Në shikim të parë, sipas raporteve të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, fushata elektorale e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 në Shqipëri mund të duket modeste — një përpjekje e përmbajtur, e financuar nga anëtarësitë e partive dhe pjesërisht nga fonde publike.
Por, siç ndodh shpesh, shifrat e raportuara nga partitë politike shqiptare për shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore dhe realiteti në terren duket se jetojnë në dy univers paralelë.
Mijëra takime me zgjedhësit në katër anët e vendit, ‘billboard’-e të shumta dhe reklama të shtrenjta televizive sugjerojnë një kosto shumë më të madhe sesa ajo që reflektojnë të dhënat e paraqitura. Për analistët dhe ekspertët e financave zgjedhore, këto deklarime janë një përzierje shqetësuese mes deklarimeve të cekta dhe dyshimeve të thella mbi financimet informale që nuk dalin në dritë nga auditet e KQZ-së.
Sipas një raporti të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, me titullin “Analiza e raporteve financiare të subjekteve mbi fushatën elektorale”, partitë politike deklarojnë se kanë mbledhur gati 2.57 milionë euro fonde për fushatën elektorale të vitit 2023 dhe kanë shpenzuar përafërsisht 2.4 milionë euro gjatë 30 ditëve para datës së votimit.
Por, sipas ekspertëve të fushatave zgjedhore në Shqipëri, këto shifra “nuk janë aspak reale” dhe madje mund të cilësohen si “qesharake”.
“Ka raste kur vetëm një aktivitet i madh i kushton një partie kryesore sa gjithë buxheti i deklaruar,” shprehet politologu Ermal Hasimja në një intervistë për BIRN-in.
Të njëjtit mendim është edhe eksperti i financave publike Zef Preçi.
“E gjithë shuma e deklaruar e të gjitha partive, të marra së bashku, është më e vogël se përfitimet financiare në formën e reklamave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të një televizioni kombëtar,” theksoi ai.
Burime informale
Kodi Zgjedhor vendos një sërë kufizimesh mbi fondet që partitë politike dhe kandidatët mund të përdorin për të financuar fushatat zgjedhore. Ligji ndalon financimet nga burime të huaja, kompani që kanë përfituar fonde publike mbi 10 milionë lekë në tre vitet e fundit, dhe subjekte që operojnë në fushën e medias. Po ashtu, ndalimi përfshin edhe individët ose subjektet që kanë detyrime monetare ndaj shtetit.
Me një kufi prej 1 milion lekësh për donacionet individuale dhe një kërkesë që çdo dhurim mbi 50,000 lekë të kalojë përmes llogarive bankare të posaçme – ku të dhënat e donatorëve bëhen publike – synohet të parandalohet kapja financiare e politikës nga interesa të fuqishme dhe të padeklaruara.
Ligji kërkon gjithashtu që partitë dhe kandidatët të dorëzojnë raporte të detajuara financiare çdo vit dhe për çdo fushatë zgjedhore, duke përfshirë burimet e fondeve dhe shpenzimet. Këto dokumente publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke synuar që qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të ndjekin gjurmët e fondeve që ndikojnë në procesin demokratik.
Raporti i BIRN-it vëren se pjesa më e madhe e të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023 është përqendruar në tre subjektet kryesore politike të vendit. “Të dhënat tregojnë se ka ndryshime të mëdha mes shumës së të ardhurave të deklaruara nga 20 subjekte zgjedhore garuese, ku pjesën më të madhe (78.88%) e zënë tre subjektet kryesore: Partia Socialiste me 42.83%, Partia e Lirisë – që udhëhoqi koalicionin Bashkë Fitojmë – me 22.79%, dhe Partia Demokratike me 13.26% të të ardhurave totale,” thekson raporti.
Sipas të dhënave të analizuara, pjesa dërrmuese e të ardhurave të partive politike gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2023 vinin nga tre kategori kryesore: “Të ardhura të krijuara nga subjekti” përmes kuotave të anëtarësisë dhe dhurimeve (42.73%), “Financime publike” përmes fondeve të alokuara nga buxheti i shtetit për qëllim të shpenzimeve të fushatës (38.17%) dhe “Të ardhurat totale të kandidatëve për kryetar”, të cilat janë mbledhur nga vetë kanidatët (15.34%).
Megjithatë, për analistin politik dhe pedagogun Ermal Hasimja, këto shifra fshehin financime informale që rrjedhin nga burime problematike dhe për këtë arsye nuk mund të deklarohen. “Deklarimi i financimeve nga burime të tilla, qoftë nga bota e krimit apo krimi financiar, do të sillte probleme ligjore për partinë dhe diskreditim përpara votuesve,” tha ai. “Arsyeja përse nuk luftohet është sepse vetë partitë janë të interesuara që financimi të vazhdojë në të njëjtën mënyrë,” shtoi Hasimja.
