Nga Ilir Kalemaj
Javën që shkoi, një nga çështjet kryesore që u bë lajm mbarëbotëror krahas zhvillimeve në teatrin e luftës Rusi-Ukrainë, apo zhvillimeve të fundit të Marinës amerikane që duken se kanë rrethuar strategjikisht Maduron dhe regjimin e tij, ishte strategjia e re amerikane e sigurisë.
Interesante ishte përpos ridimensionimit të raporteve SHBA-BE dhe se si e shihte të ardhmen e kësaj marrëdhënie Uashingtoni, ishte edhe strategjia e re për Ballkanin Perëndimor që ishte pjes përbërëse e këtij dokumenti bazë që përcakton drejtimin e politikës së jashtme amerikane.
Duke qenë se SHBA ka një rol dhe peshë përcaktues në këtë rajon që përfshin edhe Shqipërinë, vlen të sillen disa elementë që kanë të bëjnë me rajonin. Së pari duke qenë se linjëzimi i sigurisë së re kombëtare të SHBA përqendrohet rreth lejtmotivit ‘Amerika e Para’ me theks të veçantë në interesat kombëtare dhe sigurinë ekonomike, pra një qasje klasike realiste, edhe marrëdhënia me këtë rajon kornizohet sipas këtyre interesave.
Së dyti dhe e ndërlidhur, Ballkani përfshihet mes zonave me ndjeshmëri strategjike. Marrëdhëniet dhe negociatat për paqe mes Kosovës dhe Serbisë përmenden si pjesë e kontekstit të punës së administratës amerikane, me fokus të vazhdueshëm në stabilizimin e rajonit.
Ndërkohë strategjia e konsideron Kosovën si një nga pikat më të brishta të sigurisë evropiane, duke paralajmëruar se tensionet po përdoren nga fuqi të huaja (duke iu referuar Rusisë dhe Kinës) për të goditur NATO-n dhe stabilitetin rajonal.
Dokumenti në përgjithësi kërkon rritjen e vetë-mbështetjes së Evropës në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, duke sinjalizuar një tranzicion drejt një rendi ndërkombëtar më të fragmentuar. Disa analistë e interpretojnë këtë si një ulje të përfshirjes tradicionale të SHBA-së në zgjidhjen e çdo konflikti në rajon.
Një qëllim i përgjithshëm i stabilizimit të Ballkanit është t’i lejojë SHBA-së të përqendrojë më shumë vëmendje dhe burime në sfidën gjeopolitike me Kinën. Në mënyrë pra të përmbledhur, strategjia e re reflekton një ndryshim epokal në politikën amerikane, ku Ballkani Perëndimor shihet përmes një lenteje të re të konkurrencës së fuqive të mëdha dhe nevojës për një qasje më të fokusuar te interesat amerikane.
Në lidhje me shtetet e veçanta të këtij rajoni, në lidhje me Kosovën dhe Serbinë kjo strategji thekson vazhdimin e negociatave, por me theks të fortë kundër ndryshimit të kufijve. Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare pa hapur ‘kutinë e Pandorës’ të rishikimit të kufijve në përgjithësi duke e konsideruar këtë çështje një pikë të brishtë të sigursië evropiane që duhet mbyllur.
Për Bosnje-Herzegovinën parësore është ruajtja e sovranitetit dhe stabilitetit. Adresimi i vazhdueshëm i ndarjeve dhe kërcënimeve për shkëputje, veçanërisht nga ndikimi rus. Kjo kërkon mbështetje për institucionet qendrore dhe dekurajim i politikave destabilizuese serbe (Republika Srpska).
Rreziku i përshkallëzimit në BiH kërkon vëmendje të vazhdueshme, por theksi vendoset te BE-ja dhe rolet ekzistuese të NATO-s si dhe EUFOR-it. Vendet antare të NATOs në rajon Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shihen si stabilizues rajonalë.
Qëndrimi i tyre nën ombrellën e NATO-s i bën ato më pak të rrezikuara nga luhatjet strategjike. Fokusi mbetet te konsolidimi i reformave dhe integrimi i suksesshëm në strukturat e BE-së (shumë më tepër si një çështje e BE-së sesa e SHBA-së).
Përmes këtij prizmi, SHBA duket se nuk ka hequr dorë nga Ballkani Perëndimor, por ka ndryshuar mekanizmin e angazhimit: nga ndërmjetësi kryesor i zgjidhjes së çdo problemi, në një garant të lartë të stabilitetit territorial, duke i lënë më shumë hapësirë Evropës për të udhëhequr procesin e reformave dhe integrimit.
