Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 me qëllim rritjen e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lehtësimin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, shënon këtë vjeshtë përvjetorin e dhjetë.
Përkundër disa marrëveshjeve dhe deklaratave të miratuara përgjatë një dekade, përparimi në terren ka qenë i ngadalshëm.
Me fjalët e Naim Rashitit – drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, i cili vazhdimisht analizon zhvillimet e këtij procesi – vendet e rajonit i pranojnë marrëveshjet, por i zbatojnë në mënyrë selektive.
Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Pak kohë përpara kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Evropian, Jean-Claude Juncker, shpalli pauzë në zgjerimin e BE-së.
Ideja ishte që përmes Procesit të Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina – ta rrisnin bashkëpunimin mes vete dhe me vendet e BE-së.
Në verën e vitit 2014, Merkel i ftoi krerët e shteteve dhe qeverive të rajonit në një konferencë në Berlin, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Gjermanisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Francës dhe të institucioneve të BE-së.
Me kalimin e viteve, ky proces u zgjerua dhe sot ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Samite janë mbajtur çdo vit në qytete të ndryshme evropiane – nga ku kanë dalë marrëveshje dhe deklarata të ndryshme – ndërsa i radhës pritet të mbahet më 14 tetor në Berlin.
Objektivat e Procesit të Berlinit dhe marrëveshjet
Rashiti thotë se zgjidhja e problemeve të hapura ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe krijimi i bazës për qëndrueshmëri të rajonit, janë katër objektiva kryesore të Procesit të Berlinit, të cilat mbeten të pandryshuara.
Në thelb të procesit është “Agjenda e Lidhshmërisë”, e cila përshpejton rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të kësaj agjende, BE-ja prezantoi në vitin 2015 planin për t’i rritur investimet dhe përmirësimet në transport dhe infrastrukturë.
Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Agjenda e Gjelbër, ndërkaq, u nënshkruan në Samitin e Sofjes, më 2020.
Tregu i Përbashkët Rajonal, siç thuhet në deklaratën e liderëve të Ballkanit Perëndimor, synon “ta forcojë bashkëpunimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, në përputhje me rregulloret dhe standardet e BE-së”, si dhe “ta afrojë rajonin me BE-në dhe Tregun Unik të BE-së”.
E, Agjenda e Gjelbër parasheh adresimin e sfidave që dalin nga ndryshimet klimatike nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rashiti thotë se ndër qëllimet e mira të Procesit të Berlinit, por mjaft të sfiduara, janë: Agjenda e Lidhshmërisë dhe objektivi i pajtimit të shoqërive në rajon.
Por, sipas tij, këto njëherësh janë edhe “dy dështimet më të mëdha” të këtij procesi.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Rashiti shpjegon se Agjenda e Lidhshmërisë ka paraparë një standardizim të procedurave për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave në Ballkanin Perëndimor, zhvillim të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, hapje të kufijve, si dhe rritje të mundësive për lëvizshmëri në rajon.
“Por, jemi dhjetë vjet pas dhe ende kemi pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave… Kemi tensione më shumë dhe kemi shumë pak investime infrastrukturore që i ndërlidhin vendet me njëra-tjetrën”, thotë Rashiti.
Ai thekson se edhe zgjidhja e çështjeve dypalëshe, si parakusht për rritjen e bashkëpunimit rajonal, “ka shënuar ngecje enorme”.
“Zgjidhja e problemeve nuk ka ndodhur. Tensionet politike ndërmjet vendeve janë shumë të mëdha”, thotë Rashiti, duke iu referuar sidomos tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Procesi i Berlinit nuk parasheh ndonjë mekanizëm ndëshkues dhe e gjitha mbetet në vullnetin e palëve.
Pse nuk ka zbatim në praktikë?
Sipas Rashitit, Tregu i Përbashkët Rajonal është projekti kryesor i Procesit të Berlinit, por si i tillë nuk ka arritur të realizohet.
Shkaku kryesor për këtë mbetet kontesti i pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe tensionet mes dy vendeve, viteve të fundit, thotë ai.
“Në substancë, për interesa të veta, që nuk e prekin politikën e Serbisë ndaj Kosovës, Serbia i zbaton [marrëveshjet]. Në substancë, Bosnja dështon në shumë aspekte, për shkak të konflikteve rajonale dhe të brendshme. Në përmbajtje, Kosova zbaton një pjesë të madhe, përveç atyre ku është e hendikepuar në aspektin e përfaqësimit, si në CEFTA”, thotë Rashiti.
