Partia Demokratike tha se do të bënte një kallëzim penal në lidhje me një pagesë të dyshuar prej 80 mijë dollarësh nga Shqipëria për fushatën e presidentit amerikan Obama, për të cilën dyshohet se shuma është paguar në mënyrë që të bëhej edhe një foto më pas midis Obamës dhe Edi Ramës, në atë kohë kryetari i opozitës. Bëhet fjalë për vitin 2012.
Në kallëzimin e përgatitur nga Partia Demokratike, të cilin Ora News e disponon, thuhet se Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar lajmin se shtetasi shqiptaro-amerikan Bilal Shehu ka paguar para në mënyrë të jashtëligjshme me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në autoritetet amerikane për të lejuar hyrjen e shtetasit Edi Kristaq Rama në një event elektoral të vitit 2012 të Presidentit të SHBA Barack Obama.
“Nga ky veprim i kundërligjshëm nuk është arritur të sigurohet hyrja në aktivitet, por është arritur të sigurohet vetëm realizimi i një fotoje midis Edi Ramës dhe Presidentit Barack Obama, e cila është publikuar në Shqipëri nga vetë shtetasi Edi Rama”, thuhet në kallëzimin e PD-së.
Sipas padisë, shtetasi Bilal Shehu që jeton në Nju Xhersi ka pranuar para drejtësisë amerikane se në shtator të vitit 2012 kishte marrë një shumë prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj duke i derdhur ato në një komitet mbledhjesh fondesh për fushatën presidenciale të Obamës.
Qëllimi ishte që një shtetas i huaj të mund të ishte i pranishëm në një takim elektoral që do të zhvillohet në San Fransisko më 8 tetor 2012.
“Bilal Shehu ka pranuar se më herët gjatë Tetorit 2012 kishte fluturuar në San Fransisko në përpjekje për të siguruar një hyrje në eventin për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj, të cilit i ishte ndaluar hyrja por që i ishte mundësuar gjithsesi një foto me Presidentin Barack Obama”, thuhet më tej.
Për të gjitha këto, Partia Demokratike thotë se ka dyshime të arsyeshme se shtetasi i huaj është Edi Rama, aktualisht kryeministër i Shqipërisë. “Sipas agjencisë prestigjoze të lajmeve Reuters, personi që përfitoi nga financimi i paligjshëm është Edi Rama”, shkruan PD.