Nëntë qytetarë janë proceduar penalisht nga policia, pasi akuzohen se kanë qëndruar në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të protestës së zhvilluar mbrëmjen e 20 qershorit.
Sipas Policisë, pas përfundimit të protestës rreth orës 22:00, personat e proceduar kanë vijuar qëndrimin në zonë, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.
Në njoftim thuhet se ata kanë tejkaluar orarin e njoftuar për zhvillimin e tubimit dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Konkretisht procedimi ka nisur për shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Sipas njoftimit, materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.














