Nga Boldnews.al
Me një vendimmarrje në seri dhe të “telekomanduar”, të gjithë institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë refuzuan të marrin pjesë me ekspertë në “Komisionin e Posaçëm Parlamentar për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, i drejtuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, vëllai i trafikantit të drogës të dënuar në Itali, Agron (Geron) Xhafaj.
Komisioni “Xhafaj” u miratua në Korrik të këtij viti me 78 vota të Partisë Socialiste dhe aleatëve, pas një fjalimi të gjatë dhe të çartur të kryeministrit Edi Rama.
Qëllimi i shpallur i këtij Komisioni është shqyrtimi dhe amendimi i ligjeve të ndryshme të paketës së Reformës në Drejtësi.
Opozita ka refuzuar të bëhet pjesë e këtij Komisioni, duke e konsideruar si një mekanizëm të Ramës për të forcuar edhe më tej kontrollin mbi institucionet e drejtësisë, të cilat, në një pjesë të madhe, u binden orekseve të kryeministrit.
Ambasada Amerikane në Tiranë, si partneri kryesor i Reformës në Drejtësi, pranoi në 6 Shtator 2024 se do të dërgonte ekspertët e saj pranë këtij komisioni.
“Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh ambasada në një njoftim në rrjete sociale.
Menjëherë pas këtij qëndrimi, mbërrijnë me radhë qëndrimet refuzuese të institucioneve të drejtësisë.
Institucioni i parë refuzues ishte Gjykata e Lartë, në një qëndrim të shprehur zyrtarisht në 9 Shtator. Qëndrimi i kryegjyqtarit të lartë, Sokol Sadushi, ishte një sinjal i fortë.
Sadushi njihet si një prej miqve më të ngushtë personal, por edhe politik të Fatmir Xhafajt. Në një situatë “normale”, Sadushi, jo vetëm që do të pranonte të bëhej pjesë e çdo lloj strukture të drejtuar nga Xhafaj, por, nuk do të ishte aspak çudi që të nisej vetë me vrap e të shprehte vullnetin për të qenë pranë vëllait të Geron Xhafaj.
Por, duket se “një dorë” tjetër e ka penguar vrullin e Sadushit për të përqafuar Xhafën në Komision.
Pas Gjykatës së Lartë, institucionet e tjera, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), mbajën qëndrim refuzues. Me terma të zbutur, secili prej tyre deklaroi se nuk do të dërgonte ekspertë pranë Komisionit “Xhafaj”.
Ky qëndrim on block dhe të rakorduar duket se ka pas një dorë që u jep orientimin. Historia e re e drejtësisë, ka treguar se një “pushtet” të tillë ekstra-institucional e ka Ambasada Amerikane në Tiranë.
Pas situatës “refuzuese”, pamja e Komisionit të Posaçëm do të jetë, nga njëra anë Xhafaj dhe kolegët e tij socialist të Komisionit, e, nga ana tjetër, ekspertët e ambasadës amerikane.
Përshtypja e parë që krijon kjo panoramë krijon përshtypjen është ajo se institucionet e drejtësisë, para Ramës dhe Xhafajt, zgjedhin Ambasadën. Mund të qëndrojë si ide, të paktën përkohësisht.
Por, kthehemi pak në kohë. Disa vite më parë, Fatmir Xhafaj drejtoi Komisionin e Posaçëm të Reformën në Drejtësi. Maxhoranca socialiste injoroi çdo sugjerim të opozitës dhe ekspertëve, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Maxhoranca hodhi në kosh thuajse të gjithë opinionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët ishin pjesë e atij Komisionit, duke u mbështetur vetëm në qëndrimet e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë që vinin nga “shoqëria civile”, të cilët, të gjithë më pas morën poste drejtuese në “Drejtësinë e Re”.
Edhe në atë kohë, ekspertët e Ambasadës Amerikane dhe të Bashkimit Europian ishin të pranishëm në Komisionin “Xhafaj” dhe i dhanë vulën Reformës në Drejtësi.
Tashmë, 7-8 vjet pas ndryshimit të Kushtetutës dhe paketës ligjore të Drejtësisë, shihet qartë se sistemi gjyqësor është, në shumicën thuajse absolute, nën kontrollin e Edi Ramës dhe pushtetit të tij.
Po njëlloj si 7-8 vjet më parë, Komisioni për “Thellimin e Reformave” do të ketë në krye Fatmir Xhafaj, do të jetë në mungesë të opozitës, nuk do të ketë, as formalisht, opinione të institucione të drejtësisë, si edhe do të ketë prani të ekspertëve të Ambasadës Amerikane.
Një shprehje që i atribuohet një prej mendjeve më të mëdha të njerëzimit, Albert Ajnshtajn (Albert Einstein), thotë: “Përkufizimi i budallallëkut është të bësh të njëjtën gjë, por të presësh rezultate të ndryshme”.
Ajo që ndodhi në vitin 2016-2017, vuri Drejtësinë nën thundrën e Ramës, nën vështrimin e ekspertëve të Ambasadës, të cilët kishin bindur shefat e tyre në Uashington për të liruar miliona dollarë për realizimin e Reformës në Drejtësi.
Nëse dikush pret që “Komisioni i Ri” i vëllait të trafikantit Xhafaj do të ndryshojë realitetin e sotëm me drejtësinë, atëherë duhet të rikthehet sërish në vitin 2016.
E, mbi të gjitha, duhet të mbajë përgjegjësi për shpenzimin pa vlerë të miliona e miliona dollarëve për “Reformën në Drejtësi” në Shqipëri, para se të kërkojë miliona të tjera në Uashington për të “reformuar Reformën”.