Kjo bëhet për të mbrojtur jetët e njerëzve. Nga ana tjetër sot që flasim kemi kthim masiv në punë të shumë kategorive dhe shumë individëve.
Shumë prej tyre kanë marrë fashën e dëmshpërblimit dhe do vazhdojnë ta marrin. Po vazhdojmë të disbursojmë pagesat e paketës së zgjeruar duke vënë re një problematikë, për rreth një numër prej 2000 apo 3000 persona të cilët kanë gabuar duke dhënë një kod të gabuar. U është kërkuar bankave që personat që janë me këtë kod të gabuar do të kontaktohet me personat drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë problem.
Janë mbi 200 vetë që nuk korrespondojnë me fazën e aplikimit. Nesër drejtoria e tatimeve do i çojë një mesazh që u është akorduar paga e luftës. Zonat e gjelbërta kanë një regjim më të lehtësuar dhe ne po studiojmë dhe po presim njëkohësisht nga komiteti i ekspertëve propozimin për zgjerimin e hapjes në këto zona. Në dy ditët në vijim do të njoftojmë për zonat e reja të gjelbërta. Faktikisht hapja do të vazhdojë me kujdes duke pasur parasysh rregullat strikte.
Duke dëgjuar ankesat, vërej diçka që më bën përshtypje, personalisht. Është e gjithë bota kështu. Gjermania, ka një rritje të zinxhirit të infeksionet, pas rihapjes, kërkohet rishikim të rihapjes…Faktikisht në Greqi nuk lejohet lëvizja nga prefektura në prefekturë. Kur flasim për kufij thoni, ‘hap kufijtë se na vrave’, unë jam i tilli e i atilli, por e shihni çfarë ndodh në vendet e tjera”, tha Rama.