Janë publikuar pamjet nga ngjarja e regjistruar mëngjesin e kësaj të enjte në zonën e 5 Majit në Tiranë, ku një pikë këmbimi valuator u grabit brenda qendrës tregtare Concord Center.
Siç mund të shihet dhe në foton e mësipërme autori, ende i paidentifikuar, me jelek të zi dhe xhup blu me kapuç, është futur brenda pikës së këmbimit dhe nën kërcënimin e armës ka marrë një shumë parash dhe më pas është larguar nga vend i ngjarjes.
Nuk dihet se si autori ka mundur të futet në qendrën tregtare i armatosur, sakaq policia thotë se ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tij.
“Rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth. Shërbimet e Policisë po krehin zonën dhe po vijojnë kontrollet me qëllim kapjen e autorit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”,- thuhet në njoftimin e Policisë.














