Policia e Tiranës ka arrestuar një 34-vjeçar nga Egjipti, i cili dyshohet se organizonte transportimin e emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Organizatori”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve vunë në pranga shtetasin egjiptian A. H., 34 vjeç, banues në Krujë.
Ai u kap në flagrancë në autostradë, në afërsi të Rinasit, teksa transportonte drejt Shkodrës një shtetas egjiptian, i cili dyshohet se synonte të kalonte ilegalisht kufirin për të vijuar drejt një prej vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas Policisë, për të shmangur kontrollet, 34-vjeçari transportonte emigrantët një e nga një. Nga hetimet paraprake dyshohet se ai organizonte dhënien e ndihmës për shtetas të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve kundrejt pagesës.
Gjatë operacionit u sekuestrua telefoni celular i të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.














