Aktivisti Ardesian Binjakaj ka sjellë në protestën e 52-të një simbolikë të veçantë kundër kryeministrit Edi Rama, duke prezantuar një kurorë me mbishkrimin “Mbret pa popull”.
Sipas Binjakajt, kjo kurorë përfaqëson mesazhin që protestuesit i dërgojnë kryeministrit, duke pretenduar se ai ka humbur mbështetjen e qytetarëve.
“‘Mbret pa popull’, kjo është kurora që kemi përgatitur për Edi Ramën. E kam qëndisur me mesazhin e thjeshtë që tashmë ai e ka humbur mbështetjen që ka pasur nga ata 800 mijë votues që ai përmend dhe ne po e dekorojmë me humbjen e kësaj mbështetjeje”, tha aktivisti.
Ai akuzoi mazhorancën se nuk pranon kritika apo gabime dhe se, sipas tij, qeveria e konsideron çdo vendim të saj si të drejtë.
“Çdo gjë që bën pushteti aktual, ata nuk pranojnë dot as edhe një faj, as edhe një gabim, as edhe një kritikë. Në sytë e tyre, ajo që po bëjnë është gjithmonë e saktë”, u shpreh Binjakaj.
Aktivisti kritikoi edhe reagimet e zyrtarëve ndaj protestës, duke u ndalur te deklaratat e ministrit Blendi Gonxhja, i cili i ka cilësuar protestuesit si “budallenj”.
“Sipas tyre ata janë të mençurit dhe ne, populli, jemi budallenj”, tha Binjakaj, duke shtuar se reagime të tilla, sipas tij, tregojnë mungesë respekti ndaj qytetarëve.
Ai deklaroi se protesta prej 52 ditësh nuk lidhet vetëm me çështjen e zonave të mbrojtura, por edhe me akuza për korrupsion, keqqeverisje dhe abuzim me pushtetin.
“Kryeministri të mos na bëjë të paditurin. Ne kemi 52 ditë që po dalim në shesh dhe po ia tregojmë pse po dalim. Nuk kemi dalë vetëm për zonat e mbrojtura, kemi dalë për korrupsionin, për gënjeshtrat dhe abuzimet”, tha aktivisti.
Binjakaj shtoi se protestuesit do të vijojnë qëndrimin e tyre, duke pretenduar se qeveria ka humbur legjitimitetin dhe se përpjekjet për të delegjitimuar protestën nuk kanë funksionuar.














