Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia në Elbasan pasi akuzohet si autor i djegies së një makine.
Ngjarja u regjistrua një ditë më parë në rrugën “Caush Asllani”, fshati Katund i Ri ku sipas Policisë, Xhulio Musaj është kapur ‘mat’ nga kamerat e sigurisë teksa i vënë flakën makinës dhe më pas është larguar me shpejtësi nga zona. Ai rezulton se ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja”.
“U identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi:
Xh. M., 31 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri.
Ky shtetas dyshohet se më datë 20.11.2025, ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e një 29-vjeçari, për motive të dobëta. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi Xh. M. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Elbasanit, për veprën penale “Vjedhja”,- thotë Policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.














