Tenderët e Bashkisë së Kamzës kanë qenë tepër të dyshimtë, me paratë që hidhen lumë për rrugë dhe infrastrukturë, me justifikimin e ndërtimit të një “qyteti të ri”, por që dy kryetarët e fundit, Xhelal Mziu dhe aktuali Rakip Suli janë vënë në qendër të vëmendjes dhe verifikimeve. Nëse Mziu ia ka hedhur paq deri më tani, me disa denoncime sporadike në prokurori, kryetari aktual Suli, i njohur me nofkën “Kipja”, vijon që të firmosë vetë apo të udhëzojë vartësit për të vënë firmën mbi tendera tepër të dyshimtë, të paracaktuar dhe me kritere tepër të dyshimta.
Vox News ka hulumtuar dokumentet e një tenderi me vlerë 700 mijë euro, të cilat janë bërë në mënyrë tepër të dyshimtë, madje ka pasur indicie tepër të mëdha se gjithçka po realizohej që të shpallej fituese kompania “Bonus”. Bëhet fjalë për procedurën e ndërtimit të disa rrugëve, teksa që nga koha e shpalljes e deri në njoftimin e fituesit, letrat kanë qenë të dyshimta, ku Suli ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë që t’a fitonte kjo kompani, e cila ka marrë edhe punë të tjera në atë zonë.

Sipas dokumenteve, në vitin 2025 Bashkia e Kamzës hapi tenderin me objekt “ndërtim rrugët Bathore, Valias, Laknas” me një vlerë prej 67,954,583 lekë ose rreth 700 mijë euro. Kërkohej një firmë që të bënte këto punime për 115 ditë, ndërkohë që në procedurë morën pjesë mbi 10 kompani dhe fitues doli një firmë e njohur për Rakip Sulin, firma Bonus Shpk, e cila kishte bërë edhe disa punë të tjera në atë zonë.
Ende pa u shpallur fituesi, një nga kompanitë që donte të merrte pjesë në atë procedurë, Almo, i kundërshtoi në KPP, pasi disa kritere ishin “qepurë” në mënyrë të tillë që vetëm një firmë t’i fitonte. Komisioni vendosi të pranojë pjesërisht ankesën, ndërkohë që detyroi Bashkinë e Kamzës që të rregullonte kriteret. Dyshimet janë se sërish Kipja dhe të tijtë i bënë sërish me të njëjtën metodë, që të fitonte firma e preferuar, Bonus. Tenderi në fjalë ka zbuluar lidhjet mes firmës në fjalë dhe krerëve të Bashkisë së Kamzës, madje edhe të vetë kryetarit Rakip Suli, i cili hap procedura dhe fitues dalin të njëjta kompani.

Por, skandali thellohet më tej për shkak se e njëjta kompani që u shpall fituese u skualifikua nga tenderët për shkak se ka paraqitur dokumente false në këtë tender. Në muajin korrik 2026, Agjencia e Prokurimit Publik nxori një njoftim për të lajmëruar masat ndaj kësaj kompanie, nga e drejta për të fituar kontrata publike.
Dyshimet janë se Bonus keqinformoi për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit me objekt “ndërtim rrugët Bathore, Valias, Laknas”, të zhvilluar nga Bashkia Kamëz. “Procedimi administrativ ndaj operatorit ekonomik ‘Bonus’ ka nisur bazuar në informacionin periodik të shkëmbyer me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore”.
Sipas saj, në përfundim të procedimit administrativ të nisur, u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet e nenit 78/1/a të LPP, ku parashikohet se ‘Agjencia e Prokurimit Publik përjashton një operator ekonomik nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet për keqinformim dhe dorëzim të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rre?? për qëllime kualifikimi”. Në fund, kjo kompani u skualifikua nga e drejta për të fituar kontrata publike, për 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Sipas dokumenteve, Bonus ka fituar një sërë tenderash publikë për punë ndërtimi, kryesisht rrugë, kanale ujitëse dhe punime infrastrukturore, pjesën më të madhe në Bashkinë e Kamzës. Po në vitin 2026 ka fituar procedurën për të ndërtuar rrugët në Paskuqan e Bathore me vlerë 700 mijë euro, ka fituar në vitin 2022 për të ndërtuar rrugën “Shen Gjergji” dhe “Ali Pashë Gucia” me vlerë 60 milionë lekë, po në Kamëz. Rezulton se kompania ka fituar dhe projekte të tjera më të vogla për sistemime rrugore dhe kanale ujitëse në Bashkitë Dibër dhe Bulqizë.














