Një 29-vjeçar shqiptar, i kërkuar për mashtrim në shkallë të gjerë, është arrestuar nga Policia Federale gjermane në Aeroportin e Frankfurtit, menjëherë pas mbërritjes së tij me një fluturim nga Dubai.
Sipas autoriteteve gjermane, i riu dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale, e cila ka mashtruar një numër ende të papërcaktuar viktimash në Gjermani, duke u shkaktuar dëme që arrijnë në të paktën dhjetëra milionë euro.
Hetimet tregojnë se grupi u premtonte investitorëve investime në asete të ndryshme, por në realitet paratë e tyre nuk investoheshin kurrë, duke ngritur një skemë të dyshuar mashtrimi financiar.
Arrestimi u krye të shtunën, sapo avioni nga Dubai u ul në Frankfurt. Sipas Policisë Federale, ndaj 29-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik të Dresdenit, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.
Pas arrestimit, ai u paraqit para një gjyqtari, ndërsa procedurat ligjore ndaj tij janë në vijim. Sipas autoriteteve, vetëm në Shqipëri ai rrezikon një dënim deri në 15 vjet burg për veprat penale për të cilat akuzohet.














