Nga Boldnews.al
Mbrëmjen e 8 Gushtit, rreth orës 8 të mbrëmjes, 44-vjeçari italian Michele D’Angelo, profesor i bioteknologjisë në Universitetin e Aquila-s, po udhëtonte nga Vlora në drejtim të Fierit. Në bordin e mjetit Lancia me targa italiane gjendej edhe bashkëjetuesja e tij, Vanessa Castelli, gjithashtu pedagoge në të njëjtin universitet. Vanesa ishte ftuar si shoqëruese e parë e nuses në dasmën e një mikeje të saj shqiptare, rezidente prej vitesh në Itali.
Destinacioni i tyre ishte restorant “Katalea Palace”, në rrugën Fier-Levan. Në hyrje të resortit, mjeti Lancia ndalon në mes të rrugës. Hap sinjalin majtas për të kaluar në anën tjetër të karrexhatës, me qëllim për të hyrë në parkimin e lokalit.
Aksident dhe flakë
Në atë moment, një mjet Mercedes vjen në korsinë tjetër, me drejtim nga Fieri në Vlorë. Në një moment, Mercedesi përplaset në anën anësore të Lancias së italianit D’Angelo. Profesori italian thotë se makina tjetër ishte me shpejtësi. Pas kontaktit mes dy mjeteve, Mercedesi del nga rruga, rrokulliset disa herë dhe më pas merr flakë, sipas dosjes hetimore, të siguruar nga “Boldnews.al”

Michele D’Angeo dhe Vanessa dalin të tronditur nga automjeti i tyre dhe thërrasin për ndihmë. Në vend afrohen shumë njerëz, të cilët mundohen të nxjerrin nga Mercedesi personat e bllokuar në të. Shumë shpejt afrohen ambulancat dhe policia.
D’Angelo vijon dasmën
Ndërkohë, pranë Michele D’Angelos afrohet një nga kamarierët e lokalit dhe u thotë që të parkojnë makinën e tyre në parkimin e resortit, pasi ata nuk kanë faj dhe se personave të aksidentuar u kanë shkuar në ndihmë mjekët dhe policia.
Michele D’Angelo thotë se, megjithëse të shokuar nga ngjarja, ai dhe bashkëjetuesja e tij kanë vijuar aktivitetin e tyre në dasëm. “Unë po mendoja përsëri për të parë çfarë po ndodhte me aksidentin dhe në këtë moment lajmëruam Vanesën se kishte filluar ceremonia dhe ajo ishte shoqëruesja e nuses në dasmë”, ka deklaruar 44-vjeçari italian për Policinë Shqiptare.

Ndërkohë që në “Katalea Resort” po vijonte normalisht ceremonia e dasmës, pak metra larg tij, kishte nisur një operacion urgjent shpëtimi për katër personat që gjendeshin në bordin e mjetit Mercedes.
Viktima dhe të plagosur
Makina drejtohej nga një 45-vjeçar nga Patosi, E. Dervishaj (Sadikaj). Në mjet ishin djali i tij 17-vjeçar, K. Sadikaj, një shok i djalit, 20-vjeçari, K. Troka, si edhe nipi 15-vjeçar i shoferit, E. Shehaj.
Të katërt kishin pësuar dëmtime të shumta. Më i vogli prej tyre, 15-vjeçari ishte në gjendje shumë të rëndë. Ai transportohet nga Fieri drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por, fatkeqësisht, ndërron jetë.
Sqarime pas 12 orëve
Michele D’Angelo thotë që nuk dinte asgjë nga këto. Miqtë në dasëm i kanë thënë që nuk duhej të shqetësohej, pasi faji ishte i makinës tjetër që lëvizte me shpejtësi të madhe. Megjithëse i tronditur, profesori dhe mikesha e tij kanë qëndruar në ceremoninë festive deri në orën 5 të mëngjesit. Më pas, ata janë nisur sërish drejt Vlorës, ku kishin prenotuar hotelin për fjetje.
Paraditen e 9 Gushtit, Michele D’Angelo dhe Vanessa Castelli marrin sërish rrugën për në Fier, kësaj radhe për të dhënë sqarimet e tyre në polici mbi aksidentin e ndodhur rreth 12 orë më parë.
Rrugës, në Vlorë, ndalohen nga Policia, e cila kishte marrë informacion se një mjet me targa italiane ishte përfshirë në aksident në qytetin bregdetar. Ishte një rast tjetër. Megjithatë, D’Angelo u ka thënë punonjësve të Policisë së Vlorës se ata kishin pasur një aksident në Fier. Oficerët i kanë orientuar që të paraqiten në Komisariatin e Fierit.
Arrestimi
Prej mbrëmjes së aksidentit, policia në Fier kishte nisur kërkimet për mjetin Lancia me targa italiane, e cila ishte përfshirë në aksidentin në Qafën e Koshovicës. Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin mjetin e profesorit italian që kishte ndaluar në mesin e rrugës dhe përplasjen e mjetit tjetër, Mercedes, i cili më pas përfundoi thuajse i shkatërruar anës rrugës dhe i përfshirë nga flakët.
Sapo Michele D’Angelo u paraqit në Policinë e Fierit, ai u pyet menjëherë për rrethanat e aksidentit dhe, më pas, u arrestua nën dyshimet për “shkelje të rregullave të qarkullimit” me pasoja të rënda, si edhe “largim nga vendi i ngjarjes”.
Në gjykatë
Në 12 Gusht, Gjykata e Fierit cakton masën e sigurisë “arrest me burg” për italianin 44-vjeçar, Michele D’Angelo, si edhe për drejtuesin e mjetit Mercedes, shqiptarin 45-vjeçar, E. Sadikaj (Dervishaj).
Në provat hetimore, të mbledhura deri në atë moment, autoritetet dyshojnë se të dy drejtuesit e mjeteve janë përgjegjës për ngjarjen tragjike. Megjithësë nuk është kryer ende akti i plotë i ekspertimit teknik, paraprakisht dyshohet se italiani D’Angelo ka pozicionuar makinën në mesin e rrugës, duke bllokuar pjesërisht korsinë e kundër, në të cilën lëvizte me shpejtësi mjeti Mercedes.
Dëshmia e D’Angelos
Profesori italian ka treguar dinamikën e ngjarjes, fillimisht para policisë dhe më tej në gjykatë.
Po udhëtoja nga Vlora në drejtim të restorant “Katalea Palace” me mjetin Lancia, me targa italiane DN171ZF. Pa vajtur 30 metra, kam ndezur sinjalin për t’u kthyer majtas, kam kontrolluar rrugën, pasi kam parë që nuk kisha makina as para as mbrapa dhe fillova manovrën për t’u kthyer majtas, për t’u futur në drejtim të restorantit. Vanesa, bashkëjetuesja ime, e cila ishte ulur në vendin e parë, më thotë me kujdes se po vjen një makinë me shumë shpejtësi.
Në atë moment kam parë dritat e makinës që më vinte përballë, ndodhi shumë shpejt pasi makina po vinte shumë, shumë shpejt, pasi pashë që ai po tentonte të na shmangte në të djathtën e tij.

Frenova dhe na gërvishti në pjesën e parë të anës së shoferit dhe më pas ai ka dalë jashtë rruge dhe sapo ktheva shikimin, makina tjetër ishte përmbysur. Lëviza makinën përpara për të mos penguar qarkullimin. Në këtë moment pamë edhe makinën e aksidentuar që po merrte flakë, fillova të kërkoja ndihmë duke bërtitur.