Eksperti i ekonomisë dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, ndan të njëjtin shqetësim. Ai vë në dukje se shpenzimet zyrtare të partive për fushatë nuk pasqyrojnë kostot e larta të fushatave zgjedhore në Shqipëri. Sipas tij, mosdeklarimet janë të ndikuara nga kufizimet ligjore dhe financimet informale. “
“Frika nga ndëshkimi postzgjedhor i sponsorëve të vërtetë, përdorimi i formave të tërthorta për të ndikuar mbi votuesit përmes medias dhe blerjes së votës, si dhe rritja e pompimit të parave me origjinë informale dhe kriminale janë disa nga arsyet kryesore,” theksoi ai. “Mosdeklarimi dhe fshehja e burimeve është një praktikë e pranuar gjerësisht,” shtoi Preçi.
Garë e pabarabartë
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë gjithashtu një pabarazi të theksuar në shpenzimet mes subjekteve zgjedhore përgjatë 30 ditëve të fushatës. Tre subjektet kryesore garuese në zgjedhjet e 14 majit 2023 kanë deklaruar vlerën 228,793,009.09 ALL (përafërsisht 2.06 milionë Euro) ose 87.14% të të gjithë shpenzimeve për fushatë, përkatësisht Partia Socialiste me 46.55%, Partia e Lirisë me 26.16% dhe Partia Demokratike me 14.43%.
Raporti evidenton gjithashtu diferenca të rëndësishme në kategoritë specifike të shpenzimeve. Për shembull, shpenzimet e regjistruara nga Partia Socialiste dhe Partia e Lirisë nën zërin “Shpenzime indirekte/dhurimet në natyrë” përbëjnë 96.12% të shpenzimeve të të gjithë subjekteve në këtë kategori, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe barazinë në procesin zgjedhor. Në të njëjtën mënyrë, shumat e vogla të të deklaruara për “Transport” nga subjekte të mëdha dhe të vogla garuese, pavarësisht monitorimit të aktiviteteve të ndryshme elektorale në zona të largëta nga qendra e bashkisë ose e eksponentëve të tjerë qendrorë të subjektit, ngrenë pikëpyetje lidhur me përdorimin e mundshëm të burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore.
Ndërkohë që partitë e mëdha kanë grumbulluar dhe shpenzuar pjesën më të madhe të fondeve, disa subjekte të vogla kanë pasur një ndikim thuajse të papërfillshëm. Sipas raportit, Partia Balli Kombëtar, Partia Demokristiane dhe Lëvizja e Re kanë përdorur më pak se 0.02% të buxhetit të përgjithshëm të zgjedhjeve vendore të vitit 2023.
Kjo pabarazi në burimet financiare, sipas analistëve Ermal Hasimja dhe Zef Preçi, prodhon një garë të pabarabartë, ku partia në pushtet gjithmonë ka një avantazh të dukshëm. “Partia që është në pushtet merr më tepër mbështetje nga financues që presin në këmbim favore ekonomike, si p.sh. tendera apo leje ndërtimi,” tha Hasimja. “Partitë opozitare nuk kanë çfarë të ‘shesin’ në këtë rast dhe rrjedhimisht kanë mbështetje më të vogël,” shtoi ai.
Shpenzimet për reklama politike
Bazuar në analizën e shpenzimeve të deklaruara nga subjektet zgjedhore, totali i deklaruar për kostot e prodhimit dhe transmetimit të spoteve televizive dhe radiofonike, blerjen e kohës së transmetimit, si dhe komunikimet / reklamat në median online është në vlerën 56 milionw (përafërsisht 505,000 Euro), duke përbërë shumën më të lartë ndër aktivitetet e deklaruara nga subjektet, me përafësisht 21.3% të të gjithë shpenzimeve të deklaruara.
Vetëm gjashtë nga subjektet garuese në zgjedhjet e 14 majit 2023 kanë deklaruar shpenzime lidhur me median audiovizive dhe atë online, ku sërish pjesën më të madhe prej 90.71% të vlerës e kanë tre subjektet më të mëdha, pavarësisht pabarazive të mëdha dhe mes tyre, përkatësisht Partia Socialiste me 79.56%, Partia e Lirisë me 6.39% dhe Partia Demokratike me 4.76%.
Pavarësisht shumës së konsiderueshme, shpenzimet e deklaruara nga subjektet për fushatën e tyre në media ende mbeten të ulëta në krahasim me minutazhin e reklamave dhe transmetimeve live të monitoruara gjatë fushatës së vitit 2023, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën financiare të partive.
