Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se mbështet marrëveshjen me SHBA për një kredi për pajisjet ushtarake, por thotë se nuk do të pranojnë të votojnë procedura antikushtetuese.
Sipas kreut të PD, kjo marrëveshje nuk mund të futet me procedurë të përshpejtuar, siç ka vendosur mazhoranca.
Sipas tij, Kushtetuta është një letër e djegur për Edi Ramën.
“Kjo që ndodh sot në parlament brenda, ky është një akt tjetër i turpshëm i Edi Ramës, i cili një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtje, për çka PD është mirënjohëse, do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese. Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor.
Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese para tre muajve ku konsideron votim jokushtetues votimin për Bordin e Paqes apo për një çështje tjetër. Por Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të, dhe se ky është një sundimtar që nuk ka ligj, as moral”, tha Berisha ndër të tjera.
Marrëveshja, e sjellë nga qeveria ditën e premten, parashikon një hua në shumën 302 milionë dollarë amerikanë, e cila pretendohet të përdoret për nevojat e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.














