Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për 6 episode të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshin.
Kjo kërkesë e SPAK ka ardhur për shkak të parashkrimit të veprës penale, ndërkohë që vijojnë hetimet për 5 episode të tjera për shpërdorim detyre.
Seanca e radhës është caktuar për datën 28 prill.
Hetimi ndaj Elvis Roshit nisi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në shtator të vitit 2015. Sipas kallëzimit, Roshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh përmes procedurave të tenderimit për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet u konstatuan pas një auditi për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014. Në raport përmenden 12 tendera, kryesisht për rikonstruksion rrugësh, hapësirash publike dhe mbjellje pemësh dekorative.
Sipas KLSH-së, në disa raste është ndjekur standard i dyfishtë në vlerësimin e ofertave, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Në tre tendera të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët ishte skualifikuar padrejtësisht për shkak të llogaritjeve të gabuara.
Ndërkohë, më 17 maj 2025, SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale ndaj tij në kuadër të një hetimi tjetër, nën dyshimet për korrupsion zgjedhor gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit.