Kësisoj duket se strategjia e re e SHBA-së do të ndikojë drejtpërdrejt në strategjinë dhe ndjeshmërinë e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor. Aty ku të dyja anët e Atlantikut bëhen bashkë është te shqetësimi se nëse reduktojnë prezencën e tyre në rajon, boshllëku i krijuar mund të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë, duke i dhënë Rusisë dhe Kinës mundësinë të forcojnë ndikimin e tyre destabilizues.
Në lidhje me Rusinë, kjo mund të shihet si një dritare mundësie që të nxisë më tej tensionet në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, me qëllim që të dëmtojë kohezionin e NATO-s dhe BE-së. Ndërsa ndikimi i Kinës, kryesisht përmes investimeve në infrastrukturë (për shembull, në Serbi), rrezikon të lidhë ekonomikisht vendet e rajonit, duke e bërë më të vështirë për to anëtarësimin në BE dhe duke ndryshuar standardet e transparencës dhe qeverisjes.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka parë gjithmonë angazhimin e SHBA-së si një katalizator (nxitës) të rëndësishëm për reformat në vendet kandidate. Një rënie e dukshme e interesit të SHBA-së mund të çojë në ngadalësimin e ritmit të reformave të vështira anti-korrupsion dhe të sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi politikanët vendas mund të ndihen më pak nën presion për t’iu përmbajtur standardeve perëndimore.
Si përgjigje, BE-ja ka sinjalizuar një angazhim të ripërtërirë (ndoshta i detyruar) ndaj Ballkanit Perëndimor, duke shpallur edhe Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky plan synon të injektojë fonde të konsiderueshme dhe të hapë tregun e saj të përbashkët për vendet e rajonit, si një përpjekje për të përshpejtuar integrimin dhe për të kundërshtuar ndikimet e huaja. Impakti i strategjisë së SHBA-së (që kërkon vetë-mbështetje më të madhe evropiane) mbi Planin e Ri të Rritjes (Growth Plan) të BE-së për Ballkanin Perëndimor është thelbësor.
Plani i Rritjes, i shpallur si përgjigje e BE-së ndaj nevojës urgjente për t’i dhënë shpejtësi integrimit, tani mbart një peshë më të madhe, duke u kthyer nga një nismë integruese, në një mjet strategjik kundër-ndikimi. Plani i Rritjes shikohet tani jo vetëm si një instrument zhvillimi, por si një pengesë e domosdoshme kundër ndikimit Rus dhe Kinez, si dhe një tregues se BE-ja po merr seriozisht përgjegjësinë e saj.
Plani synon të përafrojë ekonomitë e rajonit me tregun e vetëm të BE-së në shtatë sektorë (si lëvizja e mallrave, shërbimet, pagesat dixhitale) dhe ofron një fond prej 6 miliardë Euro me kusht që të bëhen reforma thelbësore. Duke u distancuar gjeopolitikisht, SHBA-ja e ka bërë të qartë se mbrojtja e ‘oborrit’ të Evropës është përgjegjësi evropiane. Kjo e ka detyruar BE-në të veprojë shpejt, para se vendet të lidhen më thellë ekonomikisht me Kinën përmes borxhit apo investimeve jo-transparente. Vëmendja e BE-së tani është e përqendruar te stabiliteti rajonal si një parakusht absolut për suksesin e Planit të Rritjes.
Edhe pse SHBA-ja ka ndryshuar fokusin, ajo mbetet një partner kyç për BE-në në Ballkan, veçanërisht në çështjet e sigurisë dhe anti-korrupsionit. BE-ja dhe SHBA-ja vazhdojnë të koordinojnë dërgimin e mesazheve për sanksione (kryesisht ndaj aktorëve destabilizues në Bosnjë dhe Serbi). Kjo ndihmë është thelbësore, pasi Plani i Rritjes ofron perspektivë ekonomike, ndërsa SHBA-ja ofron ‘shkopin’ e sanksioneve dhe vullnetin politik.
Në thelb, strategjia e re e SHBA-së ka bërë që Plani i Rritjes i BE-së të bëhet një instrument gjeopolitik më shumë se sa një instrument integrimi thjesht teknik.Si parashikime për të ardhmen e afërt mund të thuhet që në Serbi, elita drejtuese do të vazhdojë të mbrojë politikën e tyre të ‘katër shtyllave’ (BE, SHBA, Rusi, Kinë), duke thelluar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën (veçanërisht marrëveshjet e armëve dhe infrastrukturës) në një përpjekje për të fituar leva negociuese ndaj Perëndimit.
