Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, është larguar ditën e sotme nga detyra.
Burime për mediat, bëjnë me dije se largimi i tij ka ardhur pas rekomandimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili në dy raporte të një pasnjëshme ka identifikuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Tolajt.
Tola është punësuar fillimisht nga Ogerta Manastirliu, dhe më tej, ajo aktualja Mirela Kumbaro. Të dy ministret kanë refuzuar me forcë për të zbatuar dy herë rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për shkarkimin e tij nga detyra.
Sipas audituesve të KLSH-së, shkeljet e Tolës, me rrogë 10 mijë euro, lidhen me moskryerjen e detyrave funksionale në kohë, vonesat ose mungesën e inicimit të proceseve gjyqësore për rikthimin e fondeve të përfituara nga studentë dhe nëpunës civilë në shkelje të kontratave, si dhe me keqadministrimin e mbështetjes financiare për studentët e ekselencës.
Siç ka raportuar më herët Boldnews, në zyrën e ministres Kumbaro është dorëzuar një raport, në të cilin konstatohet se Erzen Tola, “në cilësinë e nëpunësit civil më të lartë…nuk ka ndjekur në mënyrë të plotë zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë për rastin e punonjësve të larguar nga detyra, si edhe nuk ka siguruar kontroll efektiv mbi shpenzimet e karburanit”, veprime që kanë sjellë pasoja dhjetra milionë lekë dëm në buxhetin institucional.
Po ashtu thuhet se Sekretari i Përgjithshëm nuk ka marrë masat për rikthimin në llogaritë e institucionit të një shume prej rreth 7.5 milionë lekë të reja, “të përfituara padrejtësisht nga disa zyrtarë të larguar nga detyra”.
Të paktën dy ish-punonjës të Ministrisë së Arsimit janë paguar për largim të padrejtë nga detyra, ndërkohë që Gjykata e Lartë ua ka rrëzuar pretendimet. Në këto kushte, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Erzen Tola, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, duhet të kishte nisur procedurat për rikthimin e shumave të fituara në mënyrë jo-ligjore.
Më tej, audituesit e KLSH-së konstatojnë se Erzen Tola nuk ka administruar dokumentacion justifikues për shpenzimin e karburantit për vitet 2022-2023, me një dëm ekonomik që përllogaritet në vlerën e rreth 5 milionë lekë të reja.
“Për vitin 2022 janë përdorur 6899 litra naftë dhe 7950 litra benzinë, për një total prej 3.2 milionë lekë. Ndërsa për vitin 2023 janë përdorur 2874 litra naftë dhe 7898 litra benzinë, në një vlerë të llogaritur prej më shumë se 2 milionë lekë të reja”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Për këto shpenzime, audituesit shtetërorë konkludojnë se “vlera totale prej4.7 milionë lekë të reja përbën përdorim pa efektivitet, efiçensë dhe ekonomicitet për shkak të mungesës së dokumentacionit”.

Mbi bazën e këtyre gjetjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi “nisjen e procedurave për dhënien e masës disiplonore ‘largim nga shërbimi civil’”.
LEXO EDHE:
Kush është Erzeni i Ministrisë së Arsimit me rrogë 10 mijë euro dhe akuzat e rënda të KLSH-së













