Analisti Fatos Lubonja vlerëson se protesta qytetare, e cila ka vijuar për 52 ditë rresht, duhet të finalizohet me zhvillimin e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një lidhje direkte për News24, Lubonja u shpreh se kërkesat e protestuesve nuk mund të negociohen, ndërsa theksoi se lëvizja duhet të ruajë karakterin demokratik dhe gjithëpërfshirës, pa lejuar dominimin e një grupi të vetëm.
“Kërkesat e protestuesve janë të panegociueshme. Pas gjithë kësaj proteste duhet të shkojmë në zgjedhje dhe secili të shprehet me votë. Nuk jemi këtu për të vendosur një diktaturë të re, por për të zgjidhur një problem që lidhet me demokracinë”, tha Lubonja.
Ai u shpreh gjithashtu në favor të organizimit të një Kuvendi të protestës, por shtoi se ai duhet të shërbejë për përfaqësimin e të gjitha grupimeve dhe jo për përplasje apo përjashtime mes tyre.
“Nuk do të isha kundër mbajtjes së një Kuvendi. Në protestë ka ideologji, interesa dhe grupime të ndryshme. Të gjithë duhet të përfaqësohen. Jam kundër logjikës së përjashtimit dhe të dominimit të një grupi mbi të tjerët”, deklaroi ai.