Çdo sinjal i dobësisë apo heqje dorë nga SHBA-ja konsiderohet si hapësirë e re manovrimi. Në Bosnje-Hercegovinë, aktorët destabilizues (si në rastin e Republikës Srpska) mund të nxiten nga ky ndryshim strategjik, duke e ndjerë më të lirë veten për të kundërshtuar institucionet qendrore, duke llogaritur që BE-ja do të jetë më pak e aftë se SHBA-ja për të vepruar në mënyrë të vendosur ushtarake ose diplomatike.
Rreziku është se liderët e këtyre vendeve mund të mos i marrin seriozisht kushtet e rrepta të Planit të Rritjes të BE-së, duke vënë veton ndaj reformave dhe duke u mbështetur në partneritete jo-perëndimore.
Nga ana tjetër, Kosova ka shfaqur njëfarë shqetësimi. Ajo e sheh SHBA-në si garancinë kryesor të pavarësisë dhe sigurisë. Çdo reduktim i qartë i interesit të drejtpërdrejtë të SHBA-së për zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve me Serbinë, e detyron Kosovën të punojë më ngushtë me BE-në, e cila tani ka një rol udhëheqës diplomatik.
Kjo e vë Kosovën nën presion më të madh për të bërë lëshime të lidhura me kushtëzimet e Planit të Rritjes (veçanërisht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë).Në përgjithësi, zhvendosja strategjike e SHBA-së ka rritur pasigurinë në rajon, duke i detyruar të gjithë aktorët të rishikojnë aleancat dhe prioritetet e tyre.
Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor nuk kërkon domosdoshmërisht investime masive, por synon tëdestabilizojë rajonin, duke ndalur integrimin euro-atlantik. Përmbledhtazi, strategjia e re e SHBA-së e ka bërë Ballkanin Perëndimor një fushë loje të rëndësishme, ku BE-ja duhet të luftojë intensivisht duke përdorur mjetet ekonomike (si Plani i Rritjes) kundër mjeteve destabilizuese të Rusisë dhe ndikimit ekonomik të Kinës.
Është interesante të shihet se si vendet e Ballkanit Prëndimor me shpejtësi të ndryshme integrimi në Bashkimin Evropian dhe me kurse diplomatike që kanë variacion mes tyre, me disa që kanë ndjekur tashmë prej dekadash diplomaci shumëvektoriale si Serbia dhe disa të tjera që e kanë të kushtëzuar linjëzimin e fortë evro-atllantik si Shqipëria dhe Kosova, do të arrijnë të përshtaten me një rend të ri të farkëtuar tashmë jo nga institucionet neoliberale por nga aleancat dhe rivalitetet gjeopolitike.
Shqiptarët kanë treguar përgjatë historisë që shpeshherë të zënë me konflikte të brendshme, kanë lënë anash të kuptuarit e realiteteve që sendërtojnë realitete të reja globale por po ashtu kanë pësuar jo pak siç thotë Charl W. Ingrao kur shprehet se ‘asnjanësia e shqiptarëve ose më saktë paqartësia e tyre, bëri ‘që të hynte në periudhën mes dy luftërave së bashku me një gruppopujsh para-kombëtarë në zhvillim si kroatët, sllovenët, boshnjakët, sllovakët dhe rutenët mes fitimtarëve dhe humbësve’.
Duke mos pasur mundësinë për të përfaqësuar interesat e veta kombëtare, fati i tyre iu besua fqinjëve, që ishin fuqizuar nga marrëveshja e paqes e Parisit. Ndonëse rezultatet nuk shin aspak katastrofike, kjo kujdestari indiferente i vuri ata në një plan me vendet e mundura të Luftës së Madhe’.
Natyrisht situata ndryshojnë, nuk ka një konstante historike dhe rrethanat nuk paraqiten kurrë njëlloj por rëndësia e mendimit strategjik dhe një qasje proaktive e politikave të sigurisë dhe politikës së jashtme për të ruajtur interesat kombëtare nuk është kurrë e tepërt. Madje domosdoshmëria që e kërkon veçanërisht koha ku jetojmë.














