Është zbardhur dëshmia e Ervis Kurtajt, i cili mbeti i plagosur së bashku me babanë e tij, Ragip Kurtajn, gjatë seancës gjyqësore ku u vra gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja.
Ervis Kurtaj deklaroi për hetuesit se vrasja ndodhi menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari:
“Kur gjyqtari Astrit Kalaja mori vendim që ishte në favor tonin, Elvisi u ngrit nga karrigia dhe iu afrua duke qëlluar disa herë me armë zjarri. Kur dëgjova krismat, kapa babin tim dhe nisa të largohem drejt korridorit. Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh”, tregoi ai.
Hetimet paraprake tregojnë se rreth orës 15:35 të 6 tetorit, Elvis Shkambi nxori armën nga brezi dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Pas sulmit, autori qëlloi edhe ndaj Ragip Kurtajt dhe djalit të tij Ervis, të cilët mbetën të plagosur, por pa rrezik për jetën.
Autori doli më pas nga salla, dorëzoi armën tek një punonjës gjyqësor në një sallë tjetër dhe u arrestua në oborrin e gjykatës nga policia që mbërriti në vendngjarje.
Sipas deklaratës së autorit, ai vendosi të qëllojë pasi dëgjoi se vendimi i gjyqtarit ishte kundër interesit të tij, duke shtuar se veprimi nuk ishte planifikuar më parë.
Sot, në nder të gjyqtarit Kalaja, po zhvillohen homazhet nga ora 09:00 deri në 11:00. Pjesëmarrës janë përfaqësues të institucioneve shtetërore, kolegë, miq dhe familjarë, të cilët i japin lamtumirën e fundit figurës së ndjerë.