Protesta antiqeveritare vijon edhe këtë të mërkurë, duke hyrë në ditën e 53-të radhazi. Qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, por edhe nga diaspora, janë mbledhur sërish për të kërkuar ndryshime të thella politike dhe për të ngritur shqetësimet e tyre mbi zhvillimet në vend.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit janë grumbulluar fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku zhvillohet tubimi kryesor.
Gjatë protestës pritet të përsëriten sloganet që kanë shoqëruar lëvizjen që prej fillimit të saj, si: “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria nuk është në shitje”.
Edhe në ditën e 53-të të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”, protestuesit pritet të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, si edhe hetimin nga SPAK të kryeministrit dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku për aferat korruptive që, sipas organizatorëve të protestës, duhet të hetohen nga drejtësia.