CEFTA, apo Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore, e arritur në vitin 2006, përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Moldavinë.
Kosova në CEFTA, deri më tash, ka qenë e përfaqësuar përmes misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, por këtë javë Komiteti i CEFTA-s ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesën e saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit.
Këtij vendimi i ka paraprirë presioni i Gjermanisë ndaj Kosovës për të hequr ndalesën e importit të mallrave nga Serbia – në të kundërtën është paralajmëruar për mundësinë e përjashtimit të saj nga nismat rajonale.
Qeveria e Kosovës e ka hequr këtë ndalesë më 7 tetor – pas më shumë se një viti – në vendkalimin kufitar të Merdares.
Zbatimi i CEFTA-s, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërlidhet me zbatimin e Marrëveshjes për Treg të Përbashkët Rajonal (TPR), e cila del nga Procesi i Berlinit.
Çështja e CEFTA-s është shtruar si problematike edhe në raportin “Kosova dhe Procesi i Berlinit: Adresimi i pasigurive dhe shfrytëzimi i mundësive”, i botuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung, në dhjetor të vitit 2023.
“CEFTA vazhdon të jetë një aspekt problematik i zbatimit të TPR-së. Çështja e përfaqësimit të Kosovës mbetet një diskutim pa zgjidhje që paraqet pengesa për progresin e TPR-së”, është thënë në atë raport.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor u dakorduan në vitin 2022 për tri marrëveshje në drejtim të jetësimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Marrëveshjet e nënshkruara kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.
Kosova i ratifikoi të tria marrëveshjet, por jo edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Kosovës shprehu bindjen se Marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime do të mundësonte që “qytetarët e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, më në fund, të lëviznin lirshëm vetëm me letërnjoftime”.
Por, kjo nuk ndodhi. Qytetarët e të dyja vendeve duhet të vazhdojnë të pajisen me viza për të lëvizur në vendet përkatëse.
Kjo, për shkak se Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar asnjërën marrëveshje.
“Paramendoni, Kosova lëviz lirshëm me BE-në dhe qytetarët e Bosnjës lëvizin lirshëm me BE-në, por nuk lëvizin në njëra-tjetrën. Ky është skandal. Kjo e pengon ekonominë dhe tregtinë”, thotë Rashiti.
Në katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime.
Rashiti thotë se ka shumë paradokse në lidhje me marrëveshjet, të cilat, sipas tij, krijohen nga vetë vendet nënshkruese.
“Për shembull, njihen profesionet, por nuk njihen diplomat. Nuk është dakorduar lista e universiteteve. Bëhen, në njëfarë forme, zgjidhje gjysmake, që shpeshherë nga Gjermania ose vendet tjera të BE-së, nuk kuptohen. Sepse, në konceptin e tyre, kur njihen profesionet, njihet edhe diploma”, thotë Rashiti.
Për njohjen e diplomave, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje edhe në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, por ajo nuk gjeti zbatim në terren.
Në samitin në Poznan, në vitin 2019, vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshjen për “roaming”, apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin.
Në vitin 2023 u shënua hyrja në fuqi e tarifave të reduktuara për “roaming”.
Angazhimin e vendeve të rajonit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Rashiti e sheh si diçka pozitive.
“Në aspektin e [Agjendës së] Lidhshmërisë, ‘roamingu’ ka qenë i suksesshëm dhe pritet të hiqet ose do të duhej tani të hiqej… Ka ulur kostot dhe urojmë që tarifat të bëhen zero sa më shpejt, sepse do të ketë efekt shumë të mirë”, thotë ai.
Si shembull të mirë, Rashiti përmend edhe zbatimin e projektit të iniciuar në samitin e Parisit, më 2016, për bashkëpunimin e rinisë – RYCO.
“Ai e merr për bazë projektin e ngjashëm ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Ka filluar shumë mirë të punojë. Punon ende shumë mirë, por pengesat janë enorme nga vetë qeveritë e [vendeve të] Ballkanit Perëndimor për RYCO-n”, thotë Rashiti.
Ai pret që në samitin e 14 tetorit në Berlin të lansohet Tregu i Përbashkët Rajonal 2.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian theksojnë vazhdimisht se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, por u bëjnë thirrje vendeve që t’i zgjidhin çështjet e hapura.
Këtë vit, BE-ja ka miratuar edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, me të cilin synohet të mbështeten reformat e lidhura me BE-në dhe rritja ekonomike në rajon.
Presidentja aktuale e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është zotuar se do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së./ REL