Duke përdorur të dhënat e monitorimit të medias nga AMA, BIRN arriti të përllogarisë se partitë politike kanë transmetuar gati 16 orë reklama politike në 14 prej televizioneve qendrore private gjatë fushatës elektorale, nga 14 prill deri më 12 maj 2023. Pjesa më e madhe e këtyre reklamave është paguar nga Partia Socialiste, me 68.48% të të gjithë reklamave politike të transmetuara në këto televizione gjatë fushatës, ndërsa Koalicioni Bashkë Fitojmë renditet i dyti me 20.62% të tyre, duke u lënë të gjitha subjekteve të tjera garuese në zgjedhjet e fundit lokale, përfshirë dhe kandidatëve të pavarur vetëm 10.80% të minutazhit të reklamave.
Në mënyrë të ngjashme, gjatë 30 ditëshit të fushatës zgjedhore, AMA ka identifikuar rreth 35,350 minuta transmetimesh të drejtpërdrejta të aktiviteteve elektorale, ose thënë ndryshe, më shumë se 589 orë. Nga këto, më shumë se 237 orë transmetimi i janë dedikuar aktiviteteve elektoraletë PS-së, 199 orë i janë dedikuar aktiviteteve të Koalicionit Bashkë Fitojmë, ndërsa 122 orë i janë dedikuar aktiviteteve të PD-së. Pjesa e mbetur prej 7 orësh të transmetimeve të drejtpërdrejta kanë mbuluar aktivitete të 8 prej subjekteve garuese në zgjedhje ose kandidatëve të pavarur.
Edhe pse se fushata në rrjetet sociale ka pasur një përdorim të gjerë gjatë zgjedhjeve të dekadës së fundit e sidomos në zgjedhjet e vitit 2023, vetëm 8 prej subjekteve zgjedhore deklaruan shpenzime në këtë drejtim. Peshën më të madhe në deklarimet e këtij zëri e zë Partia Socialiste, me pothuaj 80% të shumës totale, pasuar nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë.
Partitë politike kanë kryer edhe pagesa “për të humbur gjurmët”, pasi nga 65 transaksione të deklaruara në zërin e shpenzimeve për mediat sociale, vetëm 44 prej tyre përfshijnë pagesa të drejtpërdrejta ndaj kompanive të rrjeteve sociale/platformave, të tilla si Facebook, Instagram, Google, YouTube, etj.
Pjesa tjetër e transaksioneve i referohet pagesave të kryera tek kompani ose individë lokalë, duke ofruar shumë pak qartësi për natyrën e shërbimit të marrë dhe kategorizimit të saktë të shpenzimit.
Nga analiza e kryer nga BIRN, rezulton se vetëm 7.19% e vlerës së deklaruar nga Partia Socialiste për “Media Sociale” ka shkuar si pagesë e drejtpërdrejtë ndaj Facebook, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve lidhet me pagesa ndaj kompanive të marketingut dhe sondazheve, ato të printimit, ose ofrimit të reklamave në natyrë (billboards).
Ngjashëm është situata edhe në krahun tjetër politik, pasi kanë deklaruar shpenzime ndaj individëve ose personave fizikë lokalë, duke krijuar paqartësi lidhur me aktivitetet e kryera. Vetëm Partia e Lirisë ka deklaruar 34 fatura ndaj platformave digjitale, duke mos përfshirë pagesa të tjera nën këtë zë.
Shqipëria u mbush me billboard-e, partitë nuk deklarojnë shpenzime
Të dhënat e raportit auditues të BIRN-it tregojnë se shumica e subjekteve politike, përfshirë edhe ato kryesore, kanë deklaruar shuma minimale ose aspak shpenzime në kategori si “Transport,” “Botime” dhe shpenzime nga kandidatët për këshilltarë bashkiakë.
Për më tepër, asnjë nga partitë kryesore nuk ka raportuar shpenzime për “Reklamime në natyrë,” kategori që, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfshin kostot për ‘billboard’-e, reklama ‘citilights,’ dhe aktivitete të tjera të zhvilluara jashtë ambienteve të mbyllura.
Eksperti i ekonomisë Zef Preçi fajëson KQZ-në për këto mosdeklarime, duke e përshkruar atë si një institucion ende të dobët në rolin e saj monitorues.
“Vetë KQZ-ja thjesht administron çfarë partitë deklarojnë. Është, praktikisht, një institucion i ndikuar nga pushteti, dhe auditimin e deklarimeve financiare të partive politike e ka si një detyrë shtesë, edhe pse financimi luan rol rrënues për vullnetin e qytetarëve dhe deformon në mënyrë serioze atë vullnet,” tha Preçi.
Ai shtoi se KQZ-ja duhet të angazhohet seriozisht për të forcuar transparencën, duke propozuar që institucionit t’i kërkohet të prodhojë rregullore dhe akte që detyrojnë subjektet politike të raportojnë në kohë reale të ardhurat dhe shpenzimet e tyre, si një hap i domosdoshëm drejt barazisë dhe integritetit zgjedhor./ BIRN