Pas një pauze nga jeta parlamentare për shkak të pushimeve verore, Partia Dermokratike po bën përgatitjet për t’u rikthyer në shtator në Kuvend me çështjet më të nxehta që kanë mbërthyer prej ditësh vendin, ajo e mbetjeve toksike.
Gazment Bardhi ka thirrur të hënën e 2 shtatorit, mbledhjen e Grupit Parlamentar në selinë e PD, ndërsa ka ftuar deputetët demokratë të jenë të pranishëm në mbledhje.
Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama sa i takon fakteve të bëra publike për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.
Në kërkesë evidentohet se rastet e përsëritura të konstatuara të eksportit të mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.
Gjithashtu, në kërkesë theksohet se nga të dhënat e deri më tanishme rezulton dyshimi i arsyeshëm se është cenuar interesi publik, për shkak se:
· Kompania “Kurum International” sh.a. ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania “Sokolaj” sh.p.k. ka shkelur ligjin lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.
· Autoritetet përgjegjëse kanë shkelur ligjin duke mosvepruar ndaj këtyre shoqërive private për përpunimin apo transportin e mbetjeve toksike, si dhe duke lejuar eksportin e tyre jashtë territorit në shkelje të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare.
· Nga ana tjetër, Qeveria dhe autoritetet përgjegjëse heshtin prej 3 javësh dhe nuk veprojnë duke mos bërë asnjë transparencë mbi këtë çështje, ndërkohë që skandali ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë, dhe përmes tij edhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë trajtuar, cfarë veprimesh, kontrollesh apo aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit, etj. Në këtë rast mungesa e transparencës nga ana e Qeverisë shton edhe më shumë pasigurinë për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha dyshimet për një aktivitet kriminal me leje shtetërore, që rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s.” – mbyllet kërkesa për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.