Nga verifikimet paraprake në qarkun e Durrësit janë vlerësuar si të dëmtuara plotësisht dhe pjesërisht rreth një mijë ndërtesa. Në Tiranë raportohen me dhjetra banesa që kanë pësuar dëme, edhe pse zytarisht do të duhet kohë të merren të dhëna, pasi vëmendja dhe interesi është përqendruar në zonat më pranë epiqendrës së tërmetit.
48 orë pas ngjarjes tragjike, Bashkia Tiranë ende nuk ka informacion mbi numrin e banesave të dëmtuara. Një i ashtuquajtur ekip vlerësimi është parë në terren vetëm paraditen e së enjtes në njësinë nr 6 në kryeqytet, por ende nuk janë kryer vlerësime nëse ndërtesat e dëmtuara mbeten të banueshme apo jo, çka do të kthente braktisjen e tyre në detyrim për banorët raporton ‘Shijak TV’.
Në Tiranë deri tani vetëm një pallat është rrethuar me shiritat e kuq të rrezikut. Dhjetra telefonata kanë mbërritur në redaksinë tonë. Banorë të Tiranës kërkojnë ndihmë për evidentimin nga autoritetet shtetërore të shkallës së rrezikut që paraqesin banesat e tyre pas tërmetit. Në Krujë 6 pallate janë shpallur të pabanueshme. Një pjesë e banorëve të tyre janë strehuar në hotele e të tjerë në palestrën e shkollës nr 4 në qytet. Edhe kulla e Kalasë së Krujës ka pësuar çarje.
Në Fshatin Prezë gjithashtu janë bërë dëme të mëdha në ndërtesa e gjithashtu edhe simboli i kësaj zone, Kalaja është dëmtuar rëndë. Ndërkohë në qytetin e Kavajës janë evakuuar me forcë 80 banorë, pasi pallatet ku banonin janë vlerësuar si të pabanueshëm. Madje mësohet se këto ndërtesa ishin shpallur të pabanueshme që pas tërmetit të 21 shtatorit 2019, por pronarët e tyre kishin kryer ndërhyrje për përmriësimin e gjendjes dhe ishin kthyer në to.
Në Kurbin raportohet për rreth 200 ndërtesa të dëmtuara, nga të cilat 30 tërësisht të pabanueshme. Dëme mësohet se ka edhe në Mamurras, e Lezhë, por ende nuk janë bërë verifikime nga ekipet e emergjencave civile apo autoritete të tjera shtetërore.