Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me grabitjen e pikës së këmbimit valutor në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
Autori i dyshuar, 42-vjeçari Luan Maçi, i cili u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve të Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Sipas raportimeve, ai ka pretenduar se ishte i detyruar të kryente grabitjen për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij.
Nga veprimet hetimore rezulton se Maçi ka hyrë në orët e para të mëngjesit në pikën “Exchange” në qendrën tregtare Concord, në rrugën “5 Maji”. Pasi ka kërcënuar punonjësen me armë zjarri, ai ka arritur të marrë një shumë parash që dyshohet të jetë rreth 3 milionë lekë.
Sipas burimeve, 42-vjeçari nuk është i panjohur për organet e rendit, pasi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për vepra të ndryshme.
Në momentin e grabitjes ai dyshohet se ishte i veshur me rroba të zeza dhe mbante mjekër, ndërsa pasi është kthyer në banesë dyshohet se e ka rruar atë, në përpjekje për të ndryshuar pamjen dhe për t’i shpëtuar identifikimit nga policia.














