Nga Boldnews.al
Shërbimet e konsulencës janë një nga tenderat më të preferuara për shumicën e institucioneve qeveritare. Në disa raste, këto tendera kanë shërbyer për të mbushur xhepat e biznesmenëve që financojnë fushatat e partive politike. Por kur këto tendera bëhen në një mungesë të theksuar transparence me publikun, atëherë situata paraqitet akoma edhe më dramatike.
Boldnews.al disponon dokumenta se Agjencia Kombëtare e Turizmit, ka hapur një thirrje për pjesëmarrje në tender me objekt “Shërbim konsulence” për promovimin dhe hartimin e strategjisë së zhvillimit në fushën e turizmit. Tenderi ka një fond limit prej rreth 600 milion lekësh ndërkohë që pritet të zgjasë për një periudhë 12-mujore që nga momenti i lidhjes së kontratës.
Por kjo aferë për shërbime konsulence ngre hije të forta skandali, pasi Agjencia Kombëtare e Turizmit e ka shpallur sot njoftimin në Agjencinë e Prokurimit Publik ndërsa po sot është zhvilluar edhe tenderi.
Sipas të dhënave të siguruar nga Boldnews.al, data e dorëzimit të dokumentacionit për shprehje interesi është 12 shtatori në orën 10:00 ndërsa afati kohor për hapjen e kërkesave është sërish në të njëjtën datë dhe orë, pra 12 shtator ora 10:00.
E sikur të mos mjaftonte kjo, sot është një festë botërore si ajo e Kurban Bajramit dhe e gjithë administrata është pushim. Por për pushtetarët, kjo festë shihet si një mundësi e mirë për të grabitur në ditën me diell fondet publike.
Ende nuk dihet se kush është kompania e cila ka fituar këtë tender në një ditë pushimi dhe në një procedurë të dyshimtë.
Tenderi prej 600 milion lekësh për shërbime konsulence për Agjencinë Kombëtare të Turzimit vjen në një kohë kur sezoni turistik veror që shënon kulmin e turizmit në Shqipëri, ka përfunduar. Shpenzimet marramendëse për konsulencë turizmi janë të panevojshme teksa mijëra shumë qytetarë rreken për të siguruar çdo ditë ushqimin për mbijetesë. Dyshime të forta lindin sesi do të përdoren këto para për rritjen e turizmit gjatë dimërit nga kompania që ka fituar tenderin.
Agjencia Kombëtare e Turizmit është në varësi të Milva Ekonomi, Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në krye të këtij institucioni qëndron Ardit Çollaku dhe si pas burimeve të Boldnews.al, ai vjen nga radhët e Partisë Socialiste ndërsa njihet për lidhjet e ngushta me Ministrin e Financave Arben Ahmetaj.