Diplomati Agim Nesho deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet në “agoninë e fundit politike”, duke argumentuar se protestat qytetare tregojnë se ai ka humbur kontratën me shqiptarët.
I ftuar në SYRI TV, Nesho tha se në demokracitë perëndimore dalja e popullit në rrugë kërkon një legjitimim të ri të pushtetit.
Ai akuzoi Ramën se nuk ka mbajtur premtimet ndaj qytetarëve, duke e lidhur qeverisjen e tij me emigrimin masiv, dështimet në arsim dhe politikat që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e vendit.
Nesho u shpreh gjithashtu se fjalimi i fundit i kryeministrit ishte një mesazh i drejtuar më shumë komunitetit ndërkombëtar sesa shqiptarëve, ndërsa shtoi se Partia Socialiste është kthyer në një forcë ku askush nuk guxon të kundërshtojë liderin e saj.
Sipas tij, problemi kryesor i Shqipërisë mbetet përqendrimi i pushtetit në duart e një lideri që, sipas Neshos, është shndërruar në autokrat.
“Këto janë përpëlitjet e fundit në agoninë e tij të zotit Rama. Dihet që pushteti i tij dhe kontrata me shqiptarët ka përfunduar plotësisht. Justifikimi i tij që kontratën unë e kam me 800 mijë, nuk shkon, nuk është e arsyeshme, sidomos në demokracitë perëndimore që kur populli del në rrugë, atëherë çdo kontratë kërkon një legjitimim të ri. Dhe këtu duhet të japim edhe shembuj, për ta bërë më të prekshme.
Edhe me rastin e partnerit më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç ka qenë Marcosi i Filipineve në vitet 60, që u gjet një zgjidhje dhe një partner i qëndrueshëm në luftën kundër anti-komunizmit dhe për të bërë një qëndresë të fortë në Azinë e Largët ndaj gjithë forcave komuniste duke përfshirë edhe Kinën. U justifikuan zgjedhjet e ’64-ës, ’69-ës, u dhanë fonde të jashtëzakonshme për infrastrukturë për të krijuar një mobilitet të shoqërisë në Filipine. Por që me daljen e popullit në rrugë pas atentatit ndaj një nga liderave të opozitës, Marcosi dhe përkrahja amerikane mbaroi. Dhe kjo është një aksiomë e pashkruar, kur dihet që fundi i tij përfundoi me një aeroplan që e çuan në ishujt Havai dhe pas tre-katër viteve vetë Amerika deklaroi që 35 miliardë të fshehura në bankat e Zvicrës do t’i ktheheshin popullit filipinas. Ky është fundi i çdo diktatori, ky do të jetë edhe fundi i zotit Rama, për arsye sepse vazhdon të luajë me interesat dhe të ardhmen e popullit shqiptar. Është besëprerë, për arsye se nuk ka mbajtur asnjë kontratë me shqiptarët”,- u shpreh Nesho ndër të tjera.