Në atë moment pashë dikë që ishte pranë makinës së aksidentuar, lart te lokali pamë që kishte njerëz dhe filluam t’i kërkonim ndihmë dhe atyre. Ishim të tmerruar dhe u kërkuan ndihmë në anglisht. Na thanë që ishin njoftuar policia, shërbimet e ambulancës dhe zjarrfikësja. Nuk e di saktë pamë disa persona me fikse zjarri dhe me ujë, por nuk e di saktë që kush ishin.
Ndërkohë po nxirrnin njerëzit nga makina dhe ishin shumë njerëz dhe pamë dikë që kishte fëmijën në krah, por nuk e dallova kush ishte. Ndërkohë, bashkëjetuesja ime po fliste me kamarierin në gjuhën angeleze për çfarë veprimesh duhet të kryenin dhe ai na tha të futeshim me makinë në parkimin e lokalit. E pyeta disa herë “je i sigurt” në gjuhën angleze. Kam parkuar brenda në parkim dhe ishim në gjendje shoku. Unë po mendoja përsëri për të parë çfarë po ndodhte me aksidentin dhe në këtë moment lajmëruam Vanesën se kishte filluar ceremonia dhe ajo ishte shoqëruesja e nuses në dasmë.
Ndërkohë, pjestarët e dasmës na thanë që gjithçka ishte zgjidhur dhe unë nuk mendova se isha shkakatari dhe kisha gabuar dhe ishte e kotë që të interesohesha për aksidentin, pasi nuk mendoja që isha fajtor, gjë që mendoj dhe tani pasi makina që u aksidentua lëvizte shumë shpejt.
Ne vazhduam ceremoninë, pasi bashkëjetuesja ime ishte shoqëruesja e nuses dhe pavarësisht gjendjes time të rënduar psikologjike. Rreth orës 05.00 të mëngjesit mbaroi ceremonia dhe jemi nisur për në Vlorë dhe pastaj shkuam për të vila “S&S”, ku qëndruam. Më pas jemi zgjuar jemi drejtuar për në Policinë e Vlorës për të ditur në duhet të kryenim ndonjë veprim tjetër dhe çfarë duhet të bënim
Gjatë rrugës që po shkonim për te policia na ndaloj një patrullë rrugës për një aksident që kishte ndodhur në Vlorë ku ishte përfshirë një makinë me targa italiane.Ne i treguam që po vinim te Komisariati i Vlorës në lidhje me ngjarjen që kishte ndodhur në Fier. Policia na tha që duhet të paraqiteshin në policinë e Fierit.
Burgu dhe reagimet
Në fillim të Shtatorit, Gjykata e Apelit konfirmoi masën e arrestit për të dy personat, për italianin D’Angelo dhe shqiptarin Sadikaj. Avokatët e profesorit italian argumentuan se klienti i tyre nuk kishte përgjegjësi, pasi mjeti tjetër ishte me shpejtësi. Ndërkohë, mbrojtësit e shqiptarit Sadikaj kërkuan zbutjen e masës së sigurisë, pasi klienti i tyre ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore pas aksidentit, duke deklaruar gjithashtu se fajtori ishte Michele D’Angelo, i cili kishte bllokuar rrugën.
Gjykata e Apelit vlerësoi se, deri në fazën aktuale, ka dyshime se të dy personat mund të jenë përgjegjës për ngjarjen tragjike dhe duhet të qëndrojnë në paraburgim.

Vendimet e gjykatave shqiptare kanë nxitur reagim tek kolegët e Michele D’Angelo. Në mediat italiane raportohet se pedagogët e Universitetin të Aquali-s kanë nisur një fushatë për mbledhje fondesh, me qëllim sigurimin e mbrojtjes për 44-vjeçarin.
Vanesa Castelli, bashkëjetuesja e tij që është kthyer në Itali, i ka shkruar dy letra kryeministres italiane, Georgia Meloni, që të ndërhyjë pranë qeverisë shqiptare për të ndihmuar Micheles, pasi, në vlerësimin e saj, po qëndron padrejtësisht në burg dhe është në gjendje të rënduar psikologjike.