Autoritetet greke kanë arrestuar një 68-vjeçar shqiptar, pasi u kap duke transportuar mbi 55 kilogramë marijuanë në zonën e Follorinës, pranë kufirit greko-shqiptar.
Sipas policisë greke, arrestimi u krye pas një operacioni të organizuar nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 68-vjeçari, efektivët gjetën dy çanta udhëtimi dhe një thes me 50 pako marijuanë, me një peshë totale prej 55 kilogramë e 422 gramësh.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu tre telefona celularë, ndërsa ndaj të arrestuarit kanë nisur procedurat ligjore.
Sipas mediave greke, muajt e fundit është vërejtur një shtim i rasteve të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Vetëm në 11 muajt e fundit, autoritetet greke kanë sekuestruar mbi 1.2 ton marijuanë në zona si Igumenica, Janina, Kosturi, Follorina dhe Selaniku.
Raportohet se një pjesë e konsiderueshme e drogës është trafikuar përmes linjës Sarandë–Igumenicë, ndërsa në një rast autoritetet kanë bllokuar edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.














