Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë prezantimit të veprimtarisë së institucionit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deklaroi se duhet të shtohet numri i prokurorëve në instituionin e drejtësisë.
Ai bëri të ditur se numri i çështjeve të mosfilluara mbetet i lartë, rreth 17 mijë, ndërsa theksoi nevojën për më shumë burime njerëzore dhe përmirësim të infrastrukturës.
“Numri i çështjeve të mosfilluara është i madh, rreth 17 mijë çështje. Janë shtuar burimet njerëzore për t’ju ardhur në ndihmë prokurorëve. Numri i prokurorëve duhet të jetë më i lartë. Çëshja e dytë është infrastruktura, sepse s’kemi ku të vendosim prokurorët. Kemi bërë një projekt, por nuk është realizuar. Na është premtuar një godinë deri në 2030”, tha ai.
Duke folur për pavarësinë e prokurorëve, Çela e cilësoi atë një çështje kyçe, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e një mekanizmi efikas kontrolli.
“Sipas vlerësimit tonë, mungon një mekanizëm efikas. Dy mekanizmat janë vlerësimi i prokurorëve, që bëhet çdo pesë vite, dhe inspektimi. Mekanizmi që do të rriste efikasitetin është inspektimi, jo si dikur, por duhet një fuqi inspektuese për çështjet që lidhen me Kuvendin”, tha Çela.













