Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një 20-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Rikardo Mekuri, dyshohet se ka dhunuar brutalisht nënën e tij në banesë dhe më pas është hedhur zhdukur.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00. Në banesë ndodheshin vetëm 20-vjeçari dhe nëna e tij, Albana. Ndërsa, babai, Kastrioti dhe djali tjetër i familjes nuk ishin në shtëpi në momentin e incidentit.
Një fqinje ka njoftuar menjëherë karabinierët pasi ka dëgjuar britma që vinin nga apartamenti i familjes Merkuri. Kur forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje, i riu ishte larguar, ndërsa gruaja është gjetur pa ndjenja në tualet. Ajo është transportuar me urgjencë në spitalin e Maceratës, ku mjekët kanë konstatuar frakturë në nofull. Gjendja e saj raportohet e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes janë nisur kërkimet për 20-vjeçarin, i cili akuzohet për plagosje të rëndë me rrethana rënduese. Ai ishte larguar me automjetin e tij, ndërsa telefonin celular e kishte lënë në banesë, ku u sekuestrua nga hetuesit.
Sipas raportimeve, automjeti i tij u gjet i parkuar pranë hyrjes së portit të Civitanovës. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të riun duke hyrë në zonën portuale dhe më pas duke u hedhur në det. Sipas regjistrimeve, ai ka dalë në sipërfaqe dhe është hedhur sërish, përpara se të zhduket nga pamjet.
Nuk dihet ende fati i të riut, nëse ka arritur të dalë më nga deti apo jo, sakaq autoritetet italiane vijojnë kërkimet për gjetjen e tij.














