Presidenti Ilir Meta ka vënë theksin sot te bashkëpunimi si një prej rrugëve për të tejkaluar situatën e vështirë të krijuar nga pandemia globale e Covid-19.
Gjatë vizitës në Shkodër ku pati takime me Prefektin e Qarkut, njëherazi Kryetar i Komisionit lokal të Emergjencave, Çesk Millja, Drejtorin e Shëndeti Publik Dr.Astrit Beci, si dhe më pas me Kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, Presidenti tha se ka besim se përmes bashkëpunimit të Shtabit të Emergjencës, të drejtuar nga prefekti, të kryetares së Bashkisë dhe stafit të saj, por edhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të pushtetit vendor dhe qendror, janë të gjitha mundësitë për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë pandemi.
“Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve në respektimin e të gjitha kufizimeve të distancës sociale, të këshillave të autoriteteve të shëndetit publik, në mënyrë që jo vetëm të izolojmë të gjitha rastet dhe të ndihmojmë për t’u shëruar të gjithë të prekurit nga COVID-19, por njëkohësisht të garantojmë mposhtjen e kësaj pandemie sa më shpejt dhe rikthimin në normalitet të jetës sa më parë të jetë e mundur.
Dua ta falënderoj kryetaren e Bashkisë për angazhimin dhe përkushtimin e saj, edhe të stafit të Bashkisë, në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave të qarkut dhe me të gjitha autoritetet e tjera.
Jam i bindur se përmes këtij bashkëpunimi do mbrojmë shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve të bashkisë së Shkodrës që ka shtrirje mjaft të gjerë gjeografike, nga Velipoja e deri në Theth”, tha Meta.
Në vijim ai ftoi të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë proces!
“Askush të mos ndihet fajtor dhe të rrezikojë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo për të mos realizuar procesin e karantinimit në rastet e dyshuara! Pasi nuk është turp që të kesh COVID-19. Është turp që të jesh i pakujdesshëm dhe t’ua transmetosh njerëzve të tjerë, familjes, fqinjëve dhe të gjithëve me radhë. Por unë besoj se jemi në rrugën e duhur të përmirësit të situatës.
Shpresojmë se duke filluar nga sot edhe në Qarkun e Shkodrës, i cili padyshim që është një qark mjaft i ekspozuar, edhe për arsye të tri pikave të kalimit kufitar, të cilat vazhdojnë të jenë mjaft aktive për shërbime të ndryshme, por edhe për arsye të tjera.
Shpresoj dhe besoj shumë te qytetaria shkodrane si dhe te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i tyre me autoritet vendore”, tha Meta